Historia e Mirditës

Gjurmët e banimit në trevën e Mirditës, (sot njësia vendore Bashkia  Mirditë) datohen që nga periudha e Neolitit dhe në vazhdim deri në ditët tona. Duke u bazuar në gjetjet arkeologjike, si ato të luginës së Matit, Bulgër, Malaj, Fushë Papërdhok, në tumat ilire në kodrat e Përlatit e në mjaft pika të tjera të territorit të Mirditës, si dhe në të dhënat etnologjike, dëshmohet qartë origjina ilire e banorëve të Mirditës.Në territorin e Mirditës së sotme, por edhe më gjërë ka banuar fisi ilir i Pirustëve.  Ky fis përmendet deri nga shekulli i parë i erës së re. Pirustët u morën me bujqësi e blegtori, por në mënyrë të veçantë u shquan si punëtorë të zellshëm për nxjerrjen dhe përpunimin e mineralit të bakrit e të hekurit. Ato u shquan gjithashtu si luftëtarë trima e të zot.

Më vonë krahina e Mirditës përfshihet në Principatën e Arbërit, që përmendet si shteti i parë mesjetar (1190-1216), që shtrihej nga lumi Drin në Veri e deri në lumin Shkumbin në Jug. Si themelues i këtij shteti njihet Progoni, sundimin e të cilit e pasuan të bijtë;  Gjini e më vonë Dhimitri. Ndërfandina konsiderohej një nga qendrat e rëndësishme të kësaj Principate.  Një gjë të tillë e dëshmojnë Stema e Arbërit dhe mbishkrimet në gurët e gjetur në Kishën e Shën Mërisë në fshatin Gëziq. Ndër të tjera, emblema e Bashkisë Mirditë është stilizim i Stemës së Arbërit me elementët e tjerë historikë që e kanë përcjellë Mirditën ndër shekuj.

 

EMRI i Mirditës

 

Sipas Shuflait, Mirdita del si krahinë me emrin e vet në fund të shekullit XVI, kurse vetë emri Mirditë njihet më herët.

Si mbiemër, Mirdita ndeshet për të parën herë në kadastrën venedikase të Shkodrës, në fillim të shekullit XV.  Daljen vonë të emrit Mirditë e argumenton dhe gjuhtari Eqerem Çabej kur thotë: “ Ato emra krahinash, qytetesh, lokalitetesh, lumenjsh të formuar me lëndë vendi si: Lim, Kelmend, Dukagjin,…Mirditë, Bulgër, Kthellë, Blinisht,… të cilët vertetë janë të njëfarë moshe porse, pas gjithë gjasash, nuk janë të kohës antike dhe as nuk dalin në burimet e asaj kohe.

Uniteti krahinor i Mirditës ka qenë një proces që ka zgjatur në kohë. Sipas regjistrit kadastral osman, në vitet 1565, 1621, 1633, 1650, Fani i Madh dhe Fani i Vogël, krahas Mirditës,  përmenden si unitete krahinore më vete.

Në vitet 1533-1536  si katund  Mirdita kishte 41 shtëpi dhe si krahinë përfshinte  9 katunde me 161 shtëpi. Për vitin 1571 regjistri turk nuk përmban të dhëna, sepse mirditasit nuk kishin pranuar të regjistrohen. Në vitin 1591 Mirdita përmendet si katund me 46 shtëpi dhe si krahinë e 9 katundeve me 168 shtëpi.

Nga këto të dhëna del se Mirdita si krahinë ishte formuar në vitin 1533, çka do të thotë se ndoshta procesi i formimit të saj ka nisur më parë, sapo është shpërbërë uniteti krahinor i Dukagjinit. Pra që në këtë vit mund të flitet për bashkimin e disa fshatrave rreth katundit Mirditë, i cili me sa duket ishte qendra e krahinës në formim e sipër.

Në lidhje me fshatin e dikurshëm me emrin Mirditë dhe kalimin e emrit të tij në Krahinë ka shkruar Prend Doçi në vitin 1892: “Vërtetë Mirditë quhej dhe quhet ende Oroshi, se qytezë e mirditasve është Oroshi e pikërisht  Gryka e Oroshit”.  Po kështu, në një dorëshkrim të vitit 1937,  Dom Prend Suli shkruan: “Aty ku motit quhej Mirditë, në Grykë të Oroshit, nën Gurë të Qershisë”.  Dhe më tej vazhdon: “Se një pjesë e Oroshit quhej Mirditë, sikurse dëshmohet nga të moshuarit, e tregon kujtimi që ruhej dhe dëgjohej në vend edhe në dhjetëvjeçarin e parë të këtij shekulli.

