Picture-0021-400x280Në mbledhjen e radhës që u zhvillua sot, Këshilli i Bashkisë Mirditë miratoi një sërë vendimesh që ishin të paraqitura në rendin e ditës për tu diskutuar. Fillimisht u miratua vendimi për dhënien e mandatit për këshilltarin Arben Dod Kola, që i përket subjektit politik “Partia Aleanca Arbnore Kombëtare”, i cili do të zevendësojë këshilltarin pararendës,  për shkak të dorheqjes së paraqitur prej tij.

Projekt vendimi i radhës kishte të bënte me miratimin e ndihmës ekonomike për muajin Qershor 2016. Më pas seanca vijoi me miratimin e projekt-vendimit  “Për miratimin e Rregullores së Funksionimit të Këshillit të Bashkisë Mirditë”,  ku këshilltarët reflektuan ide pozitive për funksionimin e kësaj rregulloreje.

Më tej u rishqyrtua vendimi Nr.67 datë 25.05.2016 “Për dhënien me qira të sip. 150 m2 në fshatin Kulme, pjesë e fondit Pyjor të Bashkisë Mirditë, për një afat 5 vjeçar, kompanisë “ALBTELECOM Sha” vendim i kthyer nga Prefekti, me nr.09.06.2016. Për këtë projekt vendim pati debate nga këshilltarët, kjo edhe për faktin që disa prej tyre theksuan ankesat e banorëve të këtij fshati. Por pasi u dëgjuan ankesat e tyre,  juristët theksuan që rasti në fjalë nuk ka asnjë bazë ligjore, ndaj dhe u miratua.

Projekt vendimi i radhës që u mor në shqyrtim kishte të bënte me “Miratimin e normativave të konsumimit të karburantit për automjetet e Bashkisë Mirditë”.

Seanca vijoi me miratimin e një ndihme financiare prej 30.000 lekë të reja, për familjen e z. Gjon Preng Kozhuta, për kurimin e një sëmundje të rëndë.

U miratua projekt-vendimi për zgjedhjen e kryetarëve të fshatrave Lëkundë-Selitë, dhe fshatit Lurth, nga ku, z. Fred Përgjoni u emërua për Lëkund-Selitë, dhe z.Vitor Gjet Picaku për fshatin Lurth.

A.Keli