Kantina Arbëri, Rigersi si gjenerata e dytë për një histori që do të vijojë…

Rigers Kaçorri është enologu i lindur në Mirditë, pasardhës i themeluesit të Kantinës së Verës “ARBËRI”. Nuk është një emër vërtet i ri në tregun shqiptar, pasi prej vitesh, ka prezantuar familjen dhe veten, si trashëgimtar i pasionit dhe biznesit njëkohësisht.

Sipas tij, dy janë gjërat që kujton nga vegjëlia në familje. E para, se vera konsumohej gjithmonë në tavolinën e familjes dhe, e dyta, rrugëtimin dhe sakrificat e të atit për të ndërtuar atë çfarë “ARBËRI” është sot.

Risjell ndër mend traditën e viteve ’95 – ’96, shumë përpara se të lindte “ARBËRI”, që në çdo sezon vjeljeje, së bashku me disa kushërinj angazhoheshin në vreshtat e familjes dhe prodhonim verë në mënyrë tradicionale. “Që në këtë moshë më lindi pasioni për verën, i cili u përforcua më shumë nga im atë, puna e të cilit ka befasuar të gjithë vizitorët në Kantinën “ARBËRI”.

Në atë kohë, edhe pse isha i vogël, qëndroja gjithmonë afër babait duke u vetofruar në marrjen e përgjegjësisë së fëmijës së madh në familje, ndërkohë që të gjithë jepnin ndihmesën e tyre. Edhe ime më, e cila ndan tjetër profesion, ka qenë mbështetëse në sipërmarrjet sfiduese të babait. Kuptoja që ishte një ëndërr e tij dhe përpos vështirësive të sistemit, vendosmëria e tij, medoemos do ta bënte të suksesshëm.

“Ne nuk kishim përvojën për të realizuar një gjë të tillë, por me punë dhe përkushtim ia dolëm” – thotë Rigersi.

“Kantina ‘ARBËRI’ është një nismë e Fran Kaçorrit që prej vitit ’98 – ’99 kur nisi ndërtimin dhe rikonstruktimin e disa magazinave që ishin në pronësi të familjes, si dhe investimin disavjeçar në vreshtat, pronësi e familjes, në zonën e Mirditës. Rreth vitit 2002, si produkt i këtij mundi, lindi Kantina ‘ARBËRI’.

Rigersi kujton se në familjen e tij pihej gjithmonë një gotë verë, kulturë e qytetit katolik të Mirditës. Përforcimi i traditës dhe dëshira për të kontribuar në biznesin e familjes, janë arsyet pse ai vendosi të ndiqte studimet e larta në degën e enologjisë në Universitetin e Bolonjës, dhe më pas specializimin në Firence, duke qëndruar për disa vite pranë Toskanës së njohur botërisht për verërat.

“Edhe pse hera-herës mendoja se po studioja për një fushë që nuk kisha shumë njohuri, lidhja e kahershme me kantinën ma lehtësoi përballjen me përvojat italiane, franceze apo spanjolle, të cilat aq sa ishin sfiduese po aq më rritën profesionalisht”.

Përpos njohurive të marra nga studimet si enolog, Rigersi tregon se me specializimin që bëri më tej, arriti të fitonte aftësi organizative dhe menaxhuese në një kantinë të prodhimit të verës, të cilat u përçuan në funksion të biznesit familjar.

“Sot Kantina prodhon verë Kallmet 100%, nga vreshta të një sipërfaqeje 25.5 hektarë në pronësi të Kantinës, por punon me një sërë familjesh mirditore, ku ka një sipërfaqe prej rreth 100 hektarësh. Prodhimi i varieteteve autoktone shqiptare është mbi 90% e prodhimit të verës Arbëri.

“Fillimet kanë qenë vërtet të vështira dhe nuk e di sa do të mundja ta ngrija nga hiçi një biznes të tillë, sikurse bëri babai. Me kalimin e viteve dhe me fitimin e përvojës, familja investoi më shumë në vreshta dhe teknologji. Synimi kryesor ka qenë përpunimi i varieteteve autoktone shqiptare, edhe pse kjo gjë në fillim dukej e pamundur, sepse varietetet tona nuk njiheshin në asnjë vend, por duhet theksuar se duke qenë autoktone, ato janë vlerë për origjinalitetin e produktit tonë”, -thotë ai.

“Nuk e mendoj të largohem apo të krijoj diçka tjetër. Besoj se puna dhe energjitë tona, e imja, vëllait dhe motrës, do të jetë në funksion të kantinës. Mendojmë se, si brez i së ardhmes, mund të shtojmë ide të reja në biznes, inovacion apo investime në sektor mbështetës për prodhimin e verës, por jo të largohemi prej tij” – thotë Rigersi, i cili që tani, projekton edhe dëshirën e idenë që edhe fëmijët e tij të rriten me të njëjtën frymë pasioni për trashëgiminë familjare.

 

microsoft project 2016 lizenz kaufen

Leave a Comment