Përfaqësim dinjitoz në Panairin Kombëtar “Shqipëria punon tokën 2018”

659 fermerë nga e gjithë Shqipëria, 70 sipërmarrje ushqimore, 39 bashki si dhe shumë surpriza të tjera, sollën më të mirën e bujqësisë dhe ushqimit vendas në 23 400 m2 hapësirë ekspozuese në zemër të Tiranës, në sheshin Nënë Tereza nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryeministrit të vendit Edi Rama.

Në këtë edicion ( i dyti), mori pjesë me skuadrën e vet edhe Bashkia Mirditë, përmes AgroMirdita, fermerë dhe zejtarë.

Pas Panairit në Rrëshen, një sukses ky në “Festën e Arbërit 2018”, nën drejtimin e kryebashkiakut Ndrec Dedaj, bashkia Mirditë përfaqësohet në mënyrë dinjitoze dhe në panairin kombëtar në Tiranë, duke qenë një nga grupet e eksponateve më të vizituara nga publiku kryeqytetas.

Mirdita u përfaqësu me AgroMirditën, me administrator Preng Doda, fermeri dhe bletari Valentin Bushi; nga zejtaret e veshjeve të traditës Pashke Marku dhe Drane Fizi, zejtari i ciftelive Gëzim Përshqefa si dhe mjeshtri i punimit të drurit dhe stilizimit në ornamente Agustin Luli.

Qindra persona vizituan stendat e eksponateve të Mirditës, ndërkohë që jo pak vendas dhe të huaj, kërkuan të blejnë nga produktet e Mirditës, ku kryesisht zinin vend prodhimet e vjeshtës si vera apo rakia me prodhimin autokton, frutat e zonës; produkte të agropërpunimit nga Agro Mirdita, si dhe mjalti i disa llojeve, i cilësuar si ndër më të mirët në këtë panair ndaj pati kërkesa nga individë dhe lokale për të blerë nga ky produkt shumë interesant i Mirditës.

Gjithashtu vizitorët qenë të interesuar për këndin e traditës ku u njohën me zejet e ndryshme si dhe provuan instrumentet popullorë si dhe veshjet etj.

Televizioni Publik Shqiptar, dha live pamje nga eksponatet e Mirditës duke intervistuar pjesëtarë të skuadrës përfaqësuese të Mirditës në këtë panair të rëndësishëm.

43748296_594953467587476_8382773024935378944_n
43787972_1006572086217874_5432082397539598336_n
43788482_322608571625507_3386307676802646016_n
43788902_422937008235181_8530375649146175488_n
43828260_252036875668292_1622383798249324544_n
43828650_549264235527537_2111777665017970688_n
43879352_292042128070319_2849828461525073920_n
43951181_553600545054122_5478777707183472640_n
43951210_543879386425370_3843676287432392704_n
44054620_2012217945667268_7206670963356729344_n

TURIZMI, përurohet shtegu i parë, i markuar për ecjen në këmbë në Mirditë

  • 7 km hiking nëpër arealin turistik dhe trashëgimor të zonës së Rubikut –

Kryetari i bashkisë Ndrec Dedaj, përshëndeti këtë nismë të parë të këtij lloji, që vjen në përputhje të plotë me strategjinë e zhvillimit të qëndrueshëm të Bashkisë Mirditë. Ai tha se tashmë, nëse e kemi të pamundur të kthejmë krenarinë e industrisë së bakrit, kemi mundësinë tjetër të shfrytëzojmë potencialin e jashtëzakonshëm turistik që kemi

Bashkia Mirditë në bashkëpunim me   Albania Austria Partnerschaft – Marianne Graf përuruan sot shtegun e parë turistik, i markuar me sinjalistikën më të avancuar dhe me standarte të larta europiane shtegun e parë (destinacion) në zonën e Rubikut.
Më së pari, në mjediset e InfoKulla Mirdita, është organizuar një takim informues me agjensione turistike dhe sipërmarrje të ndryshme të fushës së turizmit, skuadrën e hiking Mirdita etj, ku përgjegjësi i këtij institucioni të turizmit në bashkinë Mirditë, Nik Nikolli, ka bërë një përshkrim në detaje të këtij shtegu, që nis me Marub-Piktogramet- Marianne Graf Point – Kalanë antike- Bulshizë-Kisha e Rubikut, për të përmbyllur rreth 7 km shtegtim me shkalle veshtiresie e lehte deri ne e moderuar, por tejet të pasur në anën panoramike dhe atë trashëgimore në histori dhe kulturë.

