Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka vlerësuar me tituj të lartë nderi disa prej figurave dhe personaliteteve të rëndësishme mirditase dhe kombëtare, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Mirditës dhe të Kombit.

Më konkretisht:

Familjen Kapidanore  Gjomarkaj me dekoratën  “Gjergj  Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për rezistencën kundër pushtuesit, kontribut në shtimin dhe ruajtjen e vlerave dhe dijes”

Preng Bib Doda me dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Guxim dhe kontribut në kohët e vështira të popullit shqiptarë”

Preng Mark Prenga dhe Frrok Melyshi me dekoratën “ E artë të shqiponjës” me motivacionin: “Rezistencë në kohë lufte ndaj vlerave dhe vendit”

Dekoratat së bashku me fjalimin përshëndetës u shpërndanë tëk familjarët nga Presidenti i Republikës, ku ndër të tjera ai theksoi, se:

Për një gjë jam i sigurt se nuk mjafton as një simpozium dhe aq më pak një fjalim për të përshkruar historinë e madhe plot sakrifica, përpjekje, luftëra heroike, dhe arritje të trevës së Mirditës. Kjo histori ka zanafillë të largët që nga koha e ardhjes së Shën Palit në Iliri së bashku me apostujt e tij aty rreth vitit 57 pas Krishtit, vit në të cilin ai shkroi letrën drejtuar Romakëve, duke vazhduar me fisin Ilir të Pirustëve si mjeshtra të mëdhenj të përpunimit të metalit të bakrit e duke shkuar më tej me shtetin e Arbrit, me luftën e pashoq dhe të pathyeshme kundër pushtuesve osmanë dhe me rezistencën e hekurt antikomuniste kundër vendosjes së diktaturës së egër në Shqipëri.

Nishani falenderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë ceremoni, dhe bëri thirrje, që shqiptarët të jenë të bashkuar, dhe të bëjnë për njëri-tjetrin,  pavarësisht bindjeve politike .

Praninë e Presidentit të Republikës në Mirditë e përshëndeti Kryetari i Bashkisë, Ndrec Dedaj, i cili ndër tjera tha:

I nderuar shkëlqesia Juaj, President i Republikës,

I nderuar ipeshk i dioqezës Rrëshen,

Të nderuar të ftuar,

Të nderuar pjesëmarrës,

Na ka mbledhur sot një Ditë e shënuar për Mirditën, për të gjithë ne dhe për gjeneratat e ardhshme, që do krenohen me këtë histori të mbrujtur për shekuj me radhë, pikërisht me nderimet që pritet t’u  bëhen disa prej protagonistëve me emër në historinë e një prej trevave më të veçanta të Shqipërisë. Është rasti që, si kryetar i bashkisë, të falenderoj Presidentin e Republikës, shkëlqesinë e tij zotin Bujar Nishani, për vëmendjen e treguar në vlerësimin e figurave mirditase me kontributë të spikatura që nga Rilindja Kombëtare, dhe më tej në fusha të ndryshme, të kulturës, artit, ekonomisë, dhe humanizmit njerëzor.

Natyrisht, nderimet e sotme kanë një simbolikë domethënëse për Mirditën, sepse bëhet fjalë për një nga dyert më të shënuara jo vetëm të Mirditës, por dhe atë Kombëtare, siç  është e njohur edhe në kancelaritë europiane të shekujve, Dera Kapidanore e Mirditës, e cilësuar si  “fisi më klasik, më homogjen dhe më karakteristik në Shqipni”, aty ku ishin ruajtur më së miri doket dhe zakonet shqiptare. Ka aq shumë vlerësime nga studiues e konsuj të huaj, që ashtu siç e thotë At Zef Pllumi, “Mirdita nuk mund të kuptohet pa Derën e Gjomarkajve, e cila është dalluar gjithmonë në kuvendet e mëdha që janë bërë shpesh, ose Mirdita më vete ose me krahinat e tjera, sidomos me Shkodrën në kohën e Bushatllinjëve…”.

Apo tek përcaktimi i Ernest Koliqit, që e përshkruan Kapidanin e Mirditës si  “Rrallë njeri në breznitë e fundit paraqitej ndër ne si princi i Mirditës, i ngjeshun me tharmet ma dalluese të brumit t’onë etnik”.

Kjo histori e Kapidanatit meriton të studiohet e nderohet, pse mbart në kohët e vona dëshmi të strukturave të mëparshme të organizimit, traditave, zakoneve që kjo familje kishte. Meriton të studiohet për shkak të vlerave që trinia unikale si;  Dera e Gjomarkajve, uniteti vetqeverisës dhe Kisha e Mirditës, kishin për ruajtjen e autonomisë lokale në vetëqeverisjen e saj, duke ruajtur zonën nga tendencat e copëzimit, nënshtrimit etj.

Dera Kapidanore e Gjomarkajve ka bërë që Mirdita të njihej në kancelaritë e kohës, mbase,  para se të njihej Shqipëria.  Prijësit e dalë nga kjo derë kanë qenë në poste drejtuese që nga lidhja Shqiptare e Prizrenit, Qeverinë e Vlorës apo Kongresin e Lushnjës. Ata janë pagëzuar me titujt e lartë “Pashë”, “Princ”, “Kapidan”, “Gjeneral brigade”, dhe jo thjeshtë për diabolizëm politik, por dhe për meritë të një krahine të panënshtrueme, që falë intuitës së prijësve të kësaj dere, dijtën të luanin kartat diplomatike përgjatë politikës së kohës në të mirë të Mirditës.

