659 fermerë nga e gjithë Shqipëria, 70 sipërmarrje ushqimore, 39 bashki si dhe shumë surpriza të tjera, sollën më të mirën e bujqësisë dhe ushqimit vendas në 23 400 m2 hapësirë ekspozuese në zemër të Tiranës, në sheshin Nënë Tereza nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryeministrit të vendit Edi Rama.
Në këtë edicion ( i dyti), mori pjesë me skuadrën e vet edhe Bashkia Mirditë, përmes AgroMirdita, fermerë dhe zejtarë.
Pas Panairit në Rrëshen, një sukses ky në “Festën e Arbërit 2018”, nën drejtimin e kryebashkiakut Ndrec Dedaj, bashkia Mirditë përfaqësohet në mënyrë dinjitoze dhe në panairin kombëtar në Tiranë, duke qenë një nga grupet e eksponateve më të vizituara nga publiku kryeqytetas.
Mirdita u përfaqësu me AgroMirditën, me administrator Preng Doda, fermeri dhe bletari Valentin Bushi; nga zejtaret e veshjeve të traditës Pashke Marku dhe Drane Fizi, zejtari i ciftelive Gëzim Përshqefa si dhe mjeshtri i punimit të drurit dhe stilizimit në ornamente Agustin Luli.
Qindra persona vizituan stendat e eksponateve të Mirditës, ndërkohë që jo pak vendas dhe të huaj, kërkuan të blejnë nga produktet e Mirditës, ku kryesisht zinin vend prodhimet e vjeshtës si vera apo rakia me prodhimin autokton, frutat e zonës; produkte të agropërpunimit nga Agro Mirdita, si dhe mjalti i disa llojeve, i cilësuar si ndër më të mirët në këtë panair ndaj pati kërkesa nga individë dhe lokale për të blerë nga ky produkt shumë interesant i Mirditës.
Gjithashtu vizitorët qenë të interesuar për këndin e traditës ku u njohën me zejet e ndryshme si dhe provuan instrumentet popullorë si dhe veshjet etj.
Televizioni Publik Shqiptar, dha live pamje nga eksponatet e Mirditës duke intervistuar pjesëtarë të skuadrës përfaqësuese të Mirditës në këtë panair të rëndësishëm.