Kryetari i bashkisë Ndrec Dedaj, përshëndeti këtë nismë të parë të këtij lloji, që vjen në përputhje të plotë me strategjinë e zhvillimit të qëndrueshëm të Bashkisë Mirditë. Ai tha se tashmë, nëse e kemi të pamundur të kthejmë krenarinë e industrisë së bakrit, kemi mundësinë tjetër të shfrytëzojmë potencialin e jashtëzakonshëm turistik që kemi. Ndaj këtë po bëjmë. E për këtë na është gjendur mikja jonë humaniste Marianne Graf, e cila me projektin e mrekullueshëm të InfoKullës, po na mundëson dhe një qasje të re, praktike dhe konkrete rreth zhvillimit turistik në territor. Ai tha se bashkia ka fituar dhe projektin për avancimin e markimit të shtigjeve me rreth 400 km nga RDPA, ndaj po synojmë inspirimin e atyre banorëve në fshatra, të cilët posedojnë kulla që t’i kthejnë në bujtina turistike, çka do të thotë më shumë prodhim vendas, më shumë vende pune me vetsipërrmarrje.

Humanistja Graf, tha se ndihet me zemër në këtë projekt, jo thjeshtë si qëllim në vetvete për turizmin, por për t’i bërë të ndërgjegjshëm njerëzit e këtyre zonave me aq shumë probleme ekonomike dhe jetësore, që në këtë vend me mrekulli natyrore e historike, resurse turistike dhe prodhimi, mund të jetohet shumë mirë. Kemi për qëllim që të ndikojmë në komunitete për zhvillimin social të tyre, uljen e papunësisë dhe rritjen e nivelit të jetesës. Të gjithë bashkë mund ta bëjmë këtë gjë, ishte apeli i fortë i Zonjës Graf.

Më pas vetë kryebashkiaku Dedaj dhe zonja Graf, kanë prirë me ecjen e tyre në këmbë në përurimin e shtegut të parë “RUBIK 1”, për të ecur mbi 7 km nga EkoMarub – Piktogramet- Marianne Graf Point-Kalaja Antike- Bulshizë-Kisha e Rubikut.

Nëpër stacione të ndryshme zonja Graf  ka spjeguar punën që është bërë, vështirësitë që janë ndeshur por dhe tejkalimin e tyre përmes një skuadre të përpiktë ndërtuesish vendorë. Këtu janë përdorur metodat më të avancuara të markimit të shtigjeve, ndaj ky shteg është tepër i sigurtë për vizitorët vendas apo të huaj.

Kryebashkiaku Dedaj dhe zonja Graf, e kanë cilësuar këtë ecje dhe grupin e këtij shtegtimi si skuadra e parë e hiking Mirdita Club, i cili do të shtohet në të ardhmen me nxënës shkollash dhe të apasionuarit e ecjes në natyrë, ndërkohë që shtigje të tilla po bëhen joshëse dhe për ekipe ndërkombëtare shtegtuesish, kësisoj viti 2019 do të jetë dhe viti i ardhjes intensive të turistëve të huaj dhe të vendit në këtë zonë dhe në shtigje të tjera të markuara nëpër Mirditë.

Histori nëpër monumente

Piktogramet në strehën shkëmbore të Rubikut

Informacionin e parë shkencor për Piktogramet e Rubikut e kemi nga profesor Dh. Shuteriqi, i cili pasi bën përshkrimin e pikturës, të shoqëruar me dy foto dhe një skicë, arrin në përfundimin se kemi të bëjmë me dy simbole: kryqin, domethënë feja, dhe harkun domethënë lufta, të cilat flasin për luftën fetare që bëhej midis kishave të Perëndimit e të Lindjes (revista “Monumentet”, nr. 18, 1979 fq. 65-71).

