Bashkia Mirditë nderon me “Stemën e Artë” Ipeshkvin Cristoforo Palmieri  

 

Pas meshës së fundit të tij në 24 vite dhe ardhjes së Ipeshkvit të ri të Dioqezës Rrëshen, i emëruar nga Papa Francesku këto ditë, Kryetari i Bashkisë Mirditë, z.Ndrec Dedaj nderoi  me “Stemën e Artë” të kësaj bashkie, ipeshkvin Monsinjor Cristoforo Palmieri, i cili mbaroi shërbimin e tij meshtarak, me motivacionin  “Për kontribut të vyer  përgjatë 25 viteve në Ringjalljen e Besimit në Mirditë dhe në gjithë dioqezën e Rrëshenit, si misionar  Vinçensian dhe si Ipeshkv në këtë dioqezë, me ungjillizimin e njerëzve dhe me ndërtimin e disa vendeve të kultit si dhe Katedralen Madhështore  në Rrëshen; për kontributin e vyer në veprat e ndryshme të promovimit njerëzor me aktivitet social dhe edukativ për të varfërit dhe për të rinjtë në veçanti, me në krye Themelimin e Shkollës së  Mesme Profesionale  “Shën  Jozefi  Punëtor”.

Kryebashkiaku u shpreh se Monsinjor Palmieri në veprimtarinë e tij meshtarake i ka provuar të gjitha shkallët e hierarkisë kishtare në këtë dioqezë, por jo duke i perceptuar  ato si poste apo gradë në ngjitje zyrtare, por si detyrë dhe obligim, më së pari  në një hirearki shpirtërore, duke e ngjizur fjalën e shenjtë të Zotit në zemrat e qindra e mijërave mirditorëve dhe më tej, ditë pas dite e vit pas viti.

Nën gjurmët e barinjvë të hershëm shpirtërorë mirditas, theksoi z.Dedaj, Monsinjor Palmieri, arriti t’i japë kredibilitet dhe përmasë shembulli unik Kishës së Mirditës si ndër më aktivet në të gjithë Kishat e vendit e njohur në përkushtimin e saj ndaj popullit të thjeshtë, madje me emër të mirë deri në Vatikan.

Duke kujtuar vitet e vështira të shërbimit në Mirditë, kryebashkiaku Dedaj, theksoi se “Me dorën e tyre humane, e gjithë kjo trupë misionarësh e mbledhur rreth Bariut shpirtëror, ka qenë gjithnjë e pranishme në mes besimtarëve dhe banorëve me atë punën e pazhurmshme  teksa  punojnë, luten, çojnë meshën, paralajmërojnë, shërojnë, mësojnë, madje kurrë nuk u larguan prej këtij vendi edhe në trazirat e mëdha të 97-s së mbrapshtë, mbase dhe kur mund të ndiheshin në rrezik për jetën dhe në një  izolim të papërfytyrueshëm shpirtëror, por gjithë durim, shërbyen të përkushtuar tërësisht e të thithur kryekreje nga detyra e tyre misionare në çdo situatë kritike”.

Falë punës humane të Kishës, janë vënë nën ndihmë e shërbim qindra familje të vobegëta, të sëmurë, pleq, të pamundur, persona me aftësi të kufizuar të ngujuar nëpër shtëpi në fshat apo qytet. Merita e tij ishte se na bëri të gjithëve të ishim më të ndjeshëm ndaj shtresave dhe njerëzve me pamundësi jetese, dhe të krijojmë situata më të mira bashkëpunimi.

