Bashkia Mirditë, pas një platforme të larmishme ekspozimesh nga aseti turistik, që disponon në territorin e Mirditës, u paraqit në mënyrë dinjitoze në Panairin e parë Mesdhetar të Turizmit, organizuar nga Ministria e Turizmit në mjediset e  Expocity. Panairi dy-ditor (8-9 prill 2017), ndër të tjera ishte dhe  një qendër forumesh ku morën pjesë  aktorë të rëndësishëm të fushës së turizmit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, por dhe agjenci turistike dhe të trashëgimisë kulturore arbëreshe.

Pas një programi ambicioz, grupi i punës, i ngritur nga kryebashkiaku z. Ndrec Dedaj hartoi dhe realizoi të gjithë paketën promocionale në stendën e dedikuar bashkisë Mirditë. Ndaj dhe paraqitja ishte në kuotën e duhur që nga baneri kryesor nën logon “Zbulo Mirditën”, si oaz atraksionesh të larmishme turistike në Shqipëri të Epërme, realizuar funksionalisht dhe estetikisht me mbështetjen e kompanisë Iceberg Communication.

Në panair iu kushtua kujdes etnokulturës, që nga trashëgimia historike, etnografia përmes subjektit të zejtarëve “Marku” dhe kullave të traditës; produkteve bio me patentë të njohur ndërkombëtarsisht për verërat, Kantina Arbëri; katër dokumentarë dhe reportazhe të përgatitura enkas për këtë event; materialeve promocionale si (Info Mirdita 1,2,3,4,5,6 dhe Info Kulla Mirdita); harta turistike e Mirditës e bërë dhuratë nga Marianne Graf, e cila iu dorëzua kryebashkiakut Dedaj tek pavioni nga z. Skënder Thaçi; shpjegues dhe doracakë të destinacioneve turistike, etj.

Pavioni i promocionit turistik të bashkisë Mirditë, ishte ndër më të vizituarit dhe që ra në sy të shumë turistëve dhe vizitorëve vendas dhe të huaj.

Ministrja  e Turizmit znj.Milva Ekonomi, si dhe drejtori i Agjensisë Kombëtare të Turizmit Ardit Çollaku u ndalën në stendën e Bashkisë Mirditë ku dhanë vlerësime maksimale. Ministrja Ekonomi, tha se Mirdita me këtë promocion, sipas një strategjie të mirëmenduar, na ka treguar se është një vend që duhet stimuluar si pjesë e rëndësishme e guidave turistike kombëtare. Ajo u impresionua edhe nga veshjet e traditës, si dhe guidat turistike, nëpër vendet e trashëgimisë, ritualet e dasmës së performuar nga ansambli Mirdita për turistë të huaj në veçanti.

Edhe mediat e huaja dhe vendase qenë të interesuara për paraqitjen e kësaj ekspozeje turistike të Mirditës, ndërkohë që kryebashkiaku Dedaj, në një intervistë për RTSH-në tha se po punohet për të kaluar nga një fazë e turizmit spontan në atë të organizuar. Përveç masterplanit kulturor dhe turistik, ai theksoi, se me ndihmën e humanistes Marianne Graf, po realizohet praktikisht në terren “Info Kulla Mirdita”, si pikë referimi informative për destinacionet turistike dhe gjithë arealin trashëgimor dhe turistik që ka Mirdita, nga ku vizitorët e vendit dhe të huaj do të kenë mundësi orientimi të saktë, çka do të ndikojë në zhvillimin e turizmit gjithëstinor në këtë krahinë.

[su_slider source=”media: 4977,4976,4975,4974,4973,4972,4971,4970,4969,4968,4967,4966,4965,4964″ link=”custom” title=”no” pages=”no”]