Shtimi në mënyrë të ndjeshme i pikturave shkëmbore të zbuluara në Shqipëri e bëri të nevojshme rishikimin e pikturës shkëmbore të Rubikut të publikuar tre dekada  më parë, ndaj në pranverë të vitit 2007 u bë një dokumentacion i ri, vëzhgime të hollësishme, si edhe një sërë krahasimesh me pikturat e tjera të artit shkëmbor, të cilat  çuan në një interpretim, në një datim të ri.

Piktura e Rubikut gjendet 3,5 km në perëndim të qytetit të Rubikut, në periferi të fshatit Bulshizë e Epërme, në vendin e quajtur gryka e Xhudhenjve. Piktura është bërë në strehën e një shkëmbi me faqe të kthyera nga juglindja. Faqja e shkëmbit ku është pikturuar nuk është plotësisht e sheshtë, gjë që ka ndikuar në ndarjen e saj në dy pjesë. Në pjesën e majtë, me një sipërfaqe prej 4 m², janë vizatuar dy rrathë me dy diametra , një kryq me krahë të barabarta, ekstremet e të cilit mbarojnë me pika dhe një figurë qendrore e komplekse  që ka gjatësinë 33 cm dhe gjerësinë 27 cm. Në qendër ka një figurë antropomorfe, ku dallohet koka në formë pike, mbi të cilën qëndron një hark, kurse në dy anët e trupit janë vizatuar 12 ndarje të vogla me forma rrethore ose katrore jo të rregullta, që kanë pika në mes. Në pjesën e djathtë , në një sipërfaqe prej 2m², janë vizatuar tri figura pranë njëra-tjetrës. Në qendër është figura antropomorfe  me kokën në formën e një pike të madhe që mbulohet nga një vijë harkore, e cila bashkon dy rrathë të vegjël me pikë në mes. Krahët janë dhënë me një të vijë të gjatë e të trashë, që mbarojnë me dy harqe, të cilët gjithashtu në mes të ndarjeve kanë nga një pikë.

Në pjesën e poshtme figura ka dy ndarje pa pika në mes dhe përfundon me dy zgjatime të këmbëve dhe një zgjatim në mes. Figura tjetër ka formën e një rrethi me dy diametra në pjesën e sipërme të së cilit del një pikë e madhe me një vetullore sipër saj, e njëjtë me atë të figurës qendrore. Mbi figurën qendrore është vizatuar forma e një rrethi jo të rregullt, që ka tetë ndarje jo të barabarta, gjashtë prej të cilave kanë pikë në mes .

Figurat e pikturës së Rubikut janë bërë me vija të trasha 2-3 cm jo shumë uniforme, ku është përdorur bojë e bardhë. Më mirë jane ruajtur 3  figura, kurse figurat e tjera janë të dëmtuara e mund të plotësohen mbi bazën e gjurmëve që kanë mbetur në faqen e shkëmbit. Figurat antropomorfe të shoqëruara me pika, si dhe figura në formë rrethi me shumë të ndara e pikë në mes, e vënë në lidhje të drejtë pikturën e Rubikut me atë të Lepenicës, kurse rrathët dhe kryqi, si simbole të kultit të diellit, janë të njëjta me pikturën e Bovillës dhe me inçizimet e Reçit e të Xibrit.

Me këta tregues piktura e Rubikut është një krijim i epokës prehistorike.

