Lugina e Fanit në Mirditë sëshpejti do të ridimensionohet përsa i përket përmbajtjes së pyllëzimit në faqet e maleve të saj. Situata e rëndë që prezantohet prej shumë vitesh, ka bërë që qeveria të kthejë vemendjen nga këto male. Në këtë kuadër, prej ditës së sotme ka filluar aksioni për mbjelljen e 1500 fidanëve të akacies që siç dihet, kanë një imapakt mjaft të madh në përmirësimin e  cilësisë së tokës, në shmangien e erozioneve etj. Një situatë e tillë vjen menjëherë pasi qeveria shqiptare ka shpallur Moratoriumin 10 vjeçar për ndalimin e shfrytëzimit të pyjeve.

Në ceremoninë e fillimit të punës në afërsi të qytezës së Repsit kanë qenë të pranishëm Zv/ Kryeministri Niko Peleshi dhe Ministri i Mjedisit z. Lefter Koka, të cilët janë pritur nga Kryetari i Bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj.

Në fjalën e tij Zv/Kryeministri Niko Peleshi u shpreh se qeveria shqiptare ka vendosur të përmbysë qasjen ndaj mjedisit duke investuar tek shkaqet. “Ka pasur një keqmenaxhim të pyjeve gjë që e ka detyruar Ministrinë e Mjedisit dhe Qeverinë Shqiptare të ndërmarrë masën drastike të moratoriumit. Moratoriumi do të shoqërohet me sanksione shumë të forta për ata që do të guxojnë që ta shkelin atë. Ndërkohë kemi shtuar forcat duke decentralizuar kompetencën edhe tek pushteti vendor.

Ndërsa Ministri Koka tha se se rehablilitimi i sipërfaqeve të degraduara dhe ripyllëzimi do të vijojnë gjatë gjithë vitit në mbarë vendin si masa dhe investime paralele me Moratoriumin 10 – vjeçar të ndalimit të shfrytëzimit të pyjeve. Ministri Koka theksoi se bëhet fjalë për një sensibilzim të politikës dhe të shoqërisë shqiptare që kjo masë drastike të jetë funksionale.
Në përfundim Kryetari i Bashkisë z. Ndrec Dedaj ka cilësuar si çelës të suksesit bashkëpunimin mes pushtetit vendor dhe atij qëndror. Duke vijuar më tej ai tha se Në fjalën e tij për mediat, Kryetari i Bashkisë Rrëshen, Z. Ndrec Deda tha se do të bashkëpunojë me pushtetin qendror për të rehabilituar sipërfaqet e degraduara pyjore. ”Po të shikoni të gjithë Rrugën e Kombit do të vini re se erozioni ka bërë punën e vet. Si kryetar bashkie do të bashkëpunoj me pushtetin qendror për të mbjellë fidanë dhe për të rigjeneruar pyjet dhe sipërfaqe të tjera të degraduara”, përfundoi z. Dedaj.