Zhvillohet mbledhja e parë e këshillit të ri bashkiak. Ndrec Dedaj merr zyrtarisht drejtimin e bashkisë Mirditë, për mandatin e ardhshëm, katër vjeçar.

Sot në ora 11 u zhvillua ceremonia zyrtare për konstituimin e Këshillit Bashkiak, dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019, si dhe procedura vijuese, betimi i kryetarit te bashkise z. Ndrec Dedaj. Të pranishëm kanë qenë ministri i brendshëm z. Sandër Lleshaj, prefekti i qarkut Lezhë z. Gjok Jaku, deputetet Lindita Nikolla dhe Adriana Jaku, nënprefektja Marie Doda etj.
Ceremonia u zhvillua në sallën e pallatit të kulturës në Rrëshen, ku morën pjesë një numër i madh qytetarësh.

Ne fillim e ka marrë fjalën sekretari i këtij këshilli z. Gasper Topollaj i cili ka lexuar listën prej 17 anëtarësh, duke theksuar se ata i përkasin shtatë partive politike që morën pjesë në këto zgjedhje.

Më pas drejtimin e senacës së parë e ka marrë anëtarja më e vjetër në moshë znj. Marie Nikolli. Në vijim të procedurave ligjore, monitoruar dhe nga përfaqësues të Prefekturës Lezhë është bërë zgjedhja me votim të fshehtë e kryetarit të këtij këshilli z. Pjetër Pjetri. Po me votim u zgjodh edhe nënkryetarja e këtij këshilli, znj. Marie Nikolli.

Më pas është zhvilluar ceremonia e betimit të kryetarit të bashkisë për mandatin e rradhës, z. Ndrec Dedaj. Në fjalën e tij z. Dedaj ka theksuar se mandati i dytë do të jetë një mandat i sprovës dhe punëve të mëdha. Z. Sandër Lleshaj ka shprehur gatishmërinë e tij për mbështetje në procesin zhvillimor të Bashkisë Mirditë, për katër vitet e ardhshme.