Kryetari i Bashkisë Mirditë, z.Ndrec Dedaj, në prani të Prefektit të qarkut të Lezhës, z. Gjergj Prendi ka zhvilluar ditën e sotme një mbledhje me përfaqësues nga institucione të ndryshme të Bashkisë Mirditë në kuadër të marrjes së masave për emergjencat civile.
Ndër të tjera mbledhja konsistoi në njohjen me Komisionin Vendor për planifikimin e përballimin e Emergjencave Civile e krizave; miratimin e planit të masave për parandalimin e mbrojtjen nga emergjencat civile gjatë situatës dimërore 2017-2018.
Gjithashtu ndër të tjera u raportua lidhur me masat e marra për sigurimin e rezervave dimërore me medikamente mjekësore për zonat që bllokohen nga dëbora, masat e marra për gjëndjen e gadishmërisë të digave të rezervuarëve.
Kryebashkiaku u shpreh se është bërë gjithçka ka qenë e mundur në raste tërmetesh, ku janë konstatuar dëmet, dhe janë marrë masa për të akorduar fonde të posaçme për të prekurit.
“Problem mbeten disa ura, dhe mbrojtje lumore, në njësitë administrative, si dhe problem vazhdon të jetë mbrojtja lumore e unazës Rrëshen” tha z. Dedaj.
Ndërkohë Prefekti i qarkut Lezhë z. Gjergj Prendi, pasi u njoh me problematikat në njësitë e bashkisë nëpërmjet përfaqësuesve të saj, bëri të ditur se çdo informacion duhet të jetë i raportueshëm, dhe transparent në instancat zinxhrë.
Gjithashtu ai bëri thirrje se në raste emergjencash civile duhet të jemi të gjithë të mbledhur, për të realizuar punën në mënyrën më të mirë të mundshme.