Bashkia Mirditë nderon me Stemën e Artë Dëshmorin e Kombit, Kolë Ndrecë Mirdita

Më 7 korrik 2018, bashkia Mirditë, përmes një aktiviteti përkujtimor, me rastin e 20 vjetorit të rënies në luftë për Çlirimin e Kosovës, nderoi me Stemën e Artë, dëshmorin e Kombit, Kolë Ndrecë Mirdita.

Morën pjesë qytetarë të shumtë nga Mirdita, Klina dhe rajone të tjera të Kosovës  si dhe të ardhur nga shtete të ndryshme ku shqiptarët emigrojnë prej dekadash.

Gjithashtu morën pjesë autoritete të larta shtetërore, përfaqësues të Kuvendit të Kosovës dhe atij  Shqiptar , ish Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, ministre e Arsimit Lindita Nikolla, deputetët Anton Çuni, boksieri i njohur, kampioni boteror Luan Krasniqi, ambasadori i Kosoves ne Shqiperi etj.

Aktiviteti i bashkërenduar me komunën Klinë, u përshëndet në hapje të tij nga kryetari i bashkisë Mirditë z. Ndrecë Dedaj. Ai tha se kjo ditë korriku do të mbetet e shënuar në memorien e Mirdites pasi po nderojmë njërin prej heronjve të luftës për liri e pavarësi të Kosoves,  Kolë Ndrecë Mirdita, po kujtojmë e vlerësojmë  sakrificën e tij sublime, i cili dha jetën për  çlirimin e gjysmës së kombit tonë, Kosovën.

Pse pikërisht ky nderim bëhet nga bashkia Mirditë? Mirdita dhe Kosova janë të lidhura fort që nga thellësitë e shekujve; kam parasysh faktin se ky truall,  ky popull,  ka marrë  e dhënë në mënyrën më unike me Kosovën dukë ndarë fate të përbashkëta, kryesisht me Rrafshin e Dukagjinit

Lugu i Drinit, ose Mirdita e vogël, siç  quhet ndryshe,  eshte shquar ndër luftëra për liri;  aty jan ngritur çeta me luftëtarët e lirisë, qe drejtoheshin nga Pjeter Çeli apo i famshmi  Zefi i Vogel, Zef  Gjidoda apo Pjetër Ramaja, që me bekimin e Dom Luigj Palajt, iu bashkuan çetave te Isa Boletinit, e ku ndër beteja historike është shënuar ajo me vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar në qendrën shpirtërore të shqiptarëve në Shkup.  Po në Lug te Drinit kemi qëndresën e luftëtarit të Shqipërise etnike Ndue Përlleshi.

Në këtë aradhë luftëtarësh të mëdhenj vjen edhe familja MIRDITA, me gjyshin e dëshmorit të kombit, që po nderojmë sot, familja e të cilit ishte vendosur nga Spaçi i Mirditës në Ranoc të Lugut të Drinit.

Ashtu siç kishin vepruar të parët e tij në përgjigje të thirrjes së Kombit për  Liri e Pavarësi edhe Kola, rroku armët dhe luftoi si trim  me uratët e nanës në gji derisa ra heroikisht para 20 viteve tek Rrasa e Zogut në kufirin shqiptaro – shqiptar, bashkë me shumë atdhetarë të tjerë.  Aty ai ka mbetur si Përmendore e Lirisë së Kombit mbarë.

Kryebashkiaku Dedaj,theksoimë tej se askush më shumë se Mirdita nuk i ka thur vargje  dhe kënduar Kosovës, udhës së saj të gjatë në luftërat e përgjakshme për Liri e Pavarësi, ndaj më lejoni ta mbyll me vargjet e poetit të madh mirditas, Gjokë Beci:

Jam Kosova e Shqiptarisë

100 vjet po i thërras lirisë

Por kërkush liri s’po më jep

Tym e flakë po më shkon kjo jetë

Boll durova, moj Europë

Kam Drenicën gropë mbi gropë

Unë jam bijë e tokës së lashtë

Qoftë mallkue kush sna don bashkë

Ndaj dhe sot ky nderim të na shërbejë për të qenë bashkë në udhën tonë drejt familjes së madhe europiane duke ruajtur identitetin tonë kombëtar, për të cilin luftuan e dhanë jetën qindra e mijëra shqiptarë këndej dhe m’atanë kufirit.

Nderim për jetë dëshmorëve të kombit!

Nderim dëshmorit tonë të dashur, Kolë Ndrecë Mirdita!

