Ndërhyrja e radhës në sistemin vaditës të Mirditës, është duke u realizuar fshatin Shpërdhazë, të Njësisë Administrative të Kaçinarit. Prej dy ditësh banorët e këtij fshati po prekin nga afër atë që për 15 vite e kanë kërkuar me insistim, por nuk është realizuar deri më sot. Ata janë 13 familje që kanë në pronësi rreth 12 ha tokë, por deri këtë vit ajo është lënë djerrë, vetëm për faktin se nuk kanë pasur asnjë mundësi vaditëse prej më shumë se 15 vitesh. Linja vaditëse që do të përcjellë ujin nga përroi i Shpërdhazës për në tokat e banorëve, është e gjatë 1 kilometër.

Sipas administratorit të kësaj njësie z. Gjet Shkurti, e gjithë linja nga fillimi deri në destinacion nuk do jetë si tani, me kanale sezonale që kërkojnë ndërhyrje të përvitshme, me kosto të lartë dhe humbje të ujit rrugës. Kjo sepse Bashkia Mirditë ka siguruar dhe ka transportuar deri në destinacion të gjithë sasinë e nevojshme të tubove plastikë me garanci shumë vjeçare, ndërsa puna për vendosjen e tyre në linjën e duhur, po kryhet në mënyrë vullnetare nga vetë banorwt. Një ndërhyrje e tillë e cila pritet të përfundojë brenda javës që vjen, siguron në mënyrë afatgjatë ujin vaditës për 12 hektarë tokë. Rijetëzimi i rrjetit vaditës do ti nxisë banorët për ta punuar dhe mbjellur tokën, pasi sipas tyre mungesa e ujit vaditës ka bërë që ajo të lihet pa u punuar për vite të tëra.