I natyrshëm vjen vlerësimi për Princin e njohur Preng Bib Doda, një fenomen i rrallë në jetën politike të Shqipërisë, me jetëgjatësi 61 vjet dhe 39 vite në iternim! Mirdita e priti me durim dhe vendosmëri epike prijësin e vet përgjatë katër dekadave, i cili që me shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali, pikërisht për  domosdoshmërinë e vlerësimit te rolit te Mirditës e të Gjonmarkajve, i dha atij rolin e Nënkryetarit të  Qeverisë, po ashtu dhe princ Vidi, dhe ku shënohet se “Ai u bë mbrojtësi kryesor i Princit dhe luftoi për shtypjen e rebelimit në Shqiperine e Mesme, në krye të gjitha forcave të Veriut”.

Edhe në vitet që pasuan Prengë Bibë  Doda mbeti njëri ndër politikanët më të shquar te vendit, duke u bërë Nënkryetar i Qeverisë së Durrësit dhe luftëtar i palodhur për çështjen shqiptare.  Në këtë situatë ai e kuptoi më mirë karakterin arkaik të vetqeverisjes në kushtet e ekzistencës së shtetit ndaj luftoi  pa u lodhur për integrimin e Mirdites në strukturat shtetërore. Kjo tregon dhe epjen shtetformuese që  mirditasit e shquar ia kultivuan edhe popullit të vet, pikërisht në vitet e vënies në pikpyetje të ekzistencës si komb.

Duke nderuar  Princin unik të Mirditës dhe Derën Kapidanore, shlyhet në njëfarë mënyre edhe “mëkati i harresës” për një derë kapidanore, që më pas në regjimin komunist,  do të vuante persekutimin  çnjerezor me  6 vetë të varur e pushkatuar, 12 të burgosur politikë, 2 prej tyre të vdekur në burgje; 57 pjesëtarë të familjes me vite të tëra në iternim e ku 2 prej tyre vdiqën atje, etj etj.

Me identitet të spikatur vjen në rradhën e bajraktarëve të vendit, Preng Marka Prenga. Duke nderuar atë ne i bëjmë homazhe nacionalizmit mirditas, i cili u vetësakrifikua me vetëdije për Mirditën dhe Shqipërinë. Prengë Marka Prenga ishte kreu i parë mirditas që e tejkaloi lokalizmin e ngushtë krahinor dhe u bë një atdhetar i njohur, udhëheqës i shquar i kryengritjeve antiosmane për pavarësinë e Shqipërisë. Ai ishte burri që u bë pjesë e qenësishme e sakrificës së sojit të vet dhe një Sovran moral në Mirditë. I përzgjedhur për tu dekoruar është edhe Frrok Melyshi, i bajrakut të Kthellës.

Duke kujtuar gjithë këto momente, si pika referimi, që të sillemi sa më denjësisht dhe të paanshëm me historinë, bashkia që drejtoi, ka vënë një standart të ri marrëdhëniesh në raportet historike, që kanë në thelb të tyre vlerësimin dhe kohezionin social. Ku historia të bëhet frymëzim por dhe mësim, duke sjellë sa më shumë paqe sociale ndër mirditas.

Është kjo arsyeja, që tashmë ndër qytetarët e Mirditës së re, Mirditës që duam ne dhe aq më tepër si detyrim për gjeneratat që vijnë, po piqet për ditë e më shumë vetëdija për ta kundruar historinë si shërbim për të sotmen dhe për të ardhmen dhe jo si pengesë rënkoresh të së shkuarës.

Është rasti ta themi se, kurrë më shumë se sa sot,  mirditorët, që janë në Mirditë apo që kanë migruar dhe emigruar në dhera të huaja, po e kuptojnë se këtë vend mund ta bëjmë më të mirë e më të prosperuar kur bashkëjetohet përtej cdo ndasie për  shkaqe  epokash të ndryshme, apo aq më tepër përtej ndasive politike.

Është kjo arsyeja që si rrallëkund në Shqipëri, bashkia Mirditë, duke i bashkërenduar punët me intelektualët, studiuesit dhe kulturogët mirditas kudo ata janë, u ka dhënë dhe po u jep vendin dhe nderimin e duhur personaliteteve mirditase dhe të tjerë, që me idealin e lartë të tyre kanë lënë shenj pozitiv në çdo epokë dhe momente të rëndësishme historike për krahinën dhe vendin.

Ne ndihemi të privilegjuar që fati dhe bindja e plotë jona, na bëri dëshmitarë dhe nxitës e realizues të vlerësimeve të mëdha për kontributorët e mëdhenj historikë të Mirditës sonë të dashur.

Edhe njëherë faleminderit për Presidentin dhe ekipin e tij në vlerësimin e pritshëm të personaliteteve të shquara të Mirditës ndër shekuj!

Ndrec Dedaj Kryetar i bashkisë Mirditë.

 Në këtë ceremoni, në nder të këtyre figurave, u mbajtën kumtesa nga studiues, shkrimtarë, ndërkaq përshëndeti dhe Ipeshkëvi i Dioqezës Rrëshen, Imzot Palmieri, dhe të ftuar të tjerë, të cilët falenderuan Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, dhe Kryetarin e Bashkisë Mirditë Ndrec Dedaj,  duke shprehen mbështetjen për këto dekorime të figurave të shquara.

Ndërkohë Ansambli Mirdita përshëndeti me këngë dhe valle këtë ceremoni të mbajtur në nderim të figurave të shquara mirditase.

Zyra e shtypit

[su_slider source=”media: 4885,4884,4883,4882,4881,4880,4875,4876,4877,4878,4879″ link=”custom” title=”no” pages=”no”]

Zyra e Shtypit.