Ka një tezë të avancuar nga dr Shpend Bengu, duke sjellë metodat bashkëkohore në ndërtimin e gramatikës së imazheve piktografikë të Artit Prehistorik. Koha e realizimit të piktogrameve dhe petroglifeve në Guvën e Rubikut mund të jetë në etapa të ndryshme, që i përket periudhës së kalimit nga Prehistoria në Histori, 3500 vjet p.e.r., e cila përkon me dy shpikjet më të mëdha në Historinë e Njerëzimit: shpikjen e Metalurgjisë dhe shpikjen e Shkrimit në fazën e tij pre-verbal, i cili i dha mundësine njeriut për të komunikuar me njerëzit e tjerë duke kaluar kufizimet e kohës dhe të hapësirës.

Kalaja Antike e Rubikut (e Matrizës)

Kalaja antike e Rubikut  ruan gryken e lumit te vogël që mban emrin Rubik dhe buron nga mali i Molungut apo te Zhupës së Lezhës, përshkon krahinën e Bulgërit, ish-bajrak, për tu derdhur në lumin Fan nën qytetin e Rubikut.

Muret e kështjellës rrethojnë një sipërfaqe të vogël në formën e një trekëndëshi të çrregullt. Ato ruhen mirë në disa trakte në anën lindore, ku lartësia deri në nivelin e shtegut të rojeve arrin në 4,25 m, muri është 1.05 m i gjërë dhe i vishet faqes së kodrës në gjithë gjatësinë e tij. Kështuqë nga brenda, mbi terrenin ngrihej vetëm parapet me bedenat. Muret e tjera ruhen në rrafshin e themelit dhe kanë një gjërësi prej 1, 20 m.

Nga ndërtimet e brendshme është ruajtur vetëm një sterë në pjesën më të lartë të shkëmbit. Ajo ka planimetri drejtkëndëshe me përmasa 3,6 x 2,4 m dhe  është ndërtuar në të njëjtën kohë me murin rrethues siç kuptohet nga teknika e ndërtimit dhe përbërja e llaçit. Muret e saj janë 0.90 m të gjëra. Stera ka qenë e mbuluar me një qemer cilindrik, gjurmët e të cilit tregojnë se janë përdorur gurë smërçi, një material i lehtë, që është përdorur gjërësisht për këtë qëllim në Mesjetë. Kështjella është më e vjetër se Manastiri, ajo mund të jetë ndërtuar që në shekullin XI.

Përmasat, pozicioni, teknika e ndërtimit dhe forma e çrregullt planimetrike, flasin për një kështjellë feudali. Ajo nuk përmendet në burimet historike mesjetare dhe po ashtu të kohëve të mëvona. Megjithatë mund të ketë patur një lidhje midis kështjellës, Katundit të Vjetër dhe Manastirit.

Manastiri përmendet për herë të parë në vitin 1166 me emrin “San Salvatori Arbanensis”. Ndoshta ai është ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit XV-të. Për të gjetur mbrojtje Manastiri u ndërtu me gjasë pranë kështjellës, me të cilën e lidh dhe një rrugë.

Toponimi Katundi i Vjetër të kujton vendbanimin më të hershëm në afërsi të kështjellës. Grindjet në mes sundimtarëve vendas dhe klerit kanë ndodhur më vonë, kur Peshkopata Katolike e Arbërit u vu nën varësinë e kryepeshkopatës së Tivarit. Mbetet ende pa përgjigje përse Andrea Vrana, zot i Arbërit, shkatërroi kishën e Manastirit në vitet 1265-66. Për këto kontradikta dëshmon edhe emri i kështjellës “Kalaja e Xhudhejve”. Ngaqë kështjella është më e vjetër se Manastiri mund të jetë ndërtuar qysh në shekullin e XI-të.

Lugina e Rubikut është e banuar që në Antikitet, çka e vërtetojnë gjetjet e shumta arkeologjike. Në vitin 2007 me interesimin e kishës Françeskane u kryen kërkime arkeologjike të udhëhequra nga arkeologu, Gëzim Hoxha, në gjysmën e sipërfaqes së Absidës në Kishën e Shëlbuemit. Kërkimet nxorën material të mjaftueshëm arkeologjik.
Materialet e gjetura në të dy sondazhet arkeologjike nën nivelin e themeleve të kishës, dëshmojnë për një periudhë shumë më të hershme se sa ndërtimi i saj (viti 1166 kur përmendet e dokumentuar për herë të parë).