Nga shqyrtimi i këtyre të dhënave dhe krahasimi me toponiminë, topografinë dhe të dhënat gojore arrihet në përfundimin se në Orosh, në vendin e quajtur Gryka e Oroshit e rreth Kodrës së Mashtërkorëve, ka qenë një katund i quajtur Mirditë.

Po si erdhi emri Mirditë?

Në vitin 1621, Pjetër Budi e shënon si një nga qytezat e popujve të Dukagjinit.  Disa vjet më vonë, në vitin 1629, përmenden “popuj të quajtur mirditas, shqiptarë, por armiq të turqve”.  Më 1637, Mark Skura shkruante: “Mbërrita në Mirditë dhe po i lëshoj të gjithë katundet e Mirditës së Epërme atë të Zajsit përzhitas”.

Një vit më vonë, Francesco Bolica ia përsërit emrin kur thotë: “Misioni i Mirditës përfshin vetë Mirditën, Fanin e Vogël, Kthellën, Selitën, Macukullin, Prellin, Lurën, Vlashajt e Qidhnën, të gjitha ndër male, ku ka shumë popuj tepër të rreptë dhe të egër. …

Për Mirditën flet në vitin 1650 Benedikt Orsini, i cili shkruan: “Po mbahem në mëshirë të klerikëve të Mirditës.  Në vitin 1666 e përmend edhe Pjetër Bogdani: “Popujt e maleve të Mirditës, të Kurbinit dhe të Arnit”.  Pastaj në vitin 1671, Shtjefën Gaspëri: “U nisa nga Blinishti dhe mbërrita në Mirditë, e cila kishte kishën e Shën Kollit, por u dogj dhe u rrafshua nga turqit.

Mirdita si famulli ka katundet Orosh, Lagesi (Lagje), Mastrecori (Mashtërkorë), Shën Mëria (Shëmri), Tunerishi (Tunrishi dhe numëron 97 shtëpi me 825 frymë.  Kisha e Shën Kollit gjendet në breg të lumit Fani i Vogël, Katër milje larg banesës së priftit është Abacia mbi mal”.

Në hartën e Koronelit të vitit 1688 dhe në atë të Kantelit, të botuar një vit më vonë, shënohen “popujt e mirditasve”, në një rend me ata të Dibrrit e të Iballës.

 

Bajrakët:

 

Në fund të shekullit XVII, Mirdita përfshinte si krahinë tre bajrakë: Orosh, Spaç e Kuzhnen. Në vitin 1772 iu bashkuan bajraku i Fanit që varej nga Prizreni, rreth vitit 1810 Dibrri, që quhej ndryshe dhe Zadrima e Epërme, që shkonte më parë me Lezhën dhe rreth vitit 1820 Selita, Kthella dhe Rraza, ndërsa dhjetë vjet më vonë edhe Bulgëri, Vela, Kryezezët dhe Manatia.

Kështu në një hapësirë kohore prej gjashtëdhjetë vjetësh, treva e Mirditës njësohet në një krahinë dymbëdhjetë bajrakëshe që, në saj të lidhjeve të shumta ruan dhe njëson zakonet, traditat dhe gjithçka kishte trashëguar deri atëherë.

Lidhjet fetare të krishtera, lidhjet martesore në mes këtyre njësive, lidhjet e vazhdueshme shoqërore dhe ekonomike nëpërmjet panaireve etj, mbështetur mbi një kulturë të përbashkët etnologjike, kushtet e përbashkëta historike, sidomos lidhjet e përbashkëta dokësore, të njohura me emrin Kanuni i Lekë Dukagjinit kanë bërë që Mirdita të jetë një krahinë e madhe etnologjike me veçoritë e veta dalluese në krahasim me krahinat përreth saj. Për më tepër, me veshjet e saj karakteristike të grave, me të folmen e vet dalluese, me organizimin unik dokesor, nëpërmjet një emigrimi të brendshëm edhe në krahinat e Pukës, Zadrimës, në Fushë-Arrëz, Lumarth, Kryezi, Qafë- Mali, Korthpulë, Laç, Naraç të Mjedës, Gomsiqe, Kallmet, Lezhë, ajo ka ardhur në rritje, aq sa u bë krahina më e madhe e Veriut, që ka luajtur një rol me rëndësi në jetën politike e kulturore kombëtare.

