Pastrojmë Mirditën që Duam!

Në kuadër të fushatës “Të pastrojmë Shqipërinë që duam” ditën e sotme në njësinë administrative Rrëshen, bashkia Mirditë nisi nisma për sensibilizimin e qytetarëve dhe pastrimin e një ndër zonave të identifikuara si më problematike për ndërhyrje.

Në këtë nismë morën pjesë 18 punonjës të shërbimeve publike pranë kësaj bashkie.

Nga puna e sotme u bë e mundur grumbullimi i 10 m3 mbetje urbane dhe inerte si dhe largimi i tyre me mjetet e vëna në dispozicion.

Në ditët në vijim do të vazhdojnë fushatat e ndërgjegjësimit të qytetarëve si dhe aksionet e pastrimit në të gjitha njësitë administrative të bashkisë Mirditë.

pastrimi mirdite (5)
pastrimi mirdite (4)
pastrimi mirdite (3)
pastrimi mirdite (2)
pastrimi mirdite (1)

Përkujtohet 100-vjetori i shkollës së Përlatit

Themelimi i shkollës së Përlatit para 100 viteve në Trojez të Përlatit në një banesë të thjeshtë  nga prelati dom Prend Loku, sot është përkujtuar me një ceremoni festive në mjediset e shkollës së mesme aktuale, në Përlat Qendër, me pjesëmarrjen e nxënësve dhe prindërve, ish-mësues e nxënës ndër vite si dhe drejtues të këtij institucioni të dijes me emër në Mirditë.

Kryetari i bashkisë, i pranishëm në këtë aktivitet z. Ndrec Dedaj, theksoi se kjo ditë është tepër emocionuese për të, duke sjellë në kujtesë sesi në një shtëpizë të thjeshtë, me plot mangësi e halle të kohës në Mirditën e para 100 viteve, u themelu kjo vatër dije që do i bënte fëmijët dhe banorët e kësaj zone më të ditur, pikërisht, asokohe kur mbizotëronte analfabetizmi gjithandej vendit dhe kryesisht në Mirditë.

“100 vitet e kësaj shkolle na tregojnë sesa të etur për dije kanë qenë të parët tanë, por njëherit na vënë në obligimin e madh për të vazhduar në traditën e pasur dhe për ta ridimensionuar shkollën në Mirditë në përgjigje të zhvillimeve të sotme europiane ku dhe vendi ynë po ecën  me hapa të shpejtë në integrimin tonë si popull dhe si komb. Por integrim pa dituri nuk mund të ketë”- theksoi kryebashkiaku  Dedaj. “Ndaj dhe bashkia që drejtoj, do ta ketë në qendër të vëmendjes sektorin e arsimit dhe gjithë institucionet e dijes në Mirditë, për ta rivitalizuar atë dhe për ta bërë sa më dinamik, efektiv dhe të dashur  për fëmijët dhe të rinjtë e Mirditës. Ashtu siç kemi vepruar me “shkollën e mesme Bardhok Biba” në Rrëshen, e cila tashmë është nga shkollat me infrastrukturën më moderne në Shqipëri, do të vazhdojmë dhe me shkollat e tjera për t’a kthyer Institucionin e Dijes në përparësi dhe krenari të Mirditës.” u shpreh Kryetari i Bashkisë. Më tej, kryebashkiaku Dedaj, tha se bashkia do të bëjë nderimet e duhura për disa prej figurave dhe personaliteteve më të shënjuara të kësaj shkolle ndër vite, ndaj dhe kërkoi të bëhen kërkesat përkatëse me gjithë përshkrimin e detajuar.

Organizimit të kësaj dite i ka paraprirë një punë intensive disamujore të stafit, që me dokumentimin arkivor të gjithë plejadave të mësimxënies dhe mësimdhënies ndër dekada, punë kjo e ekspozuar në Muzeun e 100 vjetorit të Shkollës, një doracaku me shënime, relike dhe foto të shumta si kontribut komunitar nga përlatas kudo ata jetojnë dhe punojnë në ditët e sotme.

Ndërkohë që stafi organizator, i drejtuar nga drejtuesi aktual i shkollës Valentin Bardhoku, ka rezervuar për të pranishmit e shumtë një ditë festive, ku u gërshetuan të gjithë elementët ceremonialë, festivë, rekuiem-e të kujtesës, dhe deri tek elementët e shumtë artistikë dhe sajdisjes me gatimet tradicionale të zonës nga vetë nxënësit dhe mësuesit e shkollës.

