Qindra turistë vendas dhe të huaj shijuan një dasëm turistike të performuar nga artistët e Ansamblit Mirdita, Mjeshtër i Madh, në një prej kullave më të vjetra të Mirditës në zonën e Kthellës. Në mjediset e kullës dhe oborrin e saj ishin ekspozuar produkte të zonës që nga zejet e veshjeve, të çiftelibërjes, bimëve medicinale, projekte turistike të shkollës së mesme Përlat, produkte nga resortet turistike të zones, e të tjera.

Turistët e huaj që vinin nga shumë vende të botës, kanë preferuar që në paketën turistike, të evidentojnë “Turizëm përmes valles shqip” në Mirditë si një risi në turizmin shqiptar. Ndaj dhe është zhvilluar me kujdes gjithë riti i hershëm i dasmës së krahinës, që nga marrja e nuses me krushq, këngët akapelo, lojërat popullore siç bëhen në kësi rastesh, këngë dhe valle të traditës dhe deri tek kulinaria vendase e shërbyer në natyrë në oborrin e kulës, po si pas traditës. Dy palë krushq sollën “nuset” nga kulla e nisjes, një me kalë dhe tjetra me motor ku krushq ishin turistët e huaj, në një mjedis ku spikaste flamuri shqiptar dhe ai i Bashkimit Europian, për të sjellë atmosferë integruese edhe në një dasëm të tillë turistike.

Bashkia e Mirditës, që ishte dhe organizator i këtij eventi, ka shpërndarë dhe Mirënjohje për disa prej operatorëve turistikë të zones, si dhe për grupin e turistëve të huaj dhe familjet e kullave pritëse.

Kryebashkiaku Ndrec Dedaj, përgëzoi faktorin turistik të zonës, trupën artistike që ka performuar një dasëm të hareshme, duke theksuar se ky vit përbën ngjarje në zbatimin e platformës strategjike për turizmin në këtë bashki në mënyrë të organizuar, pasi kjo dasëm turistike, ishte e planifikuar me paketë turistike nga të huaj, gjë që do e vazhdojmë edhe në zona të tjera vit pas viti.

Bashkia e Mirditës ka një plan të detajuar për zhvillimin e turizmit, nisur nga areali i pasur natyror që paraqet krahina, ku rëndësi do i kushtohet zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit duke u bazuar në qëndrueshmërinë ekologjike, në përputhje me biodiversitetin dhe burimet biologjike, qëndrueshmërinë sociale e kulturore si dhe forcimin e identitetit të komunitetit.

Mirdita është një vend me pamje shumë të bukur, tërheqëse, vendi është i sigurte dhe njerëzit janë mikpritës e miqësorë. Ai mbetet në një shkallë të madhe i paprekur nga ndikimi i huaj, njerëzit jetojnë dhe punojnë në mënyrat tradicionale në shumicën e fshatrave dhe kultura lokale shprehet në mënyra nga më të ndryshmet në bazë rajonale.

Kombinimi i këtyre faktorëve e bën vendin të jetë i veçantë dhe vlera potenciale e tij për tregjet e turizmit ndërkombëtar është shumë e lartë, gjë që e tregoi dhe edicioni i 7-të i “Mirdita Turistike” që u përmbyll këtë meskorriku.

Mirënjohjet

Me motivacionin: “Për kontribut të çmuar në pritjen dhe përcjelljen e vizitorëve të shumtë vendas dhe të huaj, shërbimin cilësor dhe me korrektesë, kryesisht,  përmes produktit vendas, duke i dhënë emër të mirë Mirditës edhe në fushën e turizmit”, krybashkiaku Dedaj, vlerësoi

1-“Eko Hotel Marub”

2-“Sofra e Thkellës”

3-Resort “Katundi i Vjetër”

 

Gjithashtu drejtuesin e trupës së turistëve të huaj:

  1. Cees Hillebrand “Për kontributin e vyer në promovimin e kulturës së Mirditës si aset i cmuar turistik shqiptar në shumë vende të botës”

Iclub, shkolla e mesme e bashkuar, Përlat “Për promocionin e turizmit të zonës së Kthellës përmes realizimit të projektit ballafaques kombëtar “’Dixhitalizimi i itinerarit turistik të zonës Kthellë, Mirditë”.

Si dhe:

  1. Fran Dodaj, kryefamiljarin e kullës pritëse në Përlat” Për mikpritjen e shkëlqyer të vizitorëve vendas dhe të huaj në eventin “Mirdita Turistike 2016”, organizuar në kullën e të parëve, ruajtur me kujdes si aset i çmuar i trashëgimisë kulturore të Mirditës”.