Bashkia nderon Prijësin e Mirditës Preng Bib Doda në 100 vjetor

 

 I vihet emri rrugës kryesore hyrëse për në qytetin e Rrëshenit –

Prijësi i Mirditës, Preng Bib Doda, i cili u vra pabesisht para plot një shekulli, është nderuar nga Bashkia Mirditë përmes një aktiviteti multidimensional nën kujdesin e drejtpëdrejtë të kryetarit Ndrec Dedaj. Në qendër të këtij nderimi ka qenë vendosja e emrit të rrugës hyrëse, e cila prej një viti ka një fizionomi tërësisht bashkëkohore në çdo parametër, e që prej kësaj dite, do të ketë emrin e Prijësit Preng Bib Doda.

Veprimtaritë e kësaj dite nisën me një koncert të bandës frymore tek rrethrrotullimi hyrës në qytet, ku është vendosur dhe njëra ndër pllakat me emrin “Rruga Preng Bib Doda”, ndërsa dy pllaka të tjera janë vendosur në fillim të kësaj rruge si dhe në pikëprerjen me rrugën “At Gjergj Fishta” në qytet.

Drejtues të Bashkisë e të Këshillit Bashkiak, familjarë dhe pasardhës të Derës kapidanore  si dhe qytetarë të shumtë fillimisht kanë nderuar hymnin e Flamurit Kombëtar, ku është zbuluar dhe pllaka me emrin e Princit Preng Bib Doda nga kryebashkiaku Dedaj dhe të afërm të Familjes.

Më pas veprimtaria ka vazhduar në sallën e koncerteve të pallatit të kulturës, ku fillimisht të pranishmit dhe qytetarët kanë shijuar një minikoncert nga banda frymore në sheshin Abat Prend Doci.

Veprimtaria është perceptuar në formën e një Akademia Përkujtimore ku është folur për figurën dhe veprimtarinë e Prijësit Preng Bib Doda deri në fund të jetës së tij.

Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i bashkisë z. Ndrec Dedaj theksoi  se “sot Bashkia Mirditë hyrjes së qytetit Rrëshen, një rrugë e rindërtuar plotësisht nga e para, e pagëzoi me emrin e prijësit të Mirditës Preng Bib Doda, një nga figurat qëndrore të historisë së Shqipërisë, në luftë për liri dhe pavarësi të Shqipërisë. Një nga burrat më të zot, i konsideruar nga studiuesit dhe historianët si fenomeni Preng Bib Doda. Fatkeqësisht, deri më sot, ky burrështetas por edhe të tjerë, nuk e kanë marrë dimensionin e duhur kombëtar. Ka ardhur momenti që t’ia japim dimensionin e duhur lokal edhe kombëtar këtij prijësi të madh të Mirditës, i njohur brenda dhe jashtë kufinjve të Shqipërisë. Është një dimension të cilin nuk ja dhurojmë, por e ka fituar me luftë, me sakrifica, me kulturën, me dijet, me diplomacine dhe me forcën e një ushtaraku të zot.

Ai e ruajti Mirditën të pastër, falë gërshetimit të forcës me diplomacinë, duke e ruajtuar këtë oaz të Mirditës të paprekur në besimin e tij në Zot dhe në Krisht. Pra është zotësia e këtyre burrave të mëdhenj, e Bib Dodës para Tij, princ i njohur dhe ushtarak brenda dhe jashtë Shqipërisë, por që Preng Bib Doda nuk qëndroi në hijen e të atit të vet, përkundrazi, e çoi më lart emrin e Bib Dodës duke luftuar dhe duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Dy herë zevendës kryeministër i Shqipërisë, dy herë minister dhe pretendent për fronin mbretëror.

Më tej kryebashkiaku Dedaj u shpreh se Bashkia Mirditë në një kohë të shkurtër do të marrë iniciativa të ndërtojë në sheshin e bukur “Abat Doçi” shtatoren e Preng Bib Dodës dhe të Abat Doçit, si bashkohës që kanë gërshetuar me njëri tjetrin; njëri diplomacinë e tjetri udhëheqjen luftarake.

