Nisur nga situata e krijuar për shkak të reshjeve të rëna gjatë mesnatës së kaluar dhe paradites së sotme, janë krijuar një sërë problemesh pothuajse në të gjithë territorin e Bashkisë Mirditë. Janë evidentuar problematika të shumta që lidhen kryesisht me qarkullimin rrugor,  dëme në banesa dhe biznese, si dhe dëmtime të shtyllave së rrjetit elektrik, si rezultat i daljes se lumenjve dhe perrenjave nga shtrati i tyre.

Bashkia Mirditë ka evidentuar problematikat e deritashme që janë krijuar nga reshjet e fundit në  gjithë Njësitë Administrative të saj.

Situata më e rënduar është konstatuar në Njësinë Administrative Rrëshen për shkak të dëmtimeve serioze që ka shkaktuar Lumi-Zme, për pasojë edhe Unaza e Qytetit, e cila është totalisht jashtë funksionit. Edhe ura që lidh Rrëshenin me fshatin Bukmirë e më tej me Kaçinarin, ka rezultuar e bllokuar nga dalja e lumit Fan i Madh sipër trasesë së saj. Theksohet se kalimi në këtë urë është i përkohshëm, pasi përmbytja e saj është parashikuar nga ndërtimi i hidrocentralit, ndërkohe ndërtimi i rrugës së re që është në proces, e shmang përfundimisht këtë problematikë. Gjithashtu është ndërprerë qarkullimi në aksin rrugor Rrëshen-Burrel. Edhe përroji i Kulmes dhe  i Jakajve kanë dalë jashtë shtratit, duke dëmtuar banesa dhe biznese.

Në Njësitë Administrative Kaçinar, Fanë, Kthellë, Orosh, Rubik, dhe Selite ka pasur dëmtime në akset rrugore ku janë konstatuar shembje dherash, dalje e mbetjeve inerte në rrugë, por pas ndërhyrjeve të shpejta nga ana e sektorit përkatës pranë Bashkisë Mirditë, këto akse rezultojnë të kalueshme për automjetet. Kjo është konfirmuar nga Shtabi i Emergjencave Civile pranë Bashkisë Mirditë. Deri në orët e vona të natës mjete të rënda po përpiqen të riparojnë urëkalimin për në fshatin Domgjon, fshat i cili është izoluar nga pjesa e tjetër e zonës.

Bashkia Mirditë ka ndërmarrë të gjitha masat, për përmirësimin e situates duke vënë në gatishmëri brigadën e shërbimeve, shërbimin zjarrfikës, policinë bashkiake si dhe të gjithë kapacitetet njerëzore për minimizimin e pasojave.

Gjithashtu vazhdon puna për evidentimin e dëmtimeve materiale, ndersa ajo qe duhet theksuar eshte se nuk ka dëmtime në jetë njerëzish.

[su_slider source=”media: 4270,4269,4268″ link=”custom” title=”no” pages=”no”]