Gjatë kërkimeve arkeologjike u zbulua qeramikë e periudhës helenistike (shek. II-I para Kr.), që sipas arkeologut, Hoxha, ishin të ngjashme me gjetjet e vendbanimit të Pllanës nga arkeologët austriakë Praschniker dhe Schober, që është identifikuar si Bassania e burimeve antike. Pati edhe gjetje të periudhës Romake (shek. I-III pas Kr.)

Në Rubik që në antikitet ka kaluar një rrugë e rëndësishme që lidhte Lissusin (Lezhën) me Therandën (Prizrenin) e deri në Naissus (Nish). Rruga të çonte prej Lissusi (Lezhë), me anën e Mirditës për në Drin, vazhdonte për në Prizren e Kosovë, e pastaj për në Nish e gjatë lumit Timok për Tunë. Një dëshmi se kjo rrugë rrihej edhe përpara se ta ndreqnin Romakët, janë monedhat e qyteteve të Dyrrahut dhe të Apollonisë që gjenden në Siebenburgen.
Në librin “Mbi ndërtimet”, Prokopi i Cezaresë ndër të tjera përmend edhe “castrum Matris”, si një ndër kalatë që ishte ndërtuar në fillim të shek.VI nga Justiniani I-re  në Epirin e Ri, për t’u mbrojtur nga dyndjet barbare. Historiani bizantin i shek. VI, Prokopi nga Cezarea, na bën të ditur se Justiniani ndërtoi ose rindërtoi 58 fortifikime në Epir të Ri dhe 36 në Epir të Vjetër, një pjesë e mirë e të cilave gjenden në vendin tonë.

Ndërtimet e shek. VI në shumicën e tyre dallohen nga një vendosje më e çrregullt e gurëve, cilësia më e lartë e llaçit me sasi të madhe gëlqereje dhe një preferim i “muraturës së derdhur” të përbërë prej faqeve anësore dhe bërthamës, teknikë kjo që rekomandohet edhe nga Prokopi. Muret e fortifikimeve ngrihen drejt mbi shkëmb ose mbi themele guri mbi terrenet e buta.

Në periudhën e Mesjetës zona e Rubikut rrethohej nga disa kala (fortifikata), të cilat kishin funksion mbrojtës dhe kontrollues. Rruga Lezhë – Prizren, ishte shumë e rëndësishme për veprimtarinë ekonomike dhe tregtare të Kastriotëve. Nëpërmjet rrugës Lezhë – Prizren, ka shkruar A. Dyselie, Gjon Kastrioti ka synuar të bënte tregti transballkanike. Për lidhjen e trevave bregdetare me trevat lindore, pas Rrugës Egnatia, rruga Lezhë-Prizren e më tutje ka qenë më e rëndësishmja në trojet e Arbënisë së Epërme e të Mesme. Rruga ka ndjekur rrjedhjen e lumit Fan dhe të Fanit të Vogël dhe nga Kumlla e Fanit ka dalë në Lumë për të arritur në Prizren. Kjo rrugë është emërtuar edhe si “rruga tregtare nëpër tokën e Gjon Kastriotit”. Zotërimi i rrugës Lezhë – Prizren ka qenë një faktor parësor për veprimtarinë ekonomike e politike të disa familjeve fisnike, si Kastriotët, Dukagjinët, Jonimët etj.

Kisha e Manastirit të Rubikut

Historianët, nëpër ravgimet e mesjetës, i kanë mbledhur me mundim, gjurmë-gjurmë, dëshmitë historike mbi vjetërsinë e Rubikut kishtar, fillimisht kuvendin benediktin të njohur me emrin “sankti Salvatoris Arbanensis”, i cili me këtë emër paraqitet për herë të parë në një dokument të datës 19 qershor 1166, shkruan studiuesi Ndue Dedaj në punimin e tij “Toka e Katedraleve”.

