Falë një projekti në mes bashkisë Mirditë dhe ambasadës japoneze në Tiranë, u arrit të realizohej ardhja e një makine të re teknologjike për mbledhjen e mbetjeve urbane në Mirditë dhe 130 kontenierë të mbetjeve në kuadrin e skemës “Grante për Projekte të Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal” (GGP) të vitit fiskal 2020.

Këto ditë në sheshin përpara Bashkisë së Mirditës, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të këtyre aseteve të reja moderne që do shërbejnë për një territor më të pastër. Gjatë ceremonisë, Z. Dedaj, Kryetar i Bashkisë, i shprehu mirënjohjen e tij Qeverisë së Japonisë dhe ambasadës, që është treguar menjëherë e gatshme për ta realizuar këtë projekt, duke ndikuar në nevojat që kemi për rritjen e flotës pastruese në gjithë territorin e bashkisë Mirditë.
Ai shtoi se territori i bashkisë që drejton është tepër i gjërë dhe vetë bashkia me mundësi të pakta, qoftë teknike qoftë financiare, për ta rrokur cep më cep, ndaj ndihma e donatorëve përmes projekteve është pjesë e fortë e “paketës strategjike” që po ndjek bashkia për ta plotësuar këtë nevojë të përditshme dhe për t’i dhënë një pamje të re territorit, gjë që do të ndikojë dhe në përmirësimin e imazhit për turistët vendas apo të huaj.

Nga ana e tij, Ambasadori Takada uroi që automjeti dhe kontenierët e rinj të dhuruar, të përmirësojnë më tej shërbimin e menaxhimit të mbetjeve urbane në Mirditë, ndërkohë që falenderoj për bashkëpunimin korrekt kryebashkiakun dhe stafin e tij për realizimin e këtij projekti.

Më pas, më kërkesë të kryebashkiakut Dedaj, ambasadori japonez me ndihmësit e tij bëri dhe një vizitë tek Stacioni i Zjarrfikësve në Rrëshen, duke u njohur në imtësi me teknikën dhe nevojat, me mendimin që në të ardhmen të ketë një projekt specifik për rritjen edhe të kësaj flote të rëndësishme duke krijuar dhe stacione të tjera në territor për mbrotjen më të shpejtë dhe efikase të komuniteteve nga zjarret dhe dukuri të tjera natyrore.

Leave a Comment