Sipas Prend Doçit,Mirdita e dymbëdhjetë bajrakëve si krahinë autonome, në mesin e shekullit XIX, shtrihej në një territor prej rreth 800 km2 dhe kishte 83 katunde, 2400 shtëpi dhe rreth 25 mijë banorë.

Lidhja e dymbëdhjetë bajrakëve të Mirditës nuk ishte një bashkim mekanik i dhunshëm.Ajo e kishte bazën tek ai koncepti i përbashkët që buronte natyrshëm nga trashëgimia dhe toka në të cilën gjallonin të pacënuara lidhjet e vjetra materiale dhe shpirtërore në mes kulturës, besimit dhe dheut të të parëve, që në thelb për mirditorët ishin dhe mbetën të patjetërsueshme.

Formimi i Mirditës lidhet drejtpërdrejt me rolin e familjes së Gjomarkajve. Mbi kete baze pushteti i Princnisë kishte shtegtuar nga të parët e kësaj dere dhe pinjollët e mëvonshëm  duke shënuar emrat e Bib Dodës dhe Preng Bib Dodës, që rast pas rasti determinuan zhvillime të rëndësishmë në historinë kombëtare.

 

Popullsia:

 

Studiuesi M. Viet, për mesin e shekullit të 19 e jep të qartë numrin e banorëve, ai shkruan se Mirdita në këtë kohë kishte 12,256  banorë. Sipas përllogaritjeve me përafërsi më të pranueshme duke u mbështetur në të dhëna të arkivit, bashkimi i 12 bajrakëve te Mirditës si krahinë autonome kishte 83 katunde, 2400 shtëpi dhe rreth 25 mijë banorë.

Popullsia e Mirditës shënohet në numërin më të madh në vitet ’90-te në shifrën 57.000 banorë.

Sipas Censusit të vitit 2011, Mirdita ka 22,103 banorë. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron 37,384 banorë. Me një sipërfaqe prej 869.71 km2, bashkia e re ka një densitet prej 42.98 banorë/km2 sipas Regjistrit Civil dhe 24.64 banorë/km2 sipas Censusit 2011.

 

Mirdita etnologjike dhe administrative

 

Mirdita në shekullin XVII ishte njësi territoriale me kufij të përcaktuar dhe përbëhej nga bajrakët: Orosh, Spaç, Kuzhnen, Fan dhe Dibërr, nën vartësinë e Sanxhakut të Dukagjinit. Në fillim të shekullit XIX-të me krahinën e Mirditës u bashkuan edhe bajrakët e Kthellës: Selita, Kthella dhe Rranza. Konfiguracioni i krahinës me 12 bajrakë merr formë në mesin e shekullit XIX-të me bashkimin e katër bajrakëve  të Malësisë së Lezhës: Kryezez, Velë, Bulgër e Manati. Në vitet ’80-të të shekullit XIX-të me ndarjen e re administrative-territoriale, Mirdita është kaza si njësi e Sanxhakut dhe Vilajetit të Shkodrës.

Krahina e Mirditës etnologjike e ka sipërfaqen 1715 km 2 dhe kufizohet me 7 rrethe:  Pukë, Kukës, Dibër, Mat, Kurbin, Lezhë dhe Shkodër. Kufiri kalon në Vaun e Dejës, vargmalet Shite-Kreshtë-Velë-Molung-Rrodhe, zallin e Karricës ku derdhet lumi i Urakës në lumin Mat, zallin e Gjoçajve dhe livadhin e Pelave, majën e Kunorës së Selitës, Blac, Majën e Zezë, qafë të Mërkurthit, Frash-Guri i Kuq, përfshin katundin Lajthizë, në majë të Zepës, Qafë të Kumbullës, Qafë të Malit, luginën e sipërme të Fanit të Madh deri në Lum-Shtyllë, Sukën e zezë, majën e Thatë mbi livadh Kabash, len Tërbunin e Pukës dhe pak pa arritur në fushën e Qershisë del në Ndërmjetës, nëpër Gomsiqen e Vogël e të Poshtme dhe në Katundin Mëdhue e pastaj zbret në lumin Drin.