Që kuvendi ka qenë në fillim i Benediktinëve, studiuesit e lidhin dhe me përmendjen aty të inocentit Abat, emërtim ky që është karakteristik vetëm për benediktinët e jo për françeskanët apo për domenikanët.

Françeskanët e marrin më vonë në zotërim, aty ku sot është kuvendi dhe kisha e tyre (S. Salvatoris e Shelbuesit), mund të thuhet që nga shekulli XV, citohet F. Cordignano. Historiani i krishtërimit ndër shqiptarë, Zef Mirdita, citon pastaj Th. Ippen-in dhe M. Shuflay-n në përshkrimin e afreskëve të përmendura të kësaj kishe: “Kisha ka qenë pikturuar me freska dhe me citate nga Besëlidhjë e Re dhe me emrat e shenjtërve të pikturuar, ndër të cilët është dhe emri i Shën Astit, ipeshkvit dhe martirit të Durrësit, por ka dhe dëshmi të kulturës bizantine, gjegjësisht monedha me shkrim bizantin.”

Farlati nga ana e tij njofton se “S. Salvator de Rebico” është famulli e thjeshtë në shekullin XVII, çka është e kuptueshme me rrënimin që pësoi kisha katolike në Shqipëri gjatë dyndjeve islamizuese të Turqisë. Kuvendi i Rubikut u ripërtëri në vitin 1898, i njohur si Kuvend i Noviciatit.

Si kishë historike, Shëlbuemi i Rubikut, gjithnjë ka mbajtur në trup dhe absidë gjurmët e moshës së vet të hershme, mbishkrime në mure apo kumbonë, datime të ngjarjeve që lidheshin me të. Ai i tërheq vëmendjen vizitorit, K. Shteinmetz, te viti 1472, në absidën e kapeles së stolisur me afreske tepër të rëndësishme të kishës së Rubikut, një monument madhor i mesjetës shqiptare. Ka qenë gdhendur në një gurë të Rubikut gjithashtu dhe një mbishkrim i At Shtjefen Gjeçovit në fillim të shekullit XX, kur ai mblodhi doke dhe shkroi një vepër letrare. Rubiku vazhdonte të mblidhte figura të njohura të kishës dhe kulturës. At Gjergj Fishta do të ndërtonte Absidën e kishës dhe do të shkruante fragmente të tragjedisë së tij “Juda Makabe”. Shërbeu në Shelbuem të Rubikut gjer në fundin e tij tronditës dijetari i madh françeskan, etnologu dhe folkloristi At Bernardin Palaj. Po dhe piktori At Leon Kabashi deri në 1967, i cili me art kishte pikturuar kapelet e Shkodrës.

Nga Rubiku doli një nga poetët e parë të Rilindjes, prifti i kultivuar e trim, Imzot Prend Doçi, që u nis për udhë të gjatë nëpër botë, po bëri abacinë e Oroshit. Doçi është modeli i shqiptarit që e ngjiti qytetërimin në male. Në lartësitë e Malit të Shenjtë e gjeti Edit Durhami dhe i bëri një portret brilant më të fisëm se të lordëve të Anglisë. Nga kjo Luginë e Fanit doli dhe Pashko Vasa, bashkë me formulën e tij unikale të shqiptarisë “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”, për t’i rrëfyer botës të vërtetën mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, për të qenë diku larg dheut të tij dhe diplomat e guvernator. Por dhe shumë intelektualë të ditur të kohëve të reja, profesorë, inxhinierë, specialistë të fushave të ndryshme etj. Shëlbuemi zëmadh i Rubikut, prej nëntëqindvjetësh i dokumentuar, ishte tempulli i vëllezërve të vegjël të Shën Françeskut, që besohet të ketë shkelur në Lezhë (1221) për të mbjellë pishën që do të njihej me emrin e tij. Afresket, pikturat murale, do të mbanin gjurmët e një arti të madh mesjetar. Në kreshtën e naltë të shkrepit të bardhë, rrinte kalaja Antike, që në popull njihej si e gjodhive.