Profesor  Pal Canaj me kumtesën e tij në Akademinë Përkujtimore, tha se sot  dëshmori i Kosovës dhe i Kombit shqiptar, Kole Ndrecë Mirdita, na ka bashkuar ne të gjithëve, këtu në sheshin Abat Doçi në Rrëshen, pikërisht në Mirditën e tharmit të shqiptarisë. Këtu jemi se bashku klinas dhe mirditorë, të prire nga kryetari i Komunës se Klinës, z. Zenun  Elezaj dhe nga kryetari i Bashkisë së Mirditës, z. Ndrec Dedaj, për të bërë homazh në 20- vjetorin e rënies heroike të dëshmorit Kolë Ndrecë Mirdita.

Heronjtë që flijojnë jetën e tyre për liri, e njomin tokën e atdheut me gjakun e tyre, që t’i japin jetë lirisë së kombit dhe, Kole Ndrec Mirdita, e derdhi gjakun nga shtati i  tij i njomë, që shteti i Kosovës të ketë jetë dhe kombi shqiptar të ketë të ardhme në përbashkësi dhe kahe drejt civilizimit evropian. Ndërsa, shteti dhe kombi në përkujtimet e  këtyre figurave të kësaj natyre sikur kjo e sotmja, i përjetëson heronjtë  në piedestalin e lavdisë e të përjetësisë, ashtu siç po përjetësohet sot dëshmori Kole Ndrecë Mirdita, duke u nderuar me Stemën e Artë nga  Bashkia e Mirditës.

Dijetari  Shën Augustini pati thënë: ”Në luftën midis të mirës dhe të keqes, triumfi i takon të mirës.” Dhe, dëshmori Kolë Ndrecë Mirdita, me gjakun e tij ndihmoi në triumfin  e së mirës, në realizimin e lirisë dhe shtetësisë se Kosovës, ndërsa Mirdita, si gjithherë, edhe sot po i jep krahun të mirës dhe vlerave të përbashkëta kombëtare than ë permbyllje  të fjalës së tij prof. Pal Canaj.

Me kumtesën e tij të radhës  Mikel Gojani, foli gjerë e gjatë për biografinë dhe misionin e shenjtë të Kolës, duke thënë se jemi mbledhur në këtë atmosferë homazhi, por edhe krenarie që sonte po mbretëron në  këtë  shesh të këtij qyteti të bukur dhe historik të Rrëshenit, andaj nuk mund t’i fsheh emocionet e ligjshme, kur në kujtesë po e rilindim birin e origjinës së kësaj palce të vendit tonë të dashur, dëshmorin e kombit, Kolë Ndrecë Mirdita, i cili, pikërisht  para 20 vjetëve, në  kufirin shqiptaro-shqiptar, në vendin e quajtur Rrasa e Zogut ra heroikisht për lirinë e Kosovës.

Vetë motoja e këtij evenimenti homazhi përkujtimor, MIRDITA NDERON DËSHMORIN E KOMBIT KOLË NDRECË MIRDITËN, ngërthen një dimension tepër kuptimplotë, që kreshpëron çdonjërin prej nesh, që njeh të kaluarën dhe të tashmen historike të këtij populli të një gjaku, një gjuhe, një flamuri dhe të një fati. Këto lidhje dhe këtë gjakim i ka drejtuar gjaku i përbashkët  dhe kushtrimi i të parëve. Kanë qenë rrënjët e tyre të përbashkëta dhe që në të dy anët e kufirit ushqenin të njëjtën degë të  një trungu të nyjëzuar qysh nga thellësitë e shekujve deri me sot. Mirdita dhe mirditorët me këtë respekt që i bëjnë dëshmorit të kombit, Kolë Ndrecë  Mirdita, dëshmojnë  se ky truall, ky dhe i gjakosur me shekuj, i respekton dhe përkulet  me pietet para  gjakut të  cilit do biri shqiptar, që kanë bërë veprën më sublime, jetën e kanë flijuar për dheun e tyre.

Më tej prof. Mikel Gojani vazhdoi me biografinë e deshmorit Kolë Ndrecë Mirdita i cili u lind më 18 shtator të vitit 1976, nga babai Ndreca, bir i një patrioti të shquar, Kolë Mirdita, dhe nga nëna Grishë Mirdita, po ashtu  bijë e një nacionalisti të viteve të dyzeta, Pjetër Jaku,  i cili u vra më 1945  nga dora gjakatare serbe. Nënë Grisha nuk pati fatin që ta përjetojë këtë ngjarje madhështore për birin e saj, sepse pati fatin që pikërisht kohë më parë të shuhet nga jeta, për të ikur me zemër të thyer.