Mirdita administrative është themeli i Shqipnisë së Arbrit duke përjashtuar “Dukagjinin”. Si njësi administrative, me 12 bajrakë (flamuj), ajo shtrihet në juglindje të Shkodrës dhe Vau i Dejës shënon cepin veriperendimor të saj.

Qeveria e Vlorës më 22 nëntor të vitit 1913 miratoi ligjin “Kanuni i Përshtatshëm i Administratës Civile të Shqipërisë”, i cili në thelb jepte hollësi të ndarjes së re administrative të Shqipërisë, larg praktikave të vjetra turke. Në kohën kur ky ligj hyri në fuqi, Mirdita ishte pjesë e 16 prefekturave.  Më vonë ky numër u reduktua në 9 syresh. Në regjimin e Zogut, Mirdita u bë nënprefekturë e Shkodrës.

Në vitet ’2të të shekullit të XX, krahinat si Orosh, Spaç, Kuzhnen e Fan, u administruan nga nënprefektura e Mirditës (viti 1922) ku qendra ishte në Vaun e Dejës në varësi të Prefekturës së Shkodrës. Më 11 nëntor të vitit 1922, qendra e nënprefekturës u shpërngul nga Vau i Dejës në Ungrej.

Parlamenti i Shqipërisë më 28 prill 1926 vendosi transferimin e nënprefekturës së Mirditës nga Ungrej në Shpal. Si një ndër vendbanimet më të vjetra të Mirditës së shekullit XII.

Sipas organizimit administrativo-territorial të vitit 1928, Mirdita mbeti në nënprefekturën e Shkodrës, organizim ky që u ruajt deri në fillim të vitit 1947, me ndonjë ndryshim të vogël.

Pas çlirimit të vendit me dekret nr 106 datë 08.08.1946 u shpall ligji nr 273 mbi “Këshillat Popullorë”. Sipas këtij ligji, këto këshilla, ushtronin pushtetin në njësitë administrative lokale si: lokalitete, (fshatra dhe qytete te vogla), qytete, komuna e nënprefektura siç ishte Mirdita.

Ndarja administrative-territoriale u pasua me dekretin nr 546, datë 06.11.1947 “Mbi ndarjen e re administrative-tokësore të RPSH-së”, ku Mirdita emërtohet rreth me qendër në Gjegjan (për pak kohë) në varësi të Prefekturës Shkodër. Komunat u zëvendësuan me lokalitete.

Përmirësimi i mëtejshëm i ndarjes administrative u rregullua me dekretin nr 1716 datë 20.08.1953 dhe ligjin nr 1707 të Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH-së, i cili suprimoi nënprefekturat dhe territori i vendit u nda në qarqe, rrethe, lokalitete dhe fshatra.

Përmirësim të dukshëm ndarja territoriale e RPSH-së pësoi me dekretin nr 4267, me datën 11.04.1967 ku vendi u nda në 26 rrethe, por me ndryshime strukturore. Në bazë të këtij dekreti rrethi i Mirditës përbëhej nga qyteti i Rrëshenit, 4 lokalitete.

Pas vitit 1967 shfaqet emërtimi i ri “fshati i bashkuar” si element i kooperimit bujqësor. Krahas fshatrave të bashkuar që përbënin kompaktësi territoriale u shfaqën fshatra të bashkuar me shkëputje territoriale. Kjo lidhej me organizimin ekonomik të ndërmarrjeve ekonomike.

Me ligjin nr 7572 datë 10.06.1992 “Për Organizimin e Funksionimit të Pushtetit Lokal”, Këshilli i Ministrave në qershor të këtij viti, bëri ndryshime në ndarjen administrative-territoriale dhe sipas kësaj ndarje njësia më e madhe amdinistrativo-territoriale u bë Prefektura.

Republika e Shqipërisë u nda në 12 Prefektura dhe 36 rrethe.

Kufinjtë administrativë të Mirditës nuk u prekën. Rrethi i Mirditës ishte pjesë e prefekturës së Lezhës. Në bazë të kësaj ndarje, Mirdita u organizua ne 6 komuna që ishin: komuna Rubik, Kaçinar, Fanë, Orosh, Kthellë e Selitë dhe bashkia Rrëshen.

Me ligji nr 8653 datë 31.07.2000, u suprimuan Prefekturat dhe njësia më e madhe administrative-territoriale u bë Qarku.

