Mirdita është një zonë e pasur me burime natyrore si pyje, vendburime minerare, burime hidrike me potencial ujitës e hidroenergjitik, klimë të larmishme, peizazh të bukur.
Sipas të dhënave të INSTAT (2014), në territorin e Mirditës veprojnë 16 subjekte me leje minerare aktive, nga këto 15 me leje shfrytëzimi dhe 1 me leje kërkim-zbulimi. Sipas llojit të mineralit ato ndahen në 4 leje për mineralin Bakër, 7 leje për Bazalte, 2 leje për Gëlqerore, 2 leje për Krom, 1 leje për mineralet Ultrabazike. Territori që mbulojnë lejet minerare është 20.1618 km2 (2.3% e territorit), nga këto 11.4508 km2 nga lejet e shfrytëzimit dhe 8.71km2 nga lejet e kërkim zbulimit. Vetëm një pjesë e rentës minerare është derdhur në buxhetin e bashkisë

Mirdita përshkohet nga disa arterie lumenjsh si Lumi i Fanit që përbëhet nga dy degë, Fani i Madh dhe Fani i Vogël. Fani i madh, me degët kryesore Zalli i Dibrrit e i Simonit, Fani i vogël me degët Zmeja e Madhe dhe Zmeja e vogël, si dhe Uraka e Zall Ndrejaj që derdhet në Ulëz. Baseni i Lumit Fan ka një sipërfaqe prej 1080 km2, nga këto 782 km2 janë në Bashkinë Mirditë. Fani Madh ka një sipërfaqe ujëmbledhëse rreth 540 km2 dhe është afërsisht 77 km i gjatë. Lugina e lumit Fani Madh është afërsisht 60 km e gjatë dhe rrjedh nga veri-lindja drejt jug-perëndimit. Pellgu ujëmbledhës i lumit Fani Vogël ka nje sipërfaqe prej 415 km2 dhe lumi ka një gjatësi prej 55 km. Fani Madh dhe Fani Vogël bashkohen afër Rrëshenit. Këta lumenj kanë kapacitete të mëdha hidroenergjitike ende të pashfrytëzuara si duhet.
Rrjeti kullues shumë i amortizuar. Pjerrësia e terrenit dhe mungesa e investimeve për rregullimin e regjimit ujor në parcela ndikojnë në shtimin e gërryerjeve dhe degradimin e vazhdueshëm të tokave.
Përsa i përket aftësisë ujitëse, nga 4520 ha në vitin 1991 ajo është ulur me rreth 40%. Megjithëse bashkia përshkohet nga lumi i Fanit me degët e tij dhe Uraka,vetëm një pjesë e kufizuar fshatrash marrin ujë nga lumenjtë. Ujitja në 60% të sipërfaqes së tokës në shkallë bashkie ku përfshihen njësitë Rrëshen e Kthellë është e bazuar tek ujëmbledhësit.

Sipas të dhënave të zyrës së kadastrës, fondi i tokës është gjithsej 86710 ha, prej te cilave shumicën ose 64216 ha (74%) e përbëjnë pyjet, 11910 ha (13.7%) toka jobujqësore, 6284 ha (7.2%) toka bujqësore nga të cilat 5467 (6.3%) ha toka arë, 541 ha për pemëtari dhe 276 ha vreshta. Kullotat zënë 4015 ha, nga të cilat 3758 ha natyrore dhe 257 ha të kultivuara. Në përgjithësi fermerët e Mirditës kanë pak tokë, por ka edhe fshatra e fermerë sidomos në njësitë Rrëshen e Kthellë që kanë toka të mjaftueshme. Toka shtetërore zë 80392 ha ose 92.7% të sipërfaqes së tokës. Toka nuk është marrë në pronësi për arsye të pjellorisë së ulët dhe largësisë nga qendrat e banuara.

Blegtoria dhe bujqësia janë dy nga drejtimet kryesore të ekonomisë së Mirditës.
Sipërfaqja e tokës së punueshme është e vogël, sistemi vaditës e kullues është i dëmtuar, ndërkohë që fermerët kanë vështirësi për sigurimin e inputeve kryesore dhe mekanizimit të përshtatshëm. Kjo bën që sipërfaqja e tokës së kultivuar të jetë e ulët. Sipërfaqja e kullotave dhe pyjeve është e konsiderueshme dhe janë të përhapura bimët mjekësore e tanifere.
Pyjet kryesisht janë pyje komunale. Ka premisa të mira për zhvillimin e blegtorisë. Ndërkaq nuk ekzistojnë të gjitha hallkat e zinxhirit të prodhimit për produktet e ndryshme bujqësore dhe blegtorale.
Për sa i përket kulturave bujqësore, kultivohen drithërat, perimet, patatet e fasulet, vreshtaria, foragjeret, pemët frutore, arrorët. Këtu peshën kryesore e mbajnë foragjeret. Gjithashtu edhe vreshtat, për shkak të kushteve të përshtatshme klimatike dhe sigurimit të zinxhirit të prodhimit janë të përhapura. Prodhimi i verës nga Kantina Arbri ka nxitur fermerët të shtojnë sipërfaqet e vreshtave. Kjo kantinë mund të shërbejë si pol zhvillimi i gjithë territorit të bashkisë dhe të jetë në fokusin e politikave të zhvillimit rural të zonës, ku përfshihen edhe përfitimi i fondeve të BE dhe krijimi i LAG-eve. Gjithsesi, si problem kryesor vërehet mungesa e sistemeve të ujitjes të përshtatshme që kanë penguar shtrirjen e mëtejshme të këtij aktiviteti.
Kushtet klimatiko-tokësore të kësaj zone janë të përshtatshme për mbarështimin e të imtave, gjedhit për mish, bletarisë, derrit e shpendëve. Ka potenciale të pashfrytëzuara si duhet në zhvillimin e blegtorisë kryesisht si rezultat i shkatërrimit të pyjeve, mosmirëmbajtjes së livadheve e kullotave dhe ai që është një ndër faktorët kryesorë, emigrimi i krahut të punës.
Nga të dhënat e Drejtorisë së Bujqësisë, për Bashkinë Mirditë nga viti 2007-2015, kanë përfituar subvencione nga shteti 73 familje në bujqësi me një shumë totale 11 285 500 Lekë dhe 83 familje në blegtori 12 256 000 Lekë. Ka nevojë për mbështetje të mëtejshme të shtetit për përmirësimin racor, kreditimin me interesa të ulta për shtimin e numrit te krerëve ose subvencione për njësi të prodhimit. Gjithashtu përpjekje janë bërë për promovimin e prodhimit të mjaltit.

Mirdita ka potenciale optimale për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit. Ajo gëzon kushte të përshtatshme klimatike, peizazh të bukur, sipërfaqe të madhe pyjore, prodhime bujqësore dhe blegtorale.