Ansambli Mirdita ishte i ftuar në veprimtarinë “Etnofolk Tirana 2016”, organizuar nga bashkia Tiranë (APR), falë një bashkëpunimi kulturor në mes dy bashkive. Në këtë veprimtari risi për etnofolkun, për katër ditë rrjesht morën pjesë grupe dhe ansamble folklorike nga shumë zona të vendit dhe hapësira mbarëshqiptare, duke shpalosur folkun burimor të krahinave në Amfiteatrin Natyror tek Kodrat e Liqenit. Ndërkaq Ansamblit Mirdita i ishte rezervuar pjesëmarrja në “Gran Gala”, një natë e paharrueshme për publikun e shumtë që ndoqi nga afër repertorin e përzgjedhur me kujdes.

Publiku mbeti i surprizuar që me hyrjen në skenë të mbi 40 artistëve të ansamblit Mirdita përmes një sekuence “thirrmash” me instrumente te traditës huazuar që nga viti 1978 ne Gjirokastër, kur ky ansambël mori Flamurin e Festivalit.

Më pastaj në skenën natyrore u derdhën meloditë e bukura burimore nga formacioni orkestral i rinovuar edhe me elementë të kultivuar, si dhe këngët e percjella nga këngëtarët, grupi i burrave, vallet e krahinës dhe kënga etnofolk e një grupi këngëtarësh të këtij Ansambli, deri në mbyllje ku grupi u shkri me publikun e shumtë që e ndiqte nga shkallët e Amfieatrit.

Organizatorët ndanë dhe çertifikatë mirënjohje dhe kupën-simbolikë të këtij aktiviteti, duke theksuar faktin se vitin e ardhshëm në një mjedis të tillë të rikonstruktuar në parametra moderne do të ketë konkurim të mirëfilltë mes grupeve në gjithë hapësirën shqiptare.

Duke marrë kupën si simbolikë e “Etnofolk Tirana 2016”, kryetari i bashkisë Ndrec Dedaj, përshëndeti organizatorët duke thënë se dhe vetë ai është produkt administrimi i kësaj bashkie kur drejtonte Edi Rama, dhe që atëhere kishte një lidhje të fortë shpirtërore me Ansamblin e vendlindjes, ndërsa ndihet i privilegjuar për këtë bashkëpunim kulturor të shkëlqyer. Ai premtoi mbështetje për ansamblin dhe artistët, duke theksuar se do bëjmë gjithcka për rivitalizimin e tij për ta mbajtur si emblemë etnokulturore të Mirditës kudo që të vemi brenda apo jashtë shtetit.

Organizatorët e këtij aktiviteti të bukur, u shprehën me konsiderata të larta për Ansamblin Mirdita, duke theksuar se ky grup zbukuroi në maksimum Natën Gala të Etnofolk Tirana 2016, dhe duke ripërsëritur ftesën për vitin tjetër në edicionin e dytë.

[su_slider source=”media: 4119,4118,4117,4116″ link=”custom” title=”no” pages=”no”]