Për veprën e tij  sublime, flijimin për atdheun e tij, Kolë Mirdita nga institucionet  shtetërore është laureuar me mirënjohje dhe medalje të shumta. Nga të gjitha vlen  ta potencojmë kësaj radhe Medaljen e dhënë  me motivacionin: “Luftëtari i Lirisë – Adem Jashari”. Motivacioni: “Për trimërinë e treguar në Luftën Çlirimtare për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës”, nga ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Prof.  Dr. Fatmir Sejdiu ,  Prishtinë, më 11.7.2008, të cilin e kemi fatin që sot ta kemi këtu prezent.  Dhe Kolë Mirdita ra për lirinë e Kosovës. Ra për t’mos vdekur kurrë

Kryetari i komunës së Klinës prof. dr. Zenun Elezaj, në fjalën e tij tha se ndjehem sot i lumtur dhe krenar, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Klinës dhe të bashkëpatronazhit me Bashkinë e Mirditës, përkatësisht të kryetarit të kësaj Bashkie, zotit Ndrec Dedaj. “Kam udhëtuar nga Klina deri këtu në Rrëshen, qendrën administrative të Mirditës  historike dhe legjendare, me shumë bashkëqytetarë të mi për ta kujtuar dëshmorin e lirisë, Kolë Ndrecë Mirdita, tek rrënjët e origjinës së të parëve të tij, duke iu përkujtuar brezave që ky vend gjatë historisë, edhe dje, edhe sot, ka lind  burra të paepur për të mirën e kombit dhe popullit të tij.

Kam ardhur sot  këtu me ndjenjën e veçantë të respektit dhe të vlerësimit për personalitetin e  shquar të historisë së re të vendit dhe kombit tonë, Kolë Ndrecë Mirditën, si dhe për të çmuar përkushtimin dhe kontributin që ka dhanë familja Mirdita, për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve”, është shprehur kryetari Elezaj, i cili në vijim theksoi se dua të theksoj nga ky tubim nderimi në këtë ditë të përkujtimit dhe të ndarjes së mirënjohjes me moton “Mirdita nderon dëshmorin e kombit Kolë Mirdita”, se qëllimi i lartë i Kolës ishte t’i shihte  njerëzit të bashkuar dhe të dinjitetshëm,  sepse kjo ishte rruga e vetme që do të mund të sillte lirinë e vendit tone. “Puna për lirinë e Atdheut ishte moto që u shndërrua në parim të veprimit politik dhe kombëtar dhe që e frymëzoi  këtë dëshmor lirie dhe gjithë dëshmorët e tjerë  deri në çastin e fundit të jetës së tyre. Ne duhet të jemi krenar se bota ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e popullit tonë për të mos jetuar i robëruar  dhe i nëpërkëmbur.

Por, tani është koha për t’i  dhënë obligim të çdoditshëm vetes, e sidomos institucionet tona;  të punohet shumë që vendi ynë të jetë i zhvilluar dhe i përparuar dhe qytetarët të kenë mundësinë të bëjnë një jetë të mirë dhe denjitetshme dhe të gjejnë vend nën kulmin  e familjes të Europës dhe vendeve tjera të qytetëruara të botës.

Një kumtesë me kumte të detajuara mbi misionin patriot që një i ri si Kol Mirdita, i kishtë vënë vetes me tu ingranuar në strukturat e UCK-së, mbajti gjeneral Sandër Lleshi, këshilltar për sigurinë i Kryeministrit të Shqipërisë.

  1. Lleshi theksoi se tek dëshmori Kolë Mirdita bëhen bashkë dy elementë të veçantë, që e bëjnë krejt të natyrshëm nderimin e tij këtu, në këtë shesh me emrin e Abatit të madh të Mirditës:

Emri KOLË dhe mbiemri MIRDITA.  Edhe si Kolë edhe si Mirditë, ai është në vendin e vet këtu, këtu në zemër të Mirditës tonë të madhe.

Para 20 vjetësh, kur ishte 20 vjeçar, ai hoqi dorë nga jeta e tij e përditshme, të cilës nuk i mungonte komoditeti, por vetëm liria.  Ishte pikërisht kjo mungesë e madhe që e shtyu këtë djalë të ri drejt shtigjeve të një lufte shumë të pabarabartë.

Ishte thirrja e lirisë ajo që e udhëhoqi Kolën nëpër flakët e luftës, deri sa ai ra më 9 korrik 1998 tek Rrasa e Zogut, në kufirin e atëhershëm që ndante Shqipërinë nga Jugosllavia.

Sot, pas 20 vjetësh, ne mblidhemi në Mirditë, në një mbrëmje të bukur e të qetë, për të nderuar kujtimin e këtij djali të ri me rrënjë të vjetra Mirdite.

Dhe bëjmë mirë.

Ka shumë shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut, në Kroaci e nëpër botë që mbajnë nga një copë Mirdite përherë me vete si mbiemër, në pasaporta, në patenta, në dëftesat e shkollës, në adresat e shtëpive etj..

