Bashkia Mirditë dhe Zyra Arsimore organizuan sot një manifestim të madh artistik dhe sportiv në sheshin “Abat Prend Doçi” në Rrëshen me rastin e festave të 28 dhe 29 Nëntorit.
Si rrallë herë në sheshin e ri pedonal, flakëruan ngjyrat kuq e zi përmes performancës së nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, të ndjekur nga një publik i gjerë rreth e qark sheshit.
Fillimisht fëmijët e Kopshtit Rrëshen “udhëhoqën” vargun e gjatë të parakalimit përmes pedonaleve të reja në qytet për t’u grumbulluar të gjithë sëbashku në shkallaret e amfiteatrit në shesh, nga ku dhe filloi manifestimi i madh i nxënësve të shkollave.
Përmes valleve shqipe me simbolin e flamurit nxënësit evokuan Shqiperinë e para 105 viteve kur u ngrit flamuri në Vlorë nga Ismail Qemali duke shpallur Pavarësinë e vendit.
Në këtë shesh me emrin e abatit të përndritur, Rilindasit të Madh, Prend Doçi, bashkia me këtë organizim madhështor në bashkëpunim me Zyrën Arsimore dhe shkollat, kishte menduar të mirëpriste brezin më të ri të Mirditës duke i mbushur anët pedonale dhe sheshin me energjitë rinore.
Ndërsa vallja e shqipeve u përcoll në mënyrë të shkëlqyer nga nxënësit e 9-vjecareve. Më pas sheshi u mbush me tingujt e traditës, me çifteli, bilbil e daulle si dhe Valsin e Danubit nga fëmijet e QKF Mirdita.
Gjimnazistët e Rrëshenit sollën në koreografinë e tyre një nga perlat e valles së njohur të shqipeve, valle që është kënduar e kërcyer në sa e sa skena brenda dhe jashtë vendit.
Nuk mund të mendohen datat e mëdha të historisë shqiptare pa penën e artë të poetit të madh mirditas, Gjokë Beci. Ka mbetur himn kënga “Rrjedh në Këngë e Ligjërime” ndaj dhe u këndua në këtë ditë të shënuar.
Lojërat popullore janë një dimension tjetër i natyrshëm i manifestimeve të tilla si ky i sotmi. Ishin nxënësit e shkollave të Rrëshenit dhe gjimnazit që përcollën stafetën me piketa e me flamuj, apo lojëra të ndryshme humoristike si dhe tërheqje litari përmes haresë dhe alegrisë që i karakterizon kur bie fjalë për manifestime me thalb të tillë kombëtar.
Nga njësia administrative Fan erdhën nxënësit e shkollës “Ndrecë Ndue Gjoka” me një përshëndetje speciale përmes aerobisë së tyre. Valltarët dhe artistët e asaj shkolle mbajnë të ndezur aktivitetin artistik dhe sportiv në atë zone e më tej.
Manifestimin e përshëndeti dhe ipeshkvi i dioqezës Rrëshen, monsinjor Gjergj Meta, duke përgëzuar organizatorët për këtë veprimtari model, që i bën nder Mirditës dhe Kombit. Ai u ndal dhe në kontributet e pamata të prelatëve të ndritur dhe atdhetarëve mirditas në momentet më kulmore të ekzistencës si Komb.
Pjetër Pjetri, kryetari i Këshillit Bashkiak Mirditë, theksoi se në emër të kryebashkiakut Ndrec Dedaj, përgëzon gjithë pjesëmarrësit, mësuesit e fiskulturës dhe drejtuesit e shkollave, stafin e kulturës, të cilët bashkërisht përcollën në mënyrë aq dinjitoze dy ngjarje të mëdha për Kombin mbarë dhe Mirditën në veçanti. Ai theksoi se 105 vjetori i Pavarësisë dhe Dita e Clirimit, 29 Nëntori, janë dy festa që Mirdita i kremton me krenari për kontributet e spikatura që ka dhënë në ditët e mëdha të Historisë sonë kombëtare.
Pjesa kulminante u shënua me ndërtimin e fjalës 105 vjet dhe PAVARËSI përmes vetë nxënësve të shkollave 9 vjecare dhe gjimnazistëve, e më pas kalasë madheshtore, me ngritjen e flamurit në lartësi të saj. Nxënës të dy shkollave u bënë bashkë duke na konfiguruar kalanë shqiptare. Mbi kalatë ka qëndruar krenar flamuri ynë i bukur, flamuri i shqipeve.

1
2
3
4
5
6
7
8
9
10
11
12
13
14
15
16
17
18
19
20