Pas pritjes së ambasadorit të Zvicrës z. Adrian Maitre para dy javëve nga ana e kryetarit të bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj, ku mes të tjerash, është diskutuar gjërë e gjatë dhe për rivitalizimin e Muezut Ish-Burgu politik i Spaçit dhe premtimit të ambasadorit se së shpejti do të ketë një vizitë nga shumë ambasadorë në atë Muze Kujtese, kjo gjë u bë e mundur këto ditë të mesit të tetorit.

8 ambasadorë të ambasadave të ndryshme në Shqipëri, ishin pjesë e kësaj vizite. Takimi i parë u bë në një prej mjediseve të NBT OIL, Reps, ku fjala e mirëseardhjes dhe e hapjes u mbajt nga Sh.T. Ambasadori i Zvicrës z. Adrian Maitre dhe nga Sh.T Ambasadorja e Suedisë znj. Elsa Hastad

Më pas vizita e guiduar në grupe vazhdoi me minibus drejt burgut të Spaçit përmes “Rrugës së Mundimeve”, një emërtim ky i realizuar nga Bashkia Mirditë dhe shoqatat e ish të burgosurve politikë para 1 viti. Zenel Drangu, ish i burgosur politik për 17 vite në këtë burg, u ka rrëfyer ambasadorëve dhe pjesëmarrësve në këtë shtëgtim për kohët e trishta në këtë vend që mund të konsiderohej si “Gulagu shqiptar”. Vizita tjetër e guiduar është përcjellë nga z. Gjetë Gjoni (aktivist lokal për mbrojtjen e ish-burgut).

Ndërkohë që ambasadorët kanë vizituar e parë nga afër mjediset e këtij ish-burgu famëkeq. Ndër të tjerë Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim u shpreh se ky vend është dëshmi e qartë e së keqes së diktatures komuniste. “Unë u bashkova me disa ambasadorë në një vizitë sot në kampin e burgjeve politike në Spaç (“Njësia e Ri-Edukimit 303”). Ky vend është dëshmi e qartë, e tmerrshme e së keqes – nuk ka fjalë tjetër përveç “së keqes” – të Enver Hoxhës dhe Komunizmit.

Ish i burgosuri Zenel Drangu, i cili kaloi 18 vjet në Spaç për arratisjen në Jugosllavi, tregoi për brutalitetin e përditshëm të shkaktuar ndaj njerëzve atje: rrahjet, puna e skllevërve, ekspozimi ndaj motit ekstrem, dezinformatat, mbjellja e dyshimeve të ndërsjella, aktet e pamenduara të sadizmit – të gjitha të krijuar për t’u zhveshur njerëzve dinjitetin, logjikën dhe shpresën. Spaçi duhet të ruhet, në përputhje me statusin e tij si monument kombëtar shqiptar, në mënyrë që të kujtojmë ata që vuajtën, të nderojmë ata që luftuan dhe të na kujtojë të gjithëve se nuk duhet të lejojmë që kjo e keqe të ndodhë përsëri“.

Më pas në sallën-mencë të dikurshme u mbajt takimi lobues për projektin. “Përpjekja e vazhdueshme për të ruajtur Spaçin” prezantim nga Mirian Bllaci, Trashëgimia Kulturore pa Kufi (CHwB Shqipëri). Shumë prej ambasadorëve e morën fjalën duke u shpreh në mbështetje të këtij projekti rijetësues si Muze Kujtese.

Kryetari i bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj, i përgëzoi ambasadorët për këtë vizitë, duke bërë dhe një panoramë të ecurisë së këtij projekti, por dhe ngërçeve që e shoqërojnë përgjatë rrugës. Ndër to, më kryesore, mbetet pronësie, duke u shpreh se bashkia është e gatshme ta marrë nën shërbimin e saj si vend Muze dhe atraksion turistik.

Leave a Comment