Mbiemrat e tyre Mirdita, Oroshi, Kaçinari, Spaçi Kushneni, Kçira, Gojani, Xhuxha, Selita, Blinishti, Mnela, etj.. e zmadhojnë shumë Mirditën, aq sa ajo nuk ngjan më vetëm si një krahinë e madhe, por si një koncept i madh.

Mbiemra të tillë të rrallë e të rëndë duken më shumë si tituj fisnikërie se sa si mbiemra të zakonshëm.  Kur u larguan prej këndej mirditasit morën me vete vetëm emrat e mëdhenj, për t’i mbajtur jo thjesht si emra por si tituj nëpër shekuj, duke e shpërndarë nderin e pafund të Mirditës tonë nëpër botën e madhe, dhe duke i shtuar asaj edhe nderin e tyre.

Këtë bëri Kolë Mirdita. Edhe ai i bëri vend emrit Mirditë në histori të reja, në këngë të reja, në lapidarë të rinj, në libra të rinj.

Ata që u larguan nga Mirdita morën me vete si mbiemër atë që do t’u mungonte, Mirditën, Oroshin, Kaçinarin, Spaçin Kushnenin, Kçirën, Gojanin, Xhuxhën, Selitën, Blinishtin, Mnelën, për të na lënë ne detyrën që të ruanim përjetë mbiemrat tanë po aq të bukur si Pjetri, Pali, Gjoni, Marku, Lleshi, Gjegji, Kola, etj..

Dhe ja tek jemi sot bashkë të njëjtë dhe me mbiemra të ndryshëm.

Duke nderuar Kolë Mirditën ne nderojmë sot të gjithë ata shqiptarë kudo në botë që Mirditën e mbajnë në emër, në mendje dhe në zemër. Shumë prej tyre kanë udhëtuar sot nga larg për të qenë bashkë me ne në këtë shesh. Të tjerë jam i bindur se do ta kërkojnë dhe gjejnë rrugën për në Mirditën e tyre.

 

Ndërsa nga familja e deshmorit, me një fjalë rasti u paraqit ish/ambasadori, prof. dr. Vilson Mirdita, vëlla i deshmorit, i cili që në fillim, i pershendeti të gjithë pranishmit e nismëtarët kryesor, kryetarin e bashkisë z.Dedaj, gjeneral Sander Lleshi, shoqatën Mirdita me drejtues Gjon Lleshaj, komunën Klinë si dhe gjithë ekipin organizator, të cilët me perkushtimin e tyre të përbashkët mundësuan që Kola të perkujtohet me këtë akademi të madhe perkujtimore këtu në Mirditë.

Prof. dr. Fatmir Sejdiu, ish Presidenti i Kosovës, me shumë emocion  pershkroi aktivitetin e Kolës dhe familjes së tij duke thënë se Kolën, edhe pse nuk e kemi në mesin tone, ai mbetet një fanar ndricues për ne të gjallët dhe gjeneratat që vijnë. Me sakrificën e tij dhe perkushtimin e tij prej një familje  të ndershme për të pasë Kosovëne lirë, andaj edhe si president në kohën e duhur  kam marrë vendimin që Kolë Mirditën ta dekoroja me  medaljen e lirisë dhe të luftetarit të të lirisë “ ADEM JASHARI”, andaj unë edhe nuk e kam pasë aq të veshtirë të e njoh ketë familje emblematike atdhetare e patriotike.

Gjatë këtij evenimenti kishte edhe evokime të ndryshme nga Nikë Frroku, bashkëluftetar i Kolës dhe më në fund me fjalime të tjera u paraqitën edhe ushtaraku amerikan z. Zedler tejet i emocionuar nga një organizim i tillë dhe vlerësim i lartë për një shqiptar patriot si Kolë Mirdita.

Kishte edhe shumë telegrame pershëndetëse pikërisht u veçua telegrami i  Shoqatës së Intelektualëve “Trojet e Arbrit”, etj.

Në fund ishte edhe skena artistike nga Ansambli Artistik” Mirdita” me këngë e valle shqiptare nga të ftuarit:  Ilir Shaqiri, Arif Vladi, Nikollë Nikprelaj, Gofile Paplekaj, e cila u paraqit me këngën e saj me të re për deshmorin Kolë Mirdita etj.

Ky aktivitet madheshtor për të gjithë të pranishmit ne sheshin me emrin e Prelatit dhe Rilindasit të madh “Imzot Abat Doçi” në Rrëshen u shoqerua me një kokteil  në fund të tij.

3
7
10
11
12
13
14
16
19
20
21
22
23
24
26
27