Janë hedhur themelet e një institucioni të rëndësishëm për informimin turistik në Mirditë dhe më tej për Verilindjen, “Info-Kulla MIRDITA” në dalje të qytetit të Rubikut, përbri Rrugës kryesore për Kosovë, që vjen si bashkëpunim në mes Albania Austria Partnerschaft dhe bashkisë Mirditë.

Pas disa muaj bisedash dhe diskutimesh, si dhe hartimin e një platforme të gjerë dhe marëveshjesh të përbashkëta, këto ditë u bë e mundur hedhja e themeleve të këtij institucioni informues turistik. Në përurimin e kësaj dite, morën pjesë autoritete vendore, arkitektë dhe projektues të veprës.

Lopatat e para me llaç në themelet e godinës dykatëshe, tipike për turizmin si një ndërthurje në mes traditës së të ndërtuarit në zonë dhe asaj moderne, u hodhën në mënyrë simbolike nga presidente e Albania Austria Partnerschaft, humanistja austriake Marianne Graf dhe kryetari i bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj.

Në përshëndetjen e tij, kryebashkiaku Dedaj, tha se dita e sotme është fillesa e zbatimit në praktikë të një prej projekteve më të rëndësishme për turizmin në bashkinë Mirditë, që ka lidhje me politika të organizuara dhe jo spontane tashmë. Kjo pikë informuese do të jetë një nyje kreative e vizitueshme për shkak të informacionit të bollshëm që do të ketë për gjithë resursin dhe destinacionet turistike në Mirditë si nga ana natyrore dhe e trashëgimisë kulturore dhe historike.

Ai ka falenderuar zonjën Graf dhe drejtorin ekzekutiv të Albania Austria Partnerschaft , z. Skënder Thaçi për impenjimin e vazhdueshëm të tyre për t’i sjellë Mirditës investime të qëndrueshme sociale, ekonomike dhe tashmë edhe turistike.

Sjellja e një investimi të tillë rishtar për turizmin, theksoi ai, na e bën të mundur që si bashki të vazhdojmë në zbatimin konkret edhe të masterplanit kulturor dhe turistik në hartim e sipër, në kuadër të hartimit të Planit të Zhvillimit të Bashkisë, për të ndikuar më shumë në punësimin e njerëzve, dhe shfrytëzimin e asseteve turistike që kemi gjithandej si një mundësi zhvillimi të qëndrushëm.

Zonja Graf, në përshëndetjen e saj, përgëzoi bashkinë Mirditë për bashkëpunimin, ndërsa theksoi se kjo vepër e informimit turistik, do i shërbejë Mirditës dhe gjithë zonës së Verilindjes e më tej për Kosovë duke u thyer në një vend orientues për assetet turistike të zonës. Ajo u bëri thirrje dhe banorëve që të jemi të gjithë ndihmues në projekte të tilla, për të gjeneruar vende pune dhe jetesë të qëndrushme e cilësore këtu në Mirditë.

Turizmi është një nga shtyllat kryesore mbi të cilën duhet të mbështetet zona, theksoi Graf, ndaj dhe jemi këtu. Le të jemi të bashkuar për ta zhvilluar Mirditën përmes këtij sektori jetik dhe jo për ta penguar, theksoi ajo, duke i bërë më tej një rezume funksionalitetit të  “Info-Kulla Mirdita”, për të cilin prej vitesh mendonte dhe punonte sëbashku me ekipin e saj.

Duhet theksuar se punën kryesore, që në skicimin e projektit dhe aq më shumë të përmbajtjes, dhe mënyrës së mbledhjes dhe dhënies së informacionit, ajo e ka bërë me duart e veta.

Më pas, në një takim pune edhe me specialistë të turizmit në Mirditë, kryebashkiaku Dedaj dhe zonja Graf, janë ndalur në detajet e punës së mëtejshme, për të përgatitur një detabase të dhënash për Mirditën Turistike, destinacionet turistike dhe ato trashëgimore në ekstrat, mbledhje relikesh dhe pasuri etnografike të hershme të zonës si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit edhe me zona të tjera kufijare apo më tej.

Me rëndësi mbetet dhe përgatitja e guiderve dhe shoqëruesve turistikë, të rinj e të reja, që duhet të mësojnë nga historia dhe pasuritë e ndryshme natyrore dhe trashëgimore të Mirditës me disa gjuhë të huaja.

[su_slider source=”media: 4922,4921,4920,4919,4918,4917,4916″ link=”custom” title=”no” pages=”no”]

Zyra e Shtypit