Ansambli Mirdita tashmë do të ketë veshje të reja etnografike. Në kuadër të projektit “Rivitalizimi i Ansamblit Mirdita”, financuar nga kompania “MAK-08″ me president z.Kristian Boçi, është mundësuar pajisja me një set veshjesh të reja etnografike duke përmirësuar këtë aspekt të rëndësishëm për këtë grup artistik, i cili, përveç të tjerash, ndër vlerat më të qenësishme ka mbartur dhe mbart edhe veshjen karakteristike të traditës.

Përmes këtij projekti të zbatuar nga Fondacioni për Zhvillimin e Mirditës, është bërë e mundur blerja e veshjeve të domosdoshme pas një detajimi për të gjithë mungesat që kishte grupi sa i përket veshjeve për aktivitete të ndryshme.

Veshjet e sjella me këtë rast plotësojnë nevojat si për veshjet e burrave, veshjet e grave në disa motive, për të reja dhe të rinj, për nusen e traditës, dhe aksesorë të domosdoshëm për cdo lloj kategorie dhe moshe të artistëve.

Ky është komponenti i dytë që realizohet pas pajisjes me teknikën e audios dhe videoprojeksionit të skenës së pallatit të kulturës në Rrëshen, e ndërkohë që është në zbatim dhe komponenti i tretë që ka të bëjë me instrumentet muzikore. Të tria këto pjesë të rëndësishme të projektit vijnë falë donacionit të z.Boçi, çka i mundëson ansamblit Mