-Dedaj: Jam i sigurtë, që bashkëpunimi ndërmjet forcave të armatosura dhe Bashkisë Mirditë do avancojë me qëllim përmirësimin e rrugëve, dhe për të çuar në fund misionin e bashkimit të Matit me Mirditën.

Rizvani: Nuk ka asnjë njësi administrative në Bashkinë e Matit, ku nuk ka lënë gjurmë Komanda Mbështetëse në përmirësimin e rrugëve, ndërtimin e “Urës së Belit”.

Mimi Kodheli: Ishte një mbështetje e mirë edhe për qendrën stërvitore të Bizës, e cila do të mirëpresë në shtator të këtij viti stërvitjen e madhe “Joint Effort 2016” me pjesëmarrjen e FA shqiptare, SHBA, Britanisë së Madhe, Italisë dhe vendeve të tjera anëtare të NATO.

Çdo ditë e më shumë, rruga më e re në territorin e Mirditës, por edhe të Matit, po merr fizionominë e plotë për funksionin që do të ketë. Janë afro 16 km që do të lidhin Rrëshenin me Ulzën, 11.5 km prej të cilave janë në gjurmë të re, pa qënë kurrë rrugë ndonjëherë. Por edhe në pjesën prej 4.5 km janë shfrytëzuar disa variante rrugësh të hershme, që më së shumti kanë qënë në shërbim të shërbimit pyjor.

E nëse puna vazhdon, Komanda Mbështetëse  gjatë punës së saj, ndonëse në kuadër të stërvitjes periodike vjetore “Mirdita 2016”, është vizituar nga grupe interesi, banorë të shumtë që mezi presin ta kenë atë rrugë, drejtues të bashkive respektive Mirditë e Mat, zv/ministri i mbrojtjes Petro Koçi e shumë të tjerë.

Ndërsa sot për në kuadër të “ditës së vizitorëve të shquar” komandën e akomoduar në vendin e quajtur “livadhet e Sheshajve” e ka vizituar Ministrja e Mbrojtjes së RSH, znj. Mimi Kodheli.

Stërvitja “Mirdita 2016” është një stërvitje e kombinuar me trupa, e para e këtij lloji, ku strukturat e Komandës Mbështetëse nën drejtimin e Detashmentit CIMIC, elementët e Batalionit të Xhenios dhe Batalionit të Furnizimit kombinohen në veprimtari ndihmuese për komunitetin e zonës së Mirditës dhe Matit. Janë 54 ushtarakë që marrin pjesë në Stërvitjen Mirdita 2016.

Më herët për të pritur ministren Kodheli këtu kishin mbërritur    kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Ndrec Dedaj, kryetari i Bashkisë Mat, z. Nezir Rizvani, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Nazmi Cahani, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Dedë Prenga, ushtarakë dhe banorë të zonës.

Gjatë rrugës së përshkuar në këmbë nga vend parkimi i mjeteve deri në ambientet ku është vendosur komanda, Ministrja Mimi Kodheli është njohur shkurtimisht me punën e bërë në këtë segment rrugor, ndikimin që do të ketë në turizëm dhe kryesisht në lëvizjen më komode për më shumë se 4000 banorëve të Mirditës dhe Matit.

Ceremonia.

Pas një vizite të shkurtër në ambientet e komandës, trupat janë rreshtuar në pritje të paraqitjes së forcës nga Komandanti i Komandës Mbështetëse, kolonel Fatmir Lokaj. Pas ekzekutimit të Hymnit Kombëtar, ka filluar edhe ceremonia zyrtare.

I pari e ka marrë fjalën Komandanti i Komandës Mbështetëse, kolonel Fatmir Lokaj i cili ndër të tjera tha: Komanda Mbështetëse ka kryer një sërë operacionesh në ndihmë të komunitetit dhe mbështetjen e autoriteteve, në ndërtimin e urave “bailey”, me rehabilitimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ndihmën në emergjencat civile, identifikimin, transportimin dhe asgjësimin e municioneve të gjetura në të gjitha njësitë vendore të Republikës së Shqipërisë, si dhe mbështetjen që i është dhënë Inspektoratit Kombëtar për prishjen e objekteve të paligjshme.

