Fondacioni për Zhvillimin e Mirditës, organizata jofitimprurëse e themeluar nga Bashkia Mirditë ka lançuar sot projektin “MIRDITA Pastron” në Njësinë Administrative Rubik.

Në kuadër të 22 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Bashkia Mirditë e ka caktuar muajin Prill si muajin e mjedisit. Projekti “MIRDITA Pastron” ka të bëjë me një seri aktivitetesh sensibilizuese, të cilat do të kulmojnë në 22 Prill.

Në bashkëpunim me Bashkinë Mirditë, Fondacioni për Zhvillimin e Mirditës organizoi sot një fushatë ndërgjegjësimi në shkollën e mesme industriale të Rubikut,  ku morën pjesë disa nxënës të kësaj shkolle.

Aktiviteti u shoqërua me shpërndarjen e materialeve informuese, videove ndërgjegjësuese si dhe me bashkëbisedime me nxënësit pjesëmarrës. E pranishme në aktivitet ishte edhe Administratorja e Njësisë Administrative Rubik, znj.Flora Jushi, e cila shprehu mbështetjen e autoritetit lokal për realizimin me sukses të këtij projekti.

Në kuadër të këtij projekti, sot u lançua gjithashtu konkursi “Mesazhi më i mirë sensibilizues për Ditën e Tokës”. Në këtë garë, do të kenë mundësinë të marrin pjesë të gjithë nxënësit e gjimnazeve të Mirditës.

Ndërkohë “MIRDITA Pastron” do të vijojë aktivitetet edhe në shkollat e tjera të mesme të Mirditës, si dhe do të organizojë në javën e dytë të muajit Prill disa fushata pastrimi me qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve dhe të gjithë qytetarëve.

[su_slider source=”media: 4938,4937,4936,4935,4934,4933,4932,4931,4930,4929,4928″ link=”custom” title=”no” pages=”no”]