Bashkia dhe Dioqeza Rrëshen, aktivitete të përbashkëta social-kulturore

 

Kryetari i Bashkisë z. Ndrec Dedaj ka zhvilluar ditën e sotme një takim me Ipeshkvin e dioqezës Rrëshen, Mons. Gjergj Meta, në prani edhe të këshillit presbiteral të kishës.

Ipeshkvi i Dioqezës bëri me dije festën e programuar në mesin e muajit maj të këtij viti, ajo e Shën Llezhdrit, festë e cila tradicionalisht është festuar ndër shekuj në Mirditë në nderim të Pajtorit, Shën Aleksandër, emrin e të cilit ka mbajtur që së hershmi Abacia e Oroshit.

Kjo festë do të organizohet në Rrëshen nga data 9 maj deri në 13 maj, duke patur në përmbajtje të saj, përgjatë pothuaj një jave, një sërë veprimtarish të larmishme kulturore, artistike, sportive, meshtarake etj, për të gjallëruar jetën shpirtërore, kulturore dhe sociale të banorëve të Mirditës.

Në këtë takim është rënë në dakortësi për një sërë idesh të diskutuara, dhe që do të konkretizohen me një program të përbashkët përmes një komisioni të ngritur nga bashkia dhe dioqeza sëbashku.

Kryebashkiaku Dedaj u shpreh se ne e mbështesim si festë duke marrë të gjithë përgjegjësitë tona dhe duke vënë në dispozicion gjithë burimet njerëzore, teknike etj. Ndër të tjera, ai ka vlerësuar dhe përgëzuar për kontributet humane të kishës, motrave dhe murgeshave, sidomos ndaj njerëzve në nevojë, të sëmurëve dhe atyre me aftësi të kufizuara, kontribute këto në heshtje dhe të pabuja, por të përditshme

Më tej kryebashkiaku, u ka bërë me dije Ipeshkvit dhe të pranishmëve edhe kalendarin vjetor të Bashkisë Mirditë për veprimtaritë kulturore, ku është përfshirë Festa e Arbërit në muajin tetor të këtij viti, duke theksuar spikatjen identitare të Mirditës përmes kësaj Feste edhe sa i përket Festimeve në Vitin Jubilar të Gjergj Kastritotit, Skëndërbeut.

Ipeshkvi i Dioqezës, u shpreh se festat në botë janë evente sociale, ndaj dhe dy festa të tilla në dy gjashtëmujore, janë akselerim i vyer shpirtëror për komunitetin tone, që shërbejnë për gjallërimin e jetës kulturore dhe për më shumë solidaritet në mes njerëzve.

Detajet e tjera do të diskutohen në një komision të përbashkët ekspertësh kulturorë  për të dalë me një program të përbashkët, që do t’i  bëhet i ditur dhe publikut me shpallje të posaçme.

Më tej kryetari i bashkisë dhe ipeshkvi i dioqezës, ndanë në diskutime në mes tyre dhe disa problematika për të cilat ka nevojë për bashkëpunim në mes dy institucioneve të rëndësishme në Mirditë.

Në takim u diskutua edhe për ecurinë e shkollës profesionale, mundësisë për hapje të degës së hoteleri-turizmit dhe projekteve që po marrin rrugë, si dhe për vazhdimin e projektit për fëmijet me aftësi të kufizuara, krijimin e mjediseve çlodhëse nëpër zona, kujdesin ndaj banesave të fundit nëpër fshatra etj.

Ipeshkvi i ka dhuruar kryetarit të bashkisë Letrën e tij baritore për Kreshme si dhe dy volumet e profilit historik dhe hagjiografik “Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë”, me autor Ate Leonardo Di Pinto O.F.M.

shefi2
shefi3