Kritikja bjelloruse Puzanova, themeluese e restaurimit të artit bizantin e post-bizantin në Shqipëri,vëren se afresket e Rubikut mund të interpretohen me çelës Komnen, gjithnjë sipas afreskut të bërë në vitin 1164 në kishën e famshme të Nënrezës së Shkupit.

Sipas një dokumenti historik, kapiteni arbër Andre Vranaj e shkrumboi Rubikun dhe kuvendin e tij në vitin 1267, sipas ketij dokumenti mësojmë se në atë kohë Rubiku ishte një nga qytezat mesjetare të Principatës së Arbrit.

Në studimin e tij mbi arkitekturen kishtare në Shqipëri të vitit 1901,austriaku Teodor Ipen, thekson se ne vitin 1272 u bë restaurimi i afreskeve të kishës së Rubikut.

Sipas Jeriçekut kisha e Rubikut përbën një grup me kishën e Vaut të Dejës dhe i ka fillesat që në kohën e perandorit Justinian në shek.VI, dhe mund të jetë e njëkohëshme me kishen e Shirgjit në breg të Bunës (Shkodër). Pas pushtimit të trojeve shqiptare nga osmanët, kuvendi i françeskanëve në Rubik ishte një ndër pesë kuvendet që i shpëtuan shkatërrimit, bashkë me kuvendin e Sebastes(Kurbin),Lezhës, Mamlit, Bishtit të Muzhës (Durres).

Historiani Farlati në një studim të tij thekson se: ”Sancti Salvator de Rebico” në shek.XVII është famulli e thjeshtë, ç’ka shpjegohet me rrënimin që pësoi kisha katolike në Shqipëri gjatë dyndjeve islamizuese të Turqisë në këtë periudhë të nxehtë.

Në vitin 1901 Gjergj Fishta në rolin e arkitektit në bashkëpunim me austriakët projektoi dhe realizoi fasadën kryesore të kishës, si dhe restaurimin e kuvendit të Rubikut.

Karl Steinmetz me 1905 shkruan se kuvendi i Rubiku i ngjiste një kështjelle. Një kompleks kishtar modern, me kishën, qelën famullitare, kolegjin,kumbanoren, rezidencën verore, si dhe jo pak mjedise të tjera të ndërtuara me nje arkitekturë të rrallë, me një paraqitje të brendëshme grafike artistike të absidës së kishës.

Objektet e këtij kompleksi janë restauruar herë pas here. Në këtë Kuvend shërbeu dhe at Fabian Barcata (prifti nga Tiroli i Austrisë,që në atë kohë shkroi dhe romanin e mirënjohur shqiptar “Lule dhe Ditari im shqiptar, at Leon Kabashi (që shërbeu deri në vitin 1967. Ishte at Leon Kabashi,që mbajti meshën e parë pas rënies së komunizmit në kishën e Rubikut,në janar të vitit 1991),etj.

Gjatë kryengritjeve për pavarësi, ”Kuvendi i Rubikut u bë çerdhe e atdhedashësve”, kështu shkruhej në revistën “Hylli i Dritës” në vitin 1937. Gjatë këtyre viteve u bënë disa kuvende krahinore dhe mbarëkrahinore, ku morën pjesë perkrah krerëve dhe udhëheqësve të Mirditës dhe shume figura të tjera të trevave të Veriut e më gjërë, nga ku u projektuan kryengritjet për liri e pavarësi.

Gjatë luftës Ballkanike në Manastirin e Rubikut u bënë dy kuvende të rëndësishme nën drejtimin e krereve lokalë, priftit të Rubikut dhe ipeshkvit të Lezhes. Gjate ketyre viteve të rëndësishme për kombin shqiptar, manastiri i Rubikut u kthye në qendër të kuvendeve mbarkrahinore në shërbim të çështjes kombëtare. Sot mund të vizitohet përmes Udhës së Kryqit që vjen pas daljes nga Rruga e Kombit, ku më së pari  vizitori ndeshet në rrënojat e qelës, furrës së hershme, kumbonës mbi shkrep, oborrit ku është dhe një simbol multifetar, nga ku kundrohet Lugina e famshme e Rubikut.

