Bashkia e Mirditës vijon me zbatimin e projekteve për rikonstruksionin e rrugëve në njësitë administrative të saj, në të cilat nuk është vënë dorë prej vitesh, çka ishte kthyer në një shqetësim të madh për banorët e këtyre zonave.
Është fjala, pikërisht për rrugët Reps-Bulshar-Nënshejt, Klos-Konaj, Klos-Shëngjin-Xhuxhë. Gjithashtu vijojnë punimet për rikonstruksionin e një prite lumore në fshatin Mashtërkor.
Proçesi i punimeve është inspektuar nga kryetari i Bashkisë së Mirditës, z. Ndrec Dedaj, i cili është njohur nga afër me punimet.
Konkretisht në rrugën Reps-Bulshar-Nënshejt, me kontraktor firmën zbatuese “AEK-SHPK” , po realizohen disa punime si, hapja e kanaleve anësore, zbankim dherash, vendosja e tumbinash etj, sipas planifikimeve të projektit. Në vijim do realizohet betonimi i tumbinave si dhe nivelimi me çakëll, sipas parashikimeve në projekt. Në këtë aks rrugor prej 22 km parashikohet që punimet të përfundojnë në fundin e muajit nëntor.
Rruga Klos-Konaj me kontakor firmën zbatuese “MARLUTA-SHPK” po i nënshtrohet rikonstruksionit, ku përfshihen proçeset si gërmim e zbankim dherash, hapje e kanaleve anësore të rrugës, vendosje tumbinash dhe betonimi i kokave të tyre, si dhe shtrimi dhe nivelimi me çakëll. Puna ka nisur një javë më parë, dhe parashikohet që përfundimi i punimeve të bëhet deri në fundin e muajit nëntor.
Ndërsa në rrugën Klos-Shëngjin-Xhuxhë, me kontrakor firmën zbatuese “AEK-SHPK” kanë nisur punimet dy ditë më parë, ku po punohet me gërmimin dhe zbankimin e dherave të rëna në rrugë, hapjen e tumbinave të bllokuara, si dhe hapjen e kanaleve anësore.
Një ndërhyrje tjetër e rëndësishme është realizuar në fshatin Mashtërkorë. Bëhët fjalë për ndërtimin e një “prite-lumore” në këtë fshat, e cila do tu vijë në ndihmë banorëve kësaj zone, të cilët do të shpëtojnë përfundimisht nga dëmtimet në pronat e tyre bujqësore nga, vërshimi i lumit Fanë.
Disa prej këtyre ndërhyrjeve kanë përfunduar me sukses, ndërsa të tjerat janë në proçes.