Rrethi i Mirditës, sipas kësaj ndarje, ishte pjesë e Qarkut të Lezhës dhe përbëhej nga 5 komuna: Kaçinar, Fan, Orosh, Kthellë e Selitë dhe 2 bashki, Rrëshen dhe Rubik. Mirdita kishte 81 fshatra e 4 qytete (Rrëshen, Rubik, Kurbnesh, Reps).

Më 31.04.2014 me ligjin e ri “PËR NDARJEN ADMINISTRATIVO-TERRITORIALE TË NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, në 61 njësi të reja të qeverisjes vendore bën pjesë dhe bashkia e Mirditës.

 

Pozicioni:

 

Mirdita  gjendet në zonën verilindore të Shqipërisë, kufizuar nga veriu me Pukën dhe Kukësin, veri-lindje me Kukësin dhe Dibrën, jug-lindje me Matin e Kurbinin dhe nga perendimi me Lezhën. Ka një sipërfaqe prej 86.700 ha, popullsi rreth 47,010 banorë.

 

Ndërtimi gjeologjik

Mirdita  shtrihet i gjithi në zonën magmatike “MIRDITA”.Përbërja gjeologjike e territorit të Mirditës është përgjithësisht magmatike-efuzive (ultrabazikë, bazikë, terrigjenë etj) por në Veri, Verilindje dhe Jugperëndim shtrihen pllaja dhe kurrize malore sedimentare karbonatike.

 

Relievi

 

Mirdita  nga pikëpamja morfologjike (pamja fizike) është territor malor. Lartësia mesatare mbi nivelin e detit është 557 m. Kjo lartësi në pamje të parë duket si kodrinore, por dendësia e copëtimit horizontal 7-8 km/km2 e justifikon këtë lartësi. Lartësia mbi 80 m mbi nivelin e detit e deri në 2121m (Maja e Kunorës) janë treguesit e kontrasteve shumë të mëdha të relievit.

 

Bimësia, pyjet

 

Bimësia në Rrethin e Mirditës është e shumëllojshme, falë larmisë litologjike, relievit dhe kushteve klimatike. Larmia e saj fillon nga shkurret mesdhetare me gjelbërim të përhershmëm e deri tek kullotat alpine.

 

BUJQËSIA

 

Në bashkinë e Mirditës tokat janë të larmishme, gjë që lidhet me faktorë morfologjikë, morfogjenetikë e morfoklimatikë. Në Mirditë, në lartësitë 0-600m, shtrihen tokat e hirta, të hirta kafe, të kafta dhe pjerrësia shkon nga 20 deri në 30%, me taban të cekët deri mesatar. Janë të varfëra me N (azot) dhe P2O5 (fosfor) dhe mesatare në humus e K2O (potas). Aciditeti i tyre lëviz nga 4.5 deri në 6 pehash (ph). Nga përbërja mekanike ata i përkasin tipit argjilor- argjilor i mesëm. Në lartësitë 600-1000m shtrihen kryesisht tokat e kafenjta. Në lartësitë 1000-1600 m shtrihen tokat e murrme pyjore dhe mbi 1600m tokat livadhore malore.

Për shkak të larmisë së madhe të relievit dhe kushteve klimatike, në sektorë të veçantë, vihen re inversione të bimësisë dhe të tokave.

 

Rrësheni, qendra e Mirditës

 

Qendra administrative e Mirditës është Qyteti i Rrëshenit, i krijuar si i tillë më 25 prill të vitit 1949.Historia e Bashkisë Rrëshen formohet hap pas hapi me hapjen e shkollës së parë shqipe 1906 në Kodër Rrëshen, të shkollës së parë 7 vjeçare në Rrëshen më 1947, të konviktit të kësaj shkolle më 1952, të shkollës së parë të mesme më 1960, të Pallatit të Kulturës, të Kinemasë së qytetit, të Spitalit të qytetit, të Muzeut Historik të Rrethit të Mirditës, të Stadiumit të futbollit, të Pallati të Sportit “Arjana Arapi”, Katedralja e Rrëshenit, Qendra Profesionale “Shën Jozefi Punëtor”, etj. Përmes Mirditës kalon rruga katërkalimshe që lidh Durrësin-port me Kosovën si dhe aksi tjetër që lidh autostradën (Rrëshen)  me Matin. Qendra e Dioqezës për Verilindjen është në Rrëshen.