(Pergatiti: gj.marku)

43363903_317848738765747_6573068411369160704_n
43375234_2068338143458064_1681397117047799808_n
43381104_537533426717011_547391142333775872_n
43383012_2473932882616933_4388104194389704704_n
43385911_172978250274595_2047786032446832640_n
43391936_1389765457823946_6259831674763214848_n
43392926_913544318851751_7720454089678520320_n
43395151_2240468589525026_5477797445322670080_n
43422561_173071930262730_3918710122007756800_n
43465051_2159638827637057_2686176193069187072_n
43471354_1074363056066307_7463855228538847232_n
43476140_2112373789027227_8363859058410651648_n
43490655_2285458941496216_5922226285857210368_n
43496492_1976911038998289_2794014257706958848_n
43498476_479752472522854_7211429645386776576_n
43604329_2098775583480447_7068279265879392256_n

 

Festa e Arbërit, përmbyllje përmes një show special në shesh

Kryetari i bashkisë z. Ndrec Dedaj, në ditën e fundit të aktiviteteve të “Festës së Arbërit 2018”, ka ndarë Mirënjohjet e Bashkisë Mirditë për disa pjesëmarrës në shoqëri të ndryshme tek “Panair Arberi 2018”. Në fillim kryetari Dedaj ka  përgëzuar të pranishmit për këtë veprimtari shumdimensionale, duke theksuar se ajo do shërbeje si gurthemeli për edicionet e tjera.

Kështu janë vlerësuar me mirënjohje: AgroMirdita; projekti Animimi i Zhvillimit rural të komuniteteve lokale në bashkinë Mirditë; Fehmi Hoxha si drejtues i kolonisë së artit, ekipi pjesëmarrës në panair nga shkollës së mesme Profesionale “Shën Jozefi Punëtor”, drejtuesi i Farmavet Lezhë, Preng Pepa. Më pas veprimtaria vazhdoi me pjesë orkestrale të orkestrës frymore si dhe valle të shumta në shesh.

Kësisoj kanë përmbyllur veprimtaritë e Javës së “Festës së Arbërit 2018”, një festë rishtare e organizuar nga bashkia Mirditë. Pas një sërë veprimtarish kulturore, historike, artistike, promocionuese te prodhimit vendas etj, dita e përmbylljes së veprimtarive është perceptuar si një show në sheshin kryesor të qytetit.

Pjesë e kësaj veprimtaria ishin dhe instrumentistët dhe orkestra frymore e shkollës “Besëlidhja” në Lezhë, dy grupet e valleve të Ansamblit Mirdita, një pjesë e ekipit të Albania Alpine Adventure, piktorë, pjesëmarrës në panair etj.

Kjo është dhe ndër festat zonale më të organizuara në këtë bashki dhe synon promovimin e produktit vendas në të gjitha fushat, natyrisht duke qenë një pikënisje e fortë e bashkisë për vitet e tjera, e cila e identifikoj atë si festë përbashkuese të mirditorëve kudo ata janë.

1
3
4
2
43405785_291796251640079_525985441942339584_n
43487313_329222244494350_1644198559915966464_n
43422641_2036550273064358_4245215893786722304_n
43419286_2129488510637060_5816562007247159296_n
43390526_271587076804770_7409540299019517952_n
43378248_528728704243589_4879519212638306304_n
43308889_2174679289522046_3678160557220823040_n
43303759_243094039714454_4429279513280512000_n
43296398_732540770422120_4351112938149380096_n
43292342_282513165728653_6846753429801402368_n
43289695_315909758963973_410771849010479104_n
43289644_250658692314982_2388980257370669056_n
43392394_524196888043649_9121812140661932032_n
43354640_2270086639887401_6732136025574866944_n
43323024_496799847504331_8591055492564910080_n
43308903_1996933440605574_1114582831226421248_n