Në mbledhjen e rradhës Këshilli i Bashkisë Mirditë me datë 24 gusht 2016, ka miratuar disa projekt vendime, paraqitur nga administrata e bashkisë. Projekt-vendime të cilët u diskutuan, dhe analizuan nga Këshilltarët, nga ku këta të fundit votuan me shumicë votash për miratimin e tyre.

Projekt-vendimi i parë në rendin e ditës ishte përcaktuar: “Për miratimin e ndihmës ekonomike për muajin Gusht 2016, për gjithë njësitë administrative të Bashkisë Mirditë” , i cili u miratua nga Këshilltarët.

Projekt-vendimi i dytë në rend dite ishte: “Për miratimin e linjave të transportit të mësuesve dhe të nxënësve që punojnë e mësojnë jashtë vendbanimit të tyre”. P/Vendim, i cili u shoqërua me një sërë diskutimesh përsa i përket shërbimeve, që Bashkia ofronte në këtë drejtim. Për të shpjeguar më mirë këtë proces, por jo vetëm, edhe për të dhënë më shumë informacion për mënyrën e funksionimit të shërbimeve arsimore në Bashkinë Mirditë, Drejtori i  Zyrës Arsimore pranë kësaj Bashkie, z.Gjon Kola, theksoi: “Zyra Arsimore pranë kësaj Bashkie, është një zyrë shërbimi në funksion të mësimdhënies, dhe jemi të gatshëm për të dhënë maksimumin, pavarësisht disa vështirësive  ndaj të cilave do merren masat e duhura”

Ndërkohë, Kryetari i Këshillit të Bashkisë Mirditë, z.Pjeter Pjetri në fjalën e tij ka propozuar që në mbledhjen e radhës së Këshillit në muajin Shtator  të thirret Drejtoria Arsimore e Rrethit Mirditë së bashku me Drejtorinë Arsimore pranë Bashkisë, që të raportohet për gjendjen e arsimit, dhe masat e ndërmarra, por jo vetëm, edhe të transmetohet një informacion më i detajuar përsa i përket rikonstruksionit të Shkollës se Mesme Rrëshen me parametra të  cilësuara moderne.

Një projekt-vendim tjetër, ishte: Analiza e shpenzimeve Buxhetore për 7-mujorin e parë 2016, ku sipas shifrave rezulton, që Bashkia Mirditë ka ecur me ritmin e duhur në dobi të procesit të përmirësimit të gjendjes ekonomiko-financiare.