Monsinjori ynë ia ka dalë të bëjë gjëra të thjeshta,- tha më tej zotit Dedaj- por të bëjë dhe vepra të mëdha, që nga fillesat e Ungjillizimit në vitin 1993 këtu në Mirditë, apo të qenit drejtues meshtarak, Administrator Apostolik i Dioqezës Rrëshen, si dhe prej 12 vitesh ipeshk i Dioqezës.  Nuk do të harrohen kurrë  impenjimet e tij, qoftë dhe vetiake, në ndërtimin e shumë vendeve të kultit në Dioqezën Rrëshen (Mirditë, Mat, Bulqizë, Dibër), me qendër Katedralen Rrëshen; Themelimi i Shkollës katekistike ndërdioqezane Rrëshen-Lezhë; Themelimi i Kopshtit “Të edukosh për jetën” për të varfërit dhe për grupet në nevojë të Mirditës; Hapja e Qendrës “Luigji Orione” në Rrëshen, në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar; Themelimi, hapja dhe administrimi i Shkollës së mesme Profesionale “Sh. Jozefi Punëtor” nga më të mirat sot në shkallë vendi, etj.

Kësisoj me   veprat e shumta solidare ai ndërtoi në dioqezë veprat e Dashurisë si Vepra të Paqes. Sepse, siç e përmendi Nunci Apostolik i Vatikanit në Shqipëri Karles Broun  në meshën e fundit të ipeshkvit  para tre ditëve në Katedrale: Jeta e Monsinjor Palmierit është një jetë e themeluar në dashurinë e Krishtit!

Monsinjor Palmieri  ka lënë një trashëgimi të pasur shërbimi në përvuejtshmëri edhe për pasuesin e tij, ipeshkvin e ri, imzot Gjergj Meta, i cili me moshën, me energjitë dhe intelektualitetin e spikatur, përmes  shërbimit baritor, kemi bindjen se do t’i çojë devocionet shërbyese përpara, siç dhe ai e ka theksuar : “Së bashku të vazhdojmë të çojmë e të kumtojmë gëzimin e Ungjillit në çdo familje të dioqezës, te çdo i ri e sidomos tek të varfërit dhe të mënjanuarit e kohës tone” duke cilësuar Kumtimin e Mbretërisë së Hyjit si detyrë parësore.

Pas marrjes së Stemës së Artë, i mbushur me emocione, duke u shprehur me mirënjohje për nderimin e bërë nga bashkia, Monsinjor Palmieri tha se shërbimin tim baritor e kam udhëhequr vazhdimisht me ndërgjegjen që duhej të veproja për të mirën e përbashkët. Dhe është kjo gjë që marr me vete me një copë krenarie, që mendoj, do të ma lejoni në këto momente të fundi ttë qëndrimit mes jush.

Ai e bekoi popullin e Mirditës, popullin e Shqipërisë si tokë e dashur nga Hyj dhe nga unë që jam ofruar “gratis” duke ju rekomanduar në të njëjtën kohë që të doni pasardhësin tim, Imzot Gjergj Metën, tek të cili ju besoj ju si bij të dashur. ” përfundoi ai.

Përshëndetje solli dhe ipeshkvi i Shkodrës, Monsinjor A. Massafra, i cili ka shërbyer në diqoezën e Rrëshenit për disa vite në filimet e vështira me monsinjor Palmierin.

Biografi e shkurtër e Ipeshkvit Mons. Cristoforo Palmieri

Mons. Cristoforo Palmieri lindi në Bitonto më 24 Maj 1939, i pesti mes tetë fëmijëve.

Biri i Pietro Palmieri, këpucar, dhe i Grazia, shtëpiake.

Në vitin 1960 hyri në Kongregatën e Misionarëve Vinçencianë. Përmbylli studimet e tij në Napoli, Chieri dhe në Torino dhe më 18 mars 1967 u shugurua prift meshtar.

Në gusht të 1993 me vullnetin e tij erdhi në Shqipëri – Rrëshen – dhe themeloi Misionin Vinçencian në këtë vend. Që nga ajo kohë përveç ungjillizimit Mons. Cristoforo Palmieri ka qenë një ndihmë e madhe shpirtërore dhe jetike për banorët e zonës e sidomos për të varfërit.

