Me ftesë të kryetarit të bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj, bëri një vizitë zyrtare shkëlqesija e tij Ambasadori i Konfederatës Zvicerane në Shqipëri, Adrian Maître.

Kryebashkiaku Dedaj, e priti ambasadorin zviceran në mjediset e Bashkisë sëbashku me një pjesë të stafit drejtues, ku pos falenderimeve, është diskutuar gjërësisht për projektet zvicerane dhe ndikimin e tyre në zhvillimin strategjik të kësaj bashkie dhe komunitetin e gjërë mirditas. Vlen të përmendet ndihma e vazhdueshme ndër vite që Zvicra ka ofruar për pushtetin vendor në Mirditë dhe konkretisht nëpërmjet programeve DLDP, RDPA, Bashki të Forta etj.

Ambasadori u njoh gjithashtu me prioritetet për një zhvillim të qëndrueshëm të Bashkisë Mirditë si dhe problemet më thelbësore që ndeshen në mirëfunksionimin e shërbimeve për komunitetin duke sjellë dhe qasje respektive nga të dy vendet, përvoja e praktika që mund të aplikohen dhe në vendin tone e konkretisht në bashkinë Mirditë. Ambasadori ishte i gatshëm për të dhënë ndihmën e tij edhe përmes projekteve trajnuese që të rritet efikasiteti i adminisratës publike në bashki për të qenë sa me fleksibel në lidhje me komunitetin dhe nevojat e tij. Ai tha se Zvicra me kontributetet e saj në Shqipëri renditet ndër të dytët a të tretët ndër partnerët bilateral, dhe se ashtu si dhe deri më sot do vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë edhe për dekada të tjera.

Rivitalizimi dhe muzealizimi i ish-Burgut të Spaçit ishte një nga prioritetet, e cila u diskutua dhe ku palët shprehen qëndrimet në respekt të kësaj çeshtje sa sensitive aq edhe të domosdoshme. Ambasadori u njoh me hapat e ndërmarrë nga Bashkia Mirditë për zhvillimin e këtij Monumenti të Trashëgimisë Kulturore si Muze i Kujtesës, që ndodhet në territorin tonë, duke marrë përsipër një lobing në rang ambasadorësh, gjë për të cilën u la dhe një takim për javët në vijim me disa prej tyre në bashkinë e Mirditës dhe vizita konkrete në terren.

Kryetari i bashkisë z. Dedaj, i theksoi ambasadorit, se është shumë i nevojshëm ky harmonizim faktorësh në mënyrë që ndërmerren hapa për një projekt shterrues, pasi ky atraksion muzeal dhe turistik njëherit, është nga më të veçantët në Evropën Lindore, cka do t’i shërbente ruatjes së Kujtesës për gjeneratat që vijnë, por njëherit do të ketë impakt dhe në zhvillimin e zonës.

Në fund u ndanë dhe dhurata reciproke, ku nga ana e z. Dedaj, ambasadorit të nderuar, iu dhuru stema e bashkisë Mirditë e punuar në filigram si dhe produkti tashmë i njohur nga vreshtat e Mirditës, vera Arbëri.

Leave a Comment