– Në përgjigje të situatës emergjente të krijuar nga Covid–19 (Coronavirus) –

Kryetari i bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj, ka thirrur sot mbledhjen jashtë rradhe të këshillit të bashkisë, pas situatës emergjente të krijuar nga Coronavirus (Covid-19), i cili tashmë rezulton të ketë prekur vendin tonë në disa raste, mbledhje kjo e mbështetur në ligjin “Për Vetqeverisjen Vendore” dhe ligjin “Për Mbrojtjen Civile”.

Në këtë mbledhje jashtë rradhe, të drejtuar nga kryetari i këshillit z.Pjetër Pjetri dhe me praninë e këshilltarëve dhe të drejtuesve të sektorëve social, juridik dhe financës në bashki, u diskutu dhe u miratu projektvendimi “Përdorim fondi emergjence me një shumë deri në 2.000.000 lekë: Dezifektim për virusin SOVID-19, në mënyrë që të ndërhyhet me dezifektim në gjithë institucionet sociale-kulturore e shkollore në vartësi të bashkisë Mirditë, parqet e kudo ku jepen shërbime publike, por dhe në sheshe e rrugë.

Gjithashtu në këtë mbledhje eshte diskutuar dhe miratuar edhe ndihma sociale për muajin shkurt, për ato familje që përfshihen në 6 përqind-shin.

Këshilli bashkiak dhe kryetari i bashkisë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-2019, sipas urdhrit nr.132, datë 08.03.2020 të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,   riitheksojnë se pos detyrave, që u dhanë për sektorët e ndryshëm në bashki për t’iu përgjigjur kësaj situate emergjente delikate, bëjnë thirrje për një kujdes të shtuar qytetar si në qytete dhe fshatra, për të respektuar udhëzimet e institucioneve përkatëse shëndetësore, por dhe duke mbajtur higjienë të lartë kudo në mjedise familjare apo publike, duke rritur shkallën e bashkëpunimit komunitar.