Por Bashkia Mirditë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, premtim dhe i Kryeministrit, pasi Oroshin e kemi futur në programin e 100 fshatrave për shkak të historisë, normalisht duke bashkëpunuar dhe gjetur konsensin e familjarëve, t’i kthejmë sarajet e Kapidanit si dikur, një kullë pritëse të Mirditës bashkë me konviktin, bashkë me Abacinë duke bashkëpunuar ngushtësisht me Dioqezën, me qëllim që kjo familje e Princave të Mirditës me Preng e Bib Dodën e të tjerë pasardhës të marrin dimensionin e duhur lokal e kombëtar, që Oroshi dhe Mirdita të vizitohen e të shikojmë gjera konkrete, që për fat të keq sot nuk ekzistojnë nga shkatërrimet e sitemit të kaluar. Pra kemi gjithë vullnetin e duhur që këtyre figurave t’u japim dimensionin e duhur, ka përfunduar kryebashkiaku Dedaj

Më pas ka përshëndetur Ipeshkëvi i Dioqezës Gjegj Meta, i cili ndër të tjera tha: Ka një popull në ketë Ballkanin tonë e Europën tonë që ka ruajtur identitetin e vet kombëtar mes peripecive më të mëdha që mund të ketë kaluar. Dhe ky është populli shqiptar. Dhe në këtë popullin shqiptar ka një komunitet që ka ruajtur të paprekur jo vetëm identitetin nacional, por ruajti dhe fenë e vet, e  këta janë katolikët shqiptarë. Por ndërmjet këtyrë katolikëve shqiptarë ka një bërthamë njërëzish, që jo vetëm ruajtën identitetin kombëtar, jo vetëm ruajtën të paprekur besimin, por u qeveris me ligjet e veta.

Duke u shtyrë në historinë e lidhjeve Abaci-Kapidanat, ipeshki thkesoi se kjo lidhje ndërmet Abatit dhe Kapedanit, sidomos në kohën e Abat Doçit ka qenë shumë e fortë edhe pse në raste nuk ka qenë një bashkëjetesë fort e lumtur ndërmejt tyre. Por koha e Abat Docit dhe Preng Bib Dodës ka qënë mjaft e mirë.

Ndaj dhe ne sot bashkë me kryetarin e Bashkisë, bashkë me të gjithë faktoret e duhur, jam i sigurtë se do ti kthejmë diçka të bukur Oroshit. Ne e kemi nisur tashmë bashkëpunimin, një bashkëpunim që do t’i sjelli Oroshit diçka të bukur qoftë Abacinë me gjithe kompleksitetin e saj, e shpresojmë edhe Sarajet e Kapidanit. Por të mos jetë një vend që të kujtohen të vdekurit, por një vend ku të shkojnë të gjallët, për të rifreskuar historinë dhe për të marrë frymezim për të ardhmen e Mirditës dhe të Shqipërisë, ka përfunduar Ipeshkevi Meta.

Në emër të familjes ka përshendetur Artan Lleshi (Gjomarku) i cili ndër të tjera tha se “Jam sot para Jush jo vetëm në emrin tim personal por edhe në emër të gjithë pasardhësve të Kapedanit të Mirditës, Gjon Marka Gjoni, të cilët ju përcjellin përgëzimet më njerëzore për vlerat dhe traditat që po ruan Mirdita. Dera e Kapedanit të Mirditës si sot 100 vjet më parë përcolli në parajsë prijësin dhe fisnikun e saj Preng Bib Doda. Por një patrioti mund ti hiqet jeta, por jo lavdia. Si sot 100 vjetë më pare, as dera e Kapidanit të Mirditës nuk e dinte se Mirdita vetëm pas një shekulli do ta përjetësonte prijësin e saj. Por qoftë kjo rrugë, rruga e bekuar së cilës ardhshim miq e kohë të begata për Mirditën dhe 12 bajrakët e saj të lavdishëm. Rruga “Preng Bib Doda” sjelltë në zemrat e Mirditës përgjithmonë Pashkë e Këshendella të lumtura, ka përfunaduar Aratn Gjomarku.

Ndërkohë historianët Gjet Ndoj dhe Nikoll Loka janë ndjekur me mjaft vemendje nga të pranishmit për faktet historike që përcollën, faktë të cilat e ngrejnë më në piedestal këtë figure të papërsëritshme të Mirditës, krenari mbarëkombëtare.

Më tej ka përshëndetur Filip Gjomarku i cili ka falenderuar të gjithë vendimmarrjen për këtë emër që i jepet rrugës hyrëse në qytetit. Ndërkohë Dom Nik Ukgjini ka folur mbi perceptimin e kapidanatit në Kosovë sidomos kur vendi ishte i ndarë.

Aktiviteti është mbyllur me një koncert festiv me pjesë folklorike nga Ansambli Mirdita dhe muzikë klasike nga grupe të ftuara, për t’u përmbyllur me një kokteil.