Drejtori i shkollës z. Bardhoku, në fjalën e tij të përshëndetjes, përcolli urime për gjithë plejadën e mësuesve që me krijimin e saj, ata që mrekullisht e bënë vatër të devotshme te dijes në këtë zonë tash 100 vite, si dhe familjet e djeshme dhe të sotshme që kanë besuar tek ne arsimimin e fëmijëve në këtë institucion. “E konsiderojmë të dobishme që të mbajmë gjallë kujtesën historike të shkollës sonë, me bindjen se mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë nëse nuk e heqim vëmendjen nga rrënjët e së shkuarës. Dhe e shkuara e shkollës sonë që në zanafillë lidhet me dy emra të nderuar, themeluesin e saj Dom Prend Loku dhe në vijim nga dom Mark Biba, të cilët ishin shpirti dhe forca lëvizëse në themelet e tërë historisë së mëpastajme të saj si institucion me traditë të pasur sa i përket dijes e më tej.” u shpreh z.Bardhoku.

I pranishëm në aktivitet ishte gjithashtu Ipeshkvi i dioqezës, imzot Gjergj Meta, i cili tha se ndihet i privilegjuar në këtë 100 vjetor si pasardhës i prelatëve të ditur, që pos mbjelljes së besimit katolik nëpër famulli e kisha, patën mision të lartë shpirtëror dhe hyjnor edhe shkollimin e fëmijëve. “Dom Prendi që hapi shkollën këtu para 100 viteve  apo priftërinj të tjerë që shërbyen me devocion, janë pikë referencat tona të forta për ta dashur Mirditën dhe mirditorët sa më të ditur. Ne kemi detyrim ndaj atyre që sakrifikuan, ndaj të parëve tanë dhe brezave që vijnë që ti bëjmë punët edhe më mirë, edhe më me dëshirë, edhe më më humanitet, duke afruar arsimim dinjitoz dhe të përparuar, duke u mundësuar të rinjve profesion; ne duhet të synojmë që Mirditën ta ripopullojmë dhe të ndalojmë braktisjen e saj duke kultivuar atdhedashuri tek të rinjtë tanë.” u shpreh Ipeshkvi. Ai tha se ëndërron që këtu t’a shohë ciklin e mbyllur të shkollimit, që nga kopshtet, klasa e parë e deri tek një fakultet pasi Mirdita e meriton këtë gjë për atë çfarë i ka dhënë historisë kombëtare.

Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i zyrës arsimore z. Gëzim Kaçorri evidentoi kontributet e mësuesve dhe drejtuesve ndër vite, duke theksuar se shkolla e Përlatit, edhe në ditët e sotme, është nga më shembulloret në Mirditë dhe gjithnjë jep përvoja pozitive dhe ndikuese në gjithë rrjetin shkollor që ai drejton.

Përshëndetje sollën dhe ish-nxënësi i kësaj shkolle Agim Picaku, Dod Pjetraj si pasardhës i Dom Prendit; studiuesi Nikollë Loka që u ndal në një referat të zgjeruar mbi historikun e kësaj shkolle dhe rrethanat në të cilat ajo u themelua; poeti Agim Doçi, Arjana Qatipi si mësuese dhe drejtuese për disa vite në këtë shkollë, si dhe ish-drejtues të tjerë të shkollës.

Nga ana e Ministres së Arsimit, Kulturës dhe Sportit, zj. Lindita Nikolla, u dhanë mirënjohje për drejtues dhe mësues të hershëm që nga themeluesi Dom Prend Loku e deri kontributorëve të spikatur në dekadat e tjera deri më sot.

Më pas fëmijët e klasës së parë të kësaj shkolle  performuan Festën e Abetares para të pranishmëve ndërsa grupi i shkollës me disa numra artistikë dhe dramatizime si dhe këngëtarë dhe valltarë të Ansamblit Mirdita me këngë dhe valle të hareshme për pjesëmarrësit e shumtë.

Dita festive e këtij 100 vjetori u mbyll me vizita në mjediset e shkollës, atë të muzeut historik të shkollës, foto-kujtime dhe një kokteil tradicional në oborrin e shkollës.

3
6
8
9
11
15 (1)
18 (1)
20
21
22 (1)
23
24