– Bashkia nderon me tituj nderi kontributorët vendas dhe italianë –

Është përuruar Kisha e njohur e zonës së Selitës, Shën Aleksandri (Shën Llezhdrit), pas një aksioni vullnetar të ndërmarrë nga banorët e zonës dhe kontributorë të tjerë, kryesisht italianë, duke bërë të mundur ringritjen e një prej institucioneve  kryesore të besimit në këtë zonë.

Me pjesëmarrjen e gjërë të banorëve të fshatrave, si dhe miq apo të ftuar sipas traditës së festës fetare të Bozhiqit, u kremtua edhe mesha e parë në kishën e re të ndërtuar e gjitha sipas stilit ndërtimor të kishës së vjetër, dhe mbi rrënojat e saj.

Kisha e Shën Aleksandrit (Shën Llezhdrit), njihet si kisha më e madhe dhe ndër më të vjetrat e Selitës. Të paktën prej mbi 1000 vite ajo përmendet në relacionet e misionarëve të ndryshëm.

Ndërtimi i saj është bërë në pikën më dominuese dhe e barazlarguar nga të gjitha fshatrat e zonës. Kisha e hershme ka qenë vazhdimisht e rrezikuar nga pushtuesit e huaj, sidomos turqit që bënë islamizim të popullsisë deri në kufijtë e Selitës. Aty kanë shërbyer shumë priftërinj, por mbahen mend, më së tepërmi, Dom Vlashi dhe Dom Noci.

Pas vitit 1967 kjo kishë si shumë të tjera u rrënua nga themelet. Pas viteve ’90-të pati disa përpjekje për ta rindërtuar, por që zgjati shumë vite deri sa më 3 maj 2017, me nismën e birit të fshatit Bardhaj, Prend Margjini, u bë e mundur ndërtimi dhe përurimi i kishës së re, një ëndërr që u bë realitet me ndihmesën e miqve dhe dashamirëve të shumtë.

Fillimisht ipeshkvi i dioqezës Rrëshen monsinjor Cristoforo Palmieri bëri bekimin e mureve dhe gjithë pjesëve të brendshme të kishës, ndërsa më pas sëbashku me priftërinj të ardhur nga Qendra Misionare Dioqezane Trentos, Itali, udhëhoqi meshën e shenjtë në prani të qindra besimtarëve dhe të ftuarve që kishin mbushur rishtas sallën e kishës në një ditë të shënuar për banorët e zonës dhe më tej.

Pas meshës, u zhvillua ceremonia zyrtare e bashkisë Mirditë, për nderimin me tituj nderi të kontributorëve të kësaj vepre të madhe të shenjtë.

Kryetari i bashkisë z.Ndrec Dedaj, uroi besimtarët e mbledhur për këtë ditë të shënuar  duke përgëzuar për punën e bërë mrekullisht nga gjithë kontribuesit e shumtë vendas dhe të huaj, kryesisht italianë, por dhe emigrantë të shumtë, që dhanë modelin sesi mund të bëhen vepra të mëdha në një kohë së ma të shkurtër edhe kur ato duken si të parealizueshme. Ai tha se kjo kishë do na shërbejë të gjithëve për të jetuar në harmoni dhe paqe dhe për të synuar vepra të mira në vazhdimësi.

Më pas ai ndau titujt e nderit si më poshtë:

MIRËNJOHJE

  1. Zef Doçi

Për ndihmesë të pakursyer në ndërtimin e Kishës së Shën Shen Aleksandrit në Bardhaj të Selitës në Mirditë, kontributin konkret dhe human në ndihmë të rikthimit të besimit në këtë zonë.

  1. Prend Margjini

Për ndihmën dhe kontributin  e pakursyer në ndërtimin e Kishës së “Shën Aleksandrit” në Bardhaj, Selitë të Mirditës, duke dhënë shembullin në një bashkëpunim të paepur  komunitar me banorët e zonës, kudo ata janë, për vepra të tilla të besimit dhe humanizmit.

  1. “Misio Bolzano Bressanone”, e Qendra Misionare Dioqezane Trentos, Itali

Concesso al “Misio Bolzano Bressanone”, Centro Misionario Diocesano di Trento, Italia

“Për kontributin në rikonstruksionin dhe rimëkëmbjen e Kishës “Shën Aleksandri” në Bardhaj të Selitës në  Mirditë.  Ndihma dhe ndjeshmëria juaj për ta risjellë shtëpinë e Zotit në mes besimtarëve të një zone të vuajtur dhe të persekutuar në besim për dekada me rradhë, është vepra më e mirë dhe e shënuar në jetën e këtyre banorëve dhe gjithë Mirditës, si një udhë e mbarë për bashkëpunime të mëtejshme me komunitetin dhe bashkinë Mirditë”.

Momenti më emocionues ishtë dhënia e titullit të nderit “STEMA E ARTË”, për:

Roberto Cucchiaro, i cili ka bërë të mundur dhe donacionin kryesor, duke qenë një humanist i rrallë në bamirësitë e shumta të tij. Stema e Artë, iu dha më këtë motivacion nga kryebashkiaku Dedaj:

“Për kontributin e spikatur në ndërtimin e Kishës së “Shën Aleksandrit” në Bardhaj te Selitës në Mirditë, përmes së cilës, banorët e përvuajtur dhe të detyruar me dhunë të braktisnin besimin e të parëve, tashmë falë jush kanë mundësinë e shkëlqyer për ta ushtruar besimin në kishën e ndërtuar me provani dhe kujdes hyjnor”.

Roberto Cucchiaro, në mes emocioneve të shumta, ku nuk munguan edhe lotët, tha se në gjithë veprimtarine e tij të gjatë humanitare në vende të ndryshme, sot ndihej më i vlerësuar se kurrë më parë. Ai falenderoi të gjithë ata që mundësuan një punë të tillë të mrekullueshme, përkushtimin dhe sakrificën, si dhe bashkinë Mirditë, që është treguar aq e ndjeshme ndaj tij dhe veprës së tij dhe misionarëve të tjerë, duke premtuar bashkëpunime të mëtejshme të dobishme.

Rënia e këmbanave të reja, që e shpërndajnë tingullin në një perimetër të gjerë që përfshin gjithë fshatrat e Selitës, “lajmëroi” dhe mbylljen e aktivitetit zyrtar në përurimin e kësaj vepre të madhe të shenjtë në Mirditë.

Më pas banorët e fshatrave shtruan drekë nëpër shtëpitë e tyre për të ftuarit dhe miqtë, një traditë e moçme dhe e rrallë mikpritjeje që duket se kisha do i mbledhë gjithnjë e më mirë në rrënjët e të parëve.

Ndërkaq Prend Margjini kishte shtruar një drekë edhe për të ftuar të shumtë dhe autoritetet kishtare italiane, të bashkisë Mirditë dhe dioqezës Rrëshen, ku iu bë një dhuratë e vecantë zotit Roberto Cucchiaro, një kostum tradite i Mirditës, me të cilin veshur, ai toku gotat dhe u uroi festën gjithë të pranishmëve.

1
2
3
4
5
6
7
8
9
10
11