Mirdita, ekipi i volejbollit për femra është shpallur ditën e sotme kampion i kategorisë së dytë.

Ky sukses është kurorëzuar edhe me dorëzimin e Kupës nga drejtues të Federatës së Volejbollit shqiptar në Pallatin e Sportit të lojërave me dorë “Arjana Arapi” në Rrëshen. Ceremonisë së organizuar me këtë rast i parapriu një ndeshje miqësore mes ekipit të të rriturave, të drejtuara nga Dalina Kola dhe ekipit të të rejave të drejtuara nga Elsa Përgjetani.

Kryetari i Bashkisë z. Ndrec Dedaj, duke përgëzuar ekipin dhe gjithë drejtuesit për këtë rezultat, është shprehur se bashkia dhe ai vetë do të bëjnë gjithçka duhet që ekipi të qëndrojë  në  elitë të këtij sporti në mbarë vendin. “Ne tashmë jemi në rrugë të mbarë edhe sa i përket trajtimit të ekipit;  së shpejti do të kemi dhe sponsorin e tij, dhe gjithashtu Bashkia dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve, do të mundësojë rikonstruksion të plotë të pallatit të sportit të lojërave me dorë duke e modernizuar në çdo qelizë të tij.” tha z.Dedaj në fjalën e tij. Më pas ai në mes duartrokitjeve të volejbollisteve dhe të publikut i dorëzoi Kupën e Kategorisë së Dytë ekipit të vajzave.

Erlind Pëllumbi, President i Federatës së Volejbollit në fjalën e tij përshëndetëse përgëzoi ekipin e vajzave, drejtuesit, trajneren për këtë sukses, duke u shprehur se bashkia Mirditë tashmë po realizon një nga synimet e vëna për të risjellë në kuotat maksimale përfaqësimin e Mirditës në këtë sport, siç ka qenë traditë për disa dekada. “Ndaj dhe Federata dhe gjithë aktorët e këtij sporti të rëndësishëm ndihen të kënaqur me këtë rezultat, të arritur përmes sakrificave të shumta të vajzave volejbolliste, por që ky sport mbarëkombëtar nuk mund të kuptohet pa volejbollin e Mirditës.” u shpreh z.Pëllumbi.

Ndërsa presidenti i Federatës z. Pëllumbi i dorëzoi Kryebashkiakut Dedaj mirënjohje për bashkinë Mirditë lidhur me kontributin e dhënë dhe strategjinë e zhvillimit të këtij sporti në vitet që pasojnë.

Gjithashtu medalja e Mirenjohjes nga ana e Federatës është dhënë dhe për sponsorin e disa viteve, mjekun okulist  Met Troplini, i cili falë kontributit të tij,  bëri të mundur që ekipi i vajzave të Mirditës në volejboll, të kapte kuotat më të larta të titujve; si atë të Kampionit Kombëtar dhe Kupës së Republikës.

Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë edhe Arben Vokopola, sekretar i përgjithshëm i Federatës, Ilia Vasili, anëtar i Komitetit Drejtues së Federatës, Altin Mërtiri, ish-trainer i Minatorit, sot trainer i Kombëtares shqiptare në volejboll, si dhe gjyqtari  ndërkombëtar  Konalci  Gjeka.

1
2
3
4
5
6