Kryetari i Bashkisë z. Ndrec Dedaj ka shprehur mirënjohjen për stafin e Projekt Albanien, në ceremoninë e 25-vjetorit të themelimit të këtij projekti në Mirditë.

Z.Dedaj në mënyrë të veçantë shprehu falenderime për Padër Winsauer, i cili me shembullin e tij të shërbimit dhe ndihmës në Mirditë është një frymëzim për punë akoma më të mira në komunitet. Ai theksoi se Bashkia Mirditë do të jetë bashkëpunuese në çdo projekt, ndërsa shtoi se për austriakun Padër Winsauer do të ketë një vlerësim akoma më të madh në të ardhmen, përveç nderimit me “Stemën e Artë” dhënë vitin e shkuar në Austri.

“Për këtë do të ngrihet një grup me studiues dhe faktorë të tjerë për të përmbledhur gjithë këtë kontribut ndër vite dhe për të bërë një botim special, si dhe vlerësime të tjera ne rrugë apo sheshe ne vende te ndryshme te Mirdites.” tha Kryebashkiaku z.Dedaj.

Kryetari i Bashkisë dha titujt e Mirënjohjeve për Z Bernhard   Köb, Drejtor i Karitas Projekt Albanien, Z.Manfred  Kräuler, Nëndrejtor i Caritas Projekt Albanien, Z.Zef Shtija, Drejtor i Karitas “Mirdita” (Projekt Albanien), Znj.  Luçie Shtinja, Kordinatore e projekteve sociale, Karitas “Mirdita”.

Në fjalën e tij Z. Köb theksoi faktin se ky projekt po vazhdon në një dinamikë të re, pasi udha e shtruar nga krijuesi i tij padër Winsauer, është më e lehtë për ne që po e vazhdojmë atë. Ai shprehu vlerësime për punën e ekipit, bashkëpunimin me institucionet e ndryshme dhe sidomos me bashkinë Mirditë, duke premtuar edhe intensifikimin e këtij bashkëpunimi.

Të njëtën gjë theksoi dhe Manfred  Kräuler, Nëndrejtor i Caritas Projekt Albanien, i cili ngritjen e këtij Projekti e krahasoi me një mal të lartë e të thepisur në Austri. “Ngjitjet atje kanë qenë një sfidë për ne që fëmijë, por ne ia kemi dalë dhe do ia dalim për të vazhduar akoma më me efikasitet bashkëpunimin tonë në një sërë fushash.” shtoi z. Kräuler.

Fjalën përshëndetëse në emër të Karitas Mirdita (Projekt Albanien) e mbajti drejtori i Karitasit Zef Shtinja, i cili bëri një ekspoze të gjithë punëve të bëra prej mbi dy dekada në Mirditë përmes këtij Projekti Austriak dhe Karitasit Mirdita.

Një rezyme të plotë të punëve të bëra përgjatë këtyre viteve, shpalosi drejtuese e qendrave sociale të Karitas Mirdita, Lucie Shtinja, e cila solli në vemendje të pjesëmarrësve gjithe objektet e realizuara përmes fotove ilustruese dhe krahasuese që nga shkollat në Rubik, Fan apo Selitë, Bardhaj, Lufaj e gjetkë e deri tek qendrat e ndryshme sociale si dhe ndihmat e vazhdueshme për familjet në nevojë, për kopshte e cerdhe etj etj.

Drejtori i Zyrës Arsimore Mirditë, Gëzim Kacorri, theksoi faktin se ndihma e miqve austriakë ka qenë thelbësore dhe për një sërë shkollash në gjithë Mirditën si dhe qendra edukimi dhe kualifikimi për fëmijë e nxënës nga familje në nevojë.

Në emër të Ministres së Arsimit Lindita Nikolla, ai përcolli për ekipin austriak dhe atë shqiptar, Mirënjohjet e akorduara nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve.

Ceremonia e ditës së sotme fillimisht u shoqërua me një ekspozitë të punimeve të personave me aftësi të ndryshe të shtëpisë Emil, pjesë e Projekt Albanien. Më pas veprimtaritë vijuan në sallën e koncerteve përmes një aktiviteti ceremonial dhe kulturor.

MIRËNJOHJET

Mirënjohjet dhënë nga Kryetari i Bashkisë Mirditë, z.Ndrec Dedaj

1.Mirënjohje dhe stema e Bashkisë Mirditë, punuar në qelq dhe filigram, iu dha Bernhard    Köb, Drejtor i Karitas Projekt Albanien, me motivacionin:

“Misionar i shquar austriak,  për kontributin e pakursyer  në ndihmë të komunitetit mirditor përmes projekteve  humanitare dhe zhvillimore të PROJEKT ALBANIEN, si dhe ruajtjen e zhvillimin e lidhjeve të hershme kulturore, arsimore dhe historike, Austri-Mirditë”.

2.Manfred  Kräuler, Nëndrejtor i Caritas Projekt Albanien me motivacionin:

“Për ndihmën humanitare në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe shtresave në nevojë, atyre me aftësi të veçanta si dhe për rritjen e kapaciteteve profesionale për të rinj e mosha të tjera në Mirditë”.

3.Zef Shtija, Drejtor i Karitas “Mirdita” (Projekt Albanien) me motivacionin:

“Për organizimet efikase të bashkëpunimit me miqtë humanitarë austriakë dhe ecurinë pozitive  të gjithë projekteve të Karitas “Mirdita” prej mbi dy dekada  në zonat dhe sektorët më në nevojë dhe sensitivë në Mirditë”

4.Znj.  Luçie   Shtinja, Kordinatore e projekteve sociale, Karitas “Mirdita” me motivacionin: “Për përkushtimin e vazhdueshëm në zbatimin me shpirt  human dhe inovativ të projekteve sociale si, për Qendrën e mbështetjes shkollore, “Shtëpia Emil” dhe Qendrën e përkujdesit ndaj personave me aftësi ndryshe, reflektuar në  një model solidariteti të krijuar në komunitet”.

2
5
9
12
14
17
20
23
29
DSC_9736
P5270047
P5270062