Familje të strehuara me shtëpi dinjitoze. Studentë të mbështetur ekonomikisht për vite me radhë në studimet e mesme dhe të larta. Të sëmurë të shumtë të ndjekur dhe të kuruar brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në vitin 1996, me themelimin e Dioqezës Rrëshen u emërua Vikar i Përgjithshëm.

Në vitin 2001 u emërua nga Selia e Shenjtë si Administrator Apostolik i Dioqezës Rrëshen.

Më 23 dhjetor 2005 u shugurua Ipeshkëv nga Papa Benedikti XVI, Ipeshkëv i Dioqezës Rrëshen ku vazhdon të ushtrojë këtë mision.

Ndër veprat e tij theksohen:

Ndërtimi i shumë vendeve të kultit në Dioqezën Rrëshen (Mirditë, Mat, Bulqizë, Dibër), me qendër Katedralen Rrëshen.

Themelimi i Shkollës katekistike ndërdioqezane Rrëshen-Lezhë.

Themelimi i Kopshtit “Të edukosh për jetën” për të varfrit dhe për grupet në nevojë të Mirditës.

Hapja e Qendrës “Luigi Orione” në Rrëshen, në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar.

Themelimi, hapja dhe administrimi i Shkollës së mesme Profesionale “Sh. Jozefi Punëtor”.

Titujt:  

Qytetar Nderi – Bashkia Rrëshen

Urdhri “Nënë Tereza” – Presidenti i Republikës

Nderi i Qarkut – Qarku Lezhë

Koncerti:

Artistë të Ansamblit Mirdita rezervuan për monsinjorin  një buqetë këngësh dhe vallesh si dhe pjesë lirike nga muzikantë të famshëm italjanë si Xh. Verdi, etj.

Një grup inteletkaulësh përshëndetën për bashkëpunimin Monsinjorin duke i dhuruar dhe një tufë me lule të njoma për 24 vitet e shërbimit meshtarak.

 

alves3874
alves3865
alves3950
alves3952
alves3969
alves3975
alves3976
alves3978
alves3981
alves3988
alves3986

Mbillen 100 pemë në zonën e Kroit të Bardhë

100 fidanë të llojit bredh janë mbjellë në zonën e Kroit të Bardhë, përmes një bashkëpunimi mes Girls Scouts Rrëshen, Bashkisë Mirditë dhe subjektit privat “Blaçi Energy”.

Vajzat e “Girl Scouts Rrëshen” organizuan gjithashtu një kamp në zonën e Kroit të Bardhë ku morën pjesë 25 vajza, 10 vullnetarë shqiptarë, dy prindër dhe një infermiere. Disa nga aktivitetet e organizuara ishin shëtitje në natyrë, gjetja e sendeve të ndryshme përreth, si dhe mbjellja e 100 pemëve, shoqëruar me një leksion rreth vullnetarizmit dhe ndihmës në komunitet.

Të pranishme në aktivitet ishin Drejtoresha e Korpusit të Paqes znj. Kate Backer, Koordinatorja për Çështjet Gjinore dhe të Rinjtë znj. Iva Sinani si dhe Menaxherja e Programit të Shëndetësisë. Ky kamp u drejtua nga liderja e trupes në Rrëshen, znj. Manjola Gega në bashkëpunim me vullnetaret e Korpusit të Paqes, që shërbejnë në Mirditë,  Alaina dhe Clancy.

Shpenzimet e transportit u mbuluan nga Bashkia Mirditë, përmes Fondacionit për Zhvillimin e Mirditës me donacionin dhënë nga kompania “MAK-08”, ndërsa blerja e fidanëve u sponsorizua nga subjekti “Blaçi Energy”.  Inspektorët pyjorë të Bashkisë Mirditë ishin gjithashtu bashkëpunëtorë në realizimin e këtij projekti.

1
2
4
5
6
7
8
10
11
12