Në saj të kësaj stërvitje, përfituesi kryesor është komuniteti i Bashkise Mirditë dhe i Bashkisë Burrel. Kolonel Lokaj, shprehu falenderime për Kryetarin e Bashkisë Mirditë për bashkëpunimin,  Ministren e Mbrojtjes z. Mimi Kodheli, ku vuri theksin se prezenca e saj është shprehje e qartë e mbështetjes që është dhënë dhe po i jepet  Komandës Mbështetëse.

Më tej e ka marrë fjalën z. Ndrec Dedaj, Kryetar i Bashkisë Mirditë:

E konsideroj si një bashkëpunim të shkëlqyer të Ministrisë së Mbrojtjes  të forcave të armatosura të komandës mbështetëse, me Bashkinë Mirditë dhe Mat, theksoi Dedaj. Stërvitja konsiston në ndërtimin e aksit rrugor Rrëshen- Ulëz, aks i cili do i shërbejë si njësisë administrative Ulëz ashtu edhe njësisë administrative Rrëshen. Do jetë një rrugë turistike, që do e zhvillojë këtë zonë, do zhvillojë biznesin turizmin, dhe do përmirësojë cilësinë e levizjes së njerëzve në këto zona. Kjo stërvitje ka patur një aktivitet të zgjeruar të forcave të armatosura përgjatë kësaj periudhe, i cili ka konsistuar në dhurim gjaku të forcave të armatosura për Spitalin e Rrëshenit, në grumbullimin e ndihmave nëpërmjet biznesit dhe shpërndarjen e tyre për të varfërit, si dhe disa të tjera për konviktet e shkollave.  Ju përcjell mirënjohjen e banorëve që përfshin aksi i rrugës Rrëshen –Malaj. Kryetari Dedaj falenderoi për kontributin që është  dhënë dhe po jepet për komunitetin, që nga njëra anë forcat e armatosura po përmbushin detyrimet e tyre për tu stërvitur, por nga ana tjetër Bashkitë dhe Komuniteti përfiton nga përmirësimi i cilësisë së rrugëve. Jam i sigurtë, që bashkëpunimi ndërmjet forcave të armatosura dhe Bashkisë Mirditë do avancojë me qëllim përmirësimin e rrugëve, dhe për të çuar në fund misionin e bashkimit të Matit me Mirditën.

Nezir Rizvani, kryetari i Bashkisë Mat.

Zoti Rizvani pasi falenderoi për praninë e ministres Mimi Kodheli, theksoi se nuk ka asnjë njësi administrative në Bashkinë e Matit, ku nuk ka lënë gjurmë Komanda Mbështetëse në përmirësimin e rrugëve, ndërtimin e “Urës së Belit”. Nezir Ridvani garantoji mbështetje në rastet e ndërhyrjes në të mirë të komunitetit nga ana e Komandës.

Në fund ka përshëndetur Ministrja Mimi Kodheli.

Ministrja e Mbrojtjes, znj. Kodheli në fjalën e saj u shpreh: “Ndihem tepër e nderuar dhe mund të them me plot bindje se stërvitja e parë e këtij lloji, pas shumë e shumë vitesh, është thjesht dhe vetëm një sukses i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Ajo tha se kjo stërvitje ishte një mbështetje e mirë edhe për qendrën stërvitore të Bizës, e cila do të mirëpresë në shtator të këtij viti stërvitjen e madhe “Joint Effort 2016” me pjesëmarrjen e FA shqiptare, SHBA, Britanisë së Madhe, Italisë dhe vendeve të tjera anëtare të NATO. Në vijim ministrja Kodheli falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në shpërndarjen e ndihmave, donatorët, të cilët sollën ndihma për t’ia shpërndarë komunitetit, të gjithë ushtarakët që dhuruan gjak për spitalin dhe të gjithë ata që realizuan një stërvitje kaq të suksesshme. Në fund të fjalës së saj, zonja Kodheli falënderoi edhe qytetarët të cilët iu bashkuan përmbylljes së stërvitjes: “Me shpresën që punë të tjera më të mëdha do të na dalin përpara, suksese më të mëdha do të kemi”.

Zyra e Shtypit

Aleksandër Ndoja

Alsida Keli

kopertine

DSC_1911 DSC_1912 DSC_1930 DSC_1948 DSC_1950 DSC_1955