Vijonë me ritme të shpejta punimet për rikonstruksionin e Shkollës së Mesme, (Gjimnazi Rrëshen), ashtu siç ishte premtuar më herët  nga kryetari i bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj.  Kjo po realizohet me mbështetjen që ka ofruar Ministria e Arsimit dhe Qeveria Shqiptare. Me realizimin e këtij projekti, nxënësit dhe mësuesit mirditas  do të kenë një shkolle moderne me gjithë parametrat dhe standartet e Bashkimit Europian.

Kjo ndërhyrje për rikonstruksion, e para në llojin e saj përgjatë këtyre viteve, nënkupton një ndryshim rrënjësor, përsa i përket ambienteve të brendshme të shkollës, gjithashtu edhe atyre jashtë saj.

Me një vlerë prej 118,330,065 lekësh me tvsh, po punohet për rikonstruksionin e plotë të shkollës, ku është parashikuar pajisja e saj me sisteme ngrohje moderne, instalime elektrike dhe hidraulike, ambiente bashkohore të brendshme dhe të jashtme, si dhe rijetëzimi i ambienteve sportive, ku përfshihet mes të tjerash edhe ndërtimi në oborrin e shkollës i një palestre të mbuluar, në kondicione normale për zhvillimin e orëve të edukimit fizik, në çdo stinë të vitit.

Afati kohor prej 150 ditësh i lënë në dispozicion për përfundimin e rikonstruksionit të kësaj shkolle duket se do të zbatohet, pasi puna po vazhdon me ritme të shpejta.