Është nënshkruar marrëveshja në mes drejtuesve të dy bashkive të Verilindjes së vendit, Mirditë dhe asaj të  Dibrës, për inicimin e projektit për rikualifikimin tërësor dhe asfaltimin e rrugës që lidh Rrëshenin me Lurën-Qendër, që nga vendi i quajtur “Livadhi i Turkut” pasi pjesa deri aty  (17 km) është i përfunduar.

Një veprimtari me karakter sensibilizues për rivitalizimin e Parkut Kombëtar të Lurës është organizuar në Lurë, pikërisht aty ku shpërfaqen dukshëm bukuritë e këtij oazi të pamatë turistik, nga më të spikaturit në vend.

Në takimin ku morën pjesë drejtuesit e pushtetit vendor dhe përfaqësues nga organizata mjedisore, nxënës shkollash në të katër bashkitë verilindore etj, përshëndeti këshilltari i kryeministrit Sandër Lleshi, i cili theksoi se kjo është një ditë e fortë reflektimi dhe angazhimesh për ta ribërë Lurën e shkatërruar përgjatë këtyre 25 viteve. Dhe ribërja e Lurës fillon nga projekti i rrugës, por dhe nga ndërgjegjësimi dhe aksioni human për ta riveshur me katet e duhura bimore sikurse ka qenë këtu e vite të tëra. Ai tha se ky aksion rivitalizimi do të ketë vëmendjen e Qeverisë dhe personalisht të Kryeministrit Edi Rama.

Përshëndetën gjithashtu drejtuesit e bashkive Mat, Dibër dhe Bulqizë dhe përfaqësues të organizatave mjedisore duke qene ne te njejten gjatesi vale per kete aksion te madh kombëtar dhe jo vetem rajonal.

Kryebashkiaku i Mirditës, Ndrec Dedaj, risolli një fakt të shënuar historik thënë nga Homeri Shqiptar, Fishta “Nëse nuk ke parë Lurën, atëhere nuk ke parë Shqipërinë”, dhe duke iu qasur këtij zhvillimi të ri, që nisi prej aktivizmit vullnetar, theksoi se tashmë po punohet për projektin e ri të rrugës nënshkruar nga drejtuesit e dy bashkive të Verilindjes para dy javësh, dhe që në hartimin e tij  do të mbështetet nga Agjensia e Zhvillimit Rajonal 2, Tiranë.

Gjithçka ka ndodhur në këtë vend të bekuar prej shekujsh nga Perendia për bukuritë e pashoqe, theksoi me tej kryebashkiaku Dedaj,  tregon më së miri se si është drejtuar ky vend prej vitesh me një papërgjegjshmëri ekstreme e këtij lloj drejtimi nga ana e institucioneve, me një babëzi të pashoqe në shfrytezimin pa kriter dhe shkatërrimin e këtij ekosistemi kombëtar. Por kjo nuk do të ndodhë më tej, ndaj jemi këtu për t’i dhënë jetë një marrëveshje që hedh hapin e parë serioz dhe konkret drejt Lurës së ardhshme dhe zhvillimit të jetës ekonomike dhe sociale të komuniteteve të gjithë këtij rajoni të rëndësishëm të vendit. Më tej, kryebashkiaku Dedaj, theksoi efektin pozitiv që kanë dhënë Reformat e Qeverise Rama, që nga Reforma Territoriale që mundëson bashkëpunime dhe projekte të tilla me impakt të fortë dhe të drejtpërdrejtë edhe rajonal, sic është ky i sotmi, si dhe Moratoriumi i Pyjeve, që po jep ndikimin e vet pozitiv në stopimin e prerjes së pyjeve dhe ripërtëritjen graduale të tyre.

Pas këtij brifingu në zemër të Lurës turistike, vullnetarët dhe drejtuesit vendor etj për disa orë punuan në sistemimin e mjediseve përreth Liqenit të Zi, ku kësaj rradhe sharrat nuk shungëlluan për të prerë pemët e gjelbërta, por ato të thara dhe trungjet e lënë gjithandej si në një masakër të pashembullt. Ky gjest ka ftuar shqiptarët kudo janë për të ndihmuar me çdo mënyrë e mjet në Rivitalizimin e Parkut Kombëtar të Lurës.

Më pas në mjediset e një hoteli turistik në Lurë, në mes skuadrave të nxënësve të gjimnazeve nga të katër njësitë bashkiake, u organizua konkurimi për idetë dhe projektet më të mira zhvillimore. Të gjitha kishin në thelb të tyre zhvillimin turistik apo ekonomik të zonës që përfshin Lura dhe aksit që përshkon rruga e Lurës.

Juria, që kishte në përbërje drejtuesit e katër njësive vendore, këshilltarin e kryeministrit, drejtorin e Agjensisë së Zhvillimit të Rajoneve 2, Tiranë, me pikavarazh, pasi kanë dëgjuar me vëmendje 7 projektet e parashtruara me finesë dhe argument nga gjimnazistët e Verilindjes, vlerësoi me çmim të parë  shkollën e mesme të Përlatit (IClub Përlat, kishte në fokus krijimin e hartës dixhitale të turizmit) dhe Qendrën Rinore CHF, ku dy anëtar të saj janë mësues të Shkollës Profesionale “Nazmi Rushiti” Peshkopi. Ndersa në vend të dytë i zgjodh gjimnazi i Rrëshenit, për projektin zhvillimor “Kroi i Bardhë”.

Projekti i Qendrës Rinore CHF, Peshkopi dhe ai i shkollës së mesme të Përlatit, do të kenë pika të përbashkëta funksionimi, si i tillë do të mbështetet edhe nga Agjensia.

 

Shënim: Çfarë është Agjensia e Zhvillimit të Rajoneve?

Reforma për Zhvillimin Rajonal, synon të mundësojë rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit të politikave të investimeve publike, krijimin e rajoneve konkuruese me zhvillim të qëndrueshëm social, ekonomik e mjedisor, në zbatim të politikës së kohezionit territorial. Në funksion të kësaj reforme, me vendim të Këshillimit të Ministrave u miratuan Katër zona (rajone) të Zhvillimit Rajonal.

Të katër Agjensitë e Zhvillimit Rajonal me seli në Shkodër, Tiranë, Korçë dhe Vlorë do të përgatisin dhe zbatojnë projekte konkrete, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore, për të kontribuar kështu në zhvillimin e rajonit ku operojnë. Në këtë mënyrë të katër institucionet e krijuara do të kenë si qëllim zbatimin e politikave rajonale që synojnë ndërhyrje të integruara për zhvillimin e territoreve dhe fuqizimin e potencialeve ekonomike të rajoneve.

Pikërisht dhe për projektin e Lurës, synohet të hartohet projekti nga kjo Agjensi (Tiranë) që e ka marrë përsipër, për të kërkuar më pas procedimin e mëtejshëm ndër donatore të ndryshëm për ta rikualifikuar tërësish këtë rrugë me impakt të fortë ekonomik, social dhe turistik.

Zyra e Shtypit.

13494972_10208482554413432_430564917554576832_n 13495139_10208482554253428_8978659845795204323_n 13501616_10208482553093399_6688907537498024900_n 13501847_10208482554373431_807877657259153208_n 13516262_10208482554613437_5148504098555037761_n 13521891_10208482553133400_2097498681435150003_n 13557849_10208482554573436_6496891106168148033_n

 

certifikata Perlat

 

 

 

 

cmimi 1