Përurohet INFO-Kulla Mirdita

Është përuruar sot INFO-Kulla MIRDITA, një prej veprave më të spikatura turistike në vend, e vendosur ndanë Rrugës së Kombit në Rubik. Një bashkëpunim efikas mes Bashkisë Mirditë dhe Partneritetit Shqipëri Austri – Marianne Graf.

Në prani të Ministres së Arsimit, znj.Lindita Nikolla, Kryetarit të Bashkisë Pukë, z.Gjon Gjonaj, të drejtuesve të “Partneritetit Shqipëri Austri – Marianne Graf”, banorëve të shumtë të zonës, nxënësve e mësuesve, përfaqësuesve të shumtë të agjensive turistike nga metropoli apo zonat veriore, si dhe përfaqësuesve të bashkive të Verilindjes e më gjerë, u zhvillua  ceremonia e përurimit përmes një ambjenti festiv të krijuar në gjithë këtë oaz etnokulturor.

Pas himnit kombëtar austriak dhe atij shqiptar, përshëndeti kryetari i bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj, i cili ndër të tjera theksoi se, falë veprës bamirëse  “Partneriteti Shqipëri Austri – Marianne Graf”, Mirdita dhe më tej, mbarë turizmi shqiptar, fitojnë prej  sot  një institucion turizmi nga më të rrallët në këtë vend.

“Idetë inovative dhe humane të Marianne Graf, njohja e historisë, sidomos e Shqipërisë Veriore, të qenit shpirtërisht e lidhur me shqiptarët e mirditasit në veçanti, ashtu  sikundër disa prej humanistëve austriakë të fillimshekullit të kaluar, që kanë shkelur e jetuar në këto anë, kanë bërë që Info-Kulla Mirdita të na vijë si një qasje tërësisht e re dhe e denjë ndaj informacionit turistik  për Mirditën e më gjërë.” u shpreh z.Dedaj.

Më tej, ai tha se Info Kulla është një gërshetim i përkryer  në mes traditës në ndërtim dhe arkitekturës moderne, na fton në çdo meter katror të saj si në një ambjent muzeal, që gjallon dhe të fton për t’i vizituar mrekullitë e natyrës dhe konservimin trashëgimor të kulturës, historisë dhe traditës së Mirditës dhe të gjithë Verilindjes.

Bashkia Mirditë i ka afruar bashkëpunim këtij objekti që në skic-ide, ndaj kryebashkiaku Dedaj, theksoi se kjo vepër e rrallë turistike vjen pas një bashkëpunimi  rigoroz me bashkinë Mirditë, për t’i treguar çdo mirditori dhe çdo malësori e shqiptari, e sidomos të rinjve, se këtu në vendin e të parëve, duhet ta ndërtojnë jetën, të sotmen dhe të ardhmen, jo duke e braktisur atë.

Më tej ai u shpreh se bashkia që drejton do të vazhdojë me zbatimin konkret edhe të masterplanit kulturor dhe turistik në hartim e sipër, në kuadër të hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë, për të ndikuar më shumë në zhvillimin intensiv në gjithë territorin e bashkisë, punësimin e njerëzve, dhe shfrytëzimin e aseteve turistike që kemi.

“Nisur nga areali i pasur natyror që paraqet Mirdita, në strategjinë e zhvillimit strategjik të turizmit,  si bashki, po i kushtojmë rëndësi  zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit duke u bazuar në qëndrueshmërinë ekologjike  në përputhje me  biodiversitetin  dhe burimet  biologjike; qëndrueshmërinë sociale e kulturore si dhe forcimin e identitetit të komunitetit.

Këtij misioni i shërben dhe përmirësimi urban që po ngjet gjithandej në Mirditë. Të gjithë jemi dëshmitarë, tashmë, se prej kohësh kemi një situatë transformimesh rrënjësore sa i përket infrastrukturës dhe sektorëve prioritarë të zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor.

Si kurrë më parë përgjatë këtyre 27 viteve, me projekte serioze, po bëjmë shndërrime cilësore sa i përket urbanizimit të qyteteve, apo ndërhyrjes në akse rrugore rurale e gjetkë, institucionet shkollore dhe ato sociale, rezervuarë dhe sistemin vaditës e deri tek projektet e ideuara për fshatra urban në kuadër  të projektit të madh kombëtar të shpallur nga Qeveria.

Ne po punojmë për ta orientuar Mirditën dhe qytetarët e saj drejt sektorëve që japin mundësi të shpejta prodhimi e që mbështeten dhe në traditën vendase” – theksoi kryebashkiaku Dedaj – si vreshtaria, pemtaria, blegtoria me produkte bio dhe të shëndetshme si dhe të arrijmë të konkurojmë edhe në tregje më të mëdha, siç kemi markën e njohur të verës Arbëri.

“Jam i bindur se gërshetimi i informacionit të këtushëm, që do mund të jetë në përditësim të vazhdueshëm në koherencë me zhvillimet dhe Planet tona Strategjike, do mund ta kthejë Mirditën në një vend të lakmueshëm për vizitorët vendas dhe të huaj dhe do të sigurojë punë e mirëqenie për banorët tanë.

Është kjo arsyeja, që kësaj qendre informimi turistik,  që lidh Mirditën dhe gjithë  Rajonin e Verilindjes, tashmë si pasuri me vlerë e bashkisë Mirditë, pos të tjerash ne i kemi afruar një staf të përzgjedhur, për ta bërë bashkëpunimin institucional sa më të frytshëm, për t’i realizuar më së miri  gjithë pritshmëritë tona në drejtim të këtij projekti” – tha gjatë fjalës së tij kryebashkiaku Dedaj, duke falenderuar   humanisten Marinne Graf me bashkeshortin Wilhelm, organizatës bamirëse që drejtojnë sëbashku  me drejtorin ekzekutiv  zotin Skënder Thaçi, arkitektin dhe zbatuesin e këtij objekti.

Në fjalën e saj zonja Graf u ndal në arsyet që e çuan në realizimin e kësaj vepre shumë të dashur për të gjithë. “Qysh në fillimet e veprimarisë sime humanitare në krahinën malore veriore të Shqipërisë më kanë shoqëruar shqetesimet e banorëve të atyre zonave për gjetjen e burimeve, që mund të siguronin jetesën. Sa herë kaloja nëpër Mirditë dhe në rajonet përreth, ndieja dhimbjen që më shkaktonte në shpirt largimi i banorëve, sidomos i të rinjve. Ndaj pyesja veten si mund të jepja ndihmën time!

Ndaj me këtë projekt u munduam t’u japim përgjigje disa pyejeve:

-Cfarë do dëshironin vizitorët dhe turistët në një qendër informacioni?

-Si mund tu përgjigjemi interest të të gjitha moshave?

-Cila do të ishte qasja ndaj tematikës së zonës sa më të plotë?

-Si mund të organizoheshin informacionet sa më qartë?

-Si mund ta ideoja një ekspozitë bashkëkohore, interesante dhe me vlera edukative për vizitorët?

-Dizajni, gjuha që duhej zgjedh?

-Si mund të përcillej historia etj etj.

Janë dashur javë e muaj për t’u marrë me detaje deri milimetrike.

Qe përkushtim i madh i gjithë stafit për të arritur deri në këtë realizim, që besoj se do u shërbejë shumë kujtdo që do t’i qaset Mirditës dhe zonave të tjera të Verilindjes për t’i vizituar e shijuar mrekullitë trashëgimore, kulturore, historike, doket dhe zakonet e mrekullueshme. Është si një ftesë për të gjithë!”

Ajo falenderoi të gjithë ata që kanë ndihmuar në realizimin e saj, që nga arkitekti, zbatuesit, arreduesit dhe sidomos bashkinë Mirditë për ndihmën e dhënë që në projekt ide. Jam e lumtur se ky projekt do të menaxhohet me shumë kujdes e përkushtim nga bashkia, u shpreh ajo.

Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, znj.Lindita Nikolla, tha se është tejet e impresionuar nga kjo kullë informacioni e pazakontë deri më sot në Shqipëri. “Pos shërbimit modern informativ, që do u sjellë turistëve të ndryshëm nga vendi dhe bota, me rëndësi mbetet fakti se është një aset i çmuar  për shkollën tonë, për nxënësit, edukimin e tyre. Klasa të tëra dhe shkolla me rradhë do të vijnë në këtë vend për të mësuar histori, etnografi, etj etj përmes “gjuhës së thjeshtë” që përcillet në këtë qendër informacioni dhe ekspozimi të mrekullueshme.” tha znj.Nikolla.

Më pas Graf dhe kryebashkiaku Dedaj prenë shiritin e përurimit, për të kaluar në guidimin e brendshëm në gjithë hapësirën prej dy katësh të kësaj qendre informative.

Gjithcka aty është e sistemuar sipas një projekti të mirëmenduar arredues dhe tematik, që fillon me katin përdhese, hollin e informimit me sirtarë hartografikë, për te vazhduar me sallën e ekspozitës, që fillon me Mitologjinë; piktura të shumta nga artistë shqiptarë; bota bimore dhe shtazore; historia e zonës e vënë në 36 faqe librash përmes një zgjidhje të lehtë tejet funksionale dhe  estetike; më pastaj jeta e bujqve; Historia e pas luftës së dytë bortërore; instalacionin për ish burgun e Spacit; ndërsa në katin e dytë fillon me një kënd të hijshëm me ritualin e dasmës në Mirditë dhe në zona; veshjet nga e kaluara –zelli dhe zotësia e grave; mbresa nga Mati dhe Puka; vatra si zemra e cdo shtëpie; kultura kulinarike; nje ekspo me shqiptarë dhe shiptare të njohur me rrënjë shqiptare; albanologët e njohur; muzika karakteristike vendase; për të përmbyllur me sallen black-box, dhoma e errët.

Duke kaluar nëpër mjediset e kuruara me shume kujdes e finesë, ajo falenderoi gjithë ata studiues, etnografë, publicistë e specialist të trashëgimisë mirditore, dhe jo vetëm, që kanë ndihmuar ne ndihmen e pakursyer me informacion të bollshëm.

Dita e përurimit u mbyll me një koncert festiv nga artistët e vegjël të qendrës Kulturore Abat Prend Doci në Rubik, QKF Mirditë dhe artistët e Ansamblit Mirdita, pikërisht në amfiteatrin e ngritur enkas për jetën koncertale në mjediset e jashtë të Info Kulla Mirdita.

2
11
1
5
8
9
3
5
8
11
10
12
14
15
16
17
18
19
20