Me dëgjesën në njësinë administrative të Rrëshenit, Bashkia Mirditë mbylli dhe tour-in e dëgjesave publike me banorët e zonave të ndryshme për problematikat që lidhen me Rindërtimin nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Në dëgjesën e organizuar me qytetarë të Rrëshenit dhe banorët e fshatrave të kësaj njësie administrative, pos komisionit të bashkisë, që e ka ndjek proçesin që në fillim përmes azhornimeve në terren e deri tek aplikimet, mori pjesë dhe kryetari i bashkisë z. Ndrec Dedaj si dhe drejtues të tjerë nga administrata e bashkisë.

Kryetari i bashkisë z.Dedaj, duke bërë një rezyme të këtij proçesi, solli në vëmendje të pjesëmarrësve se ndonëse Mirdita, krahasuar me qytete të tjera që ishin më afër epiqendrës së tërmetit si Durrësi, Tirana apo Kurbini e zona të tjera, nuk pati atë lloj shkalle dëmtimi të rëndë, por duhet thënë se ajo u godit nga kjo fatkeqësi natyrore në familje mirditore që kanë lëvizur prej këndej e ku fatkeqësia ishte e përmasave tragjike deri me shuarjen e dy familjeve; si në Durrrës dhe humbjen e shumë jetëve të një familje tjetër në Thumanë.

Ndërkaq, theksoi ai, pati dëmtime serioze të banesave në disa prej fshatrave por dhe qytete e qendra të banuara, por për fat pa humbje jetësh njerëzore. Duke u ndalur tek statistikat, kryebashkiaku Dedaj tha se në bashkinë Mirditë janë 419 aplikime në total, kemi dy pallate me 32 hyrje gjithësej që do të prishen dhe rreth 70 shtëpi në gjithë Mirditën. Në njësinë administrative Rrëshen janë 203 aplikime në total ku në pjesën më të madhe janë bërë aktet e konstatimit, janë dhe 63 aplikime të reja, që nuk kanë pas akt konstatimi, por që të interesuarit kanë ardhur e bërë aplikime pas thirrjes që është bërë edhe në media por dhe nga stafi i bashkisë, që ka shkuar pallat në pallat e po ashtu kryepleqtë që kanë bërë punën e tyre. Na rezulton se tashmë në bashkinë Mirditë nuk ka më persona që duan të aplikojnë.

Më tej ai ka sqaruar se duhen bërë 400 e ca preventiva, por janë dhe shumë e shumë të tjera, ndaj kemi bërë kërkesë për pagesë standarte sipas klasifikimit. Kemi përgatit një formular deklarim për ata që do u prishen shtëpitë në fshatra. Për Rrëshenin, po shohim për dy pallate apo një syresh, që mund të bëjmë përmbledhtazi me hyrje për numërin e familjeve që kemi të dëmtuar, tashmë të njohura këtu në qendër. Gjithashtu ai ka ftuar banorët e pranishëm e të tjerë, që i kanë banesat në shkallën e përcaktuar për t’u shembur e ndërtuar të reja,  të shprehen se ku do donin t’i ndërtonin shtëpitë në fshat apo qytet. Ndaj është mundësia për lagje të re urbane.

Më tej kryebashkiaku  Dedaj u shpreh se ky rast ka shkund gjithë sistemin, madje edhe si qasje ligjbërëse apo ligjzbatuese. Tani, të gjithë ne, nuk mendojmë më si përpara, jemi shumë më të përgjegjshëm si administratë për atë që bëjmë, për atë që marrim vendim. Ka pas një të keqe të madhe nga ky tërmet, por ka dhe një të mirë të madhe sepse të gjithë kemi ndryshuar nga ky rast në mendimin dhe veprimtarinë tonë.

Më pas banorë të ndryshëm shprehen falenderimet e tyre për punën e bërë deri më tash nga Komisioni dhe stafi i bashkisë, por sollën dhe shqetësimet e tyre me problemet konkrete, për të cilat kryetari i bashkisë duke u kërkuar sqarime në detaje specialistëve dhe administratës në përgjithësi, siguroi se do vihet në lëvizje stafi dhe komisioni i konsatimit dhe vlerësimit, duke shënuar çdo rast një pas një. Në fund ai theksoi se kemi ngrit dhe Komisionin e Apelimit ku mund të adresohen të gjitha ankesat e banorëve të Mirditës që kanë pas probleme me tërmetin e rënë  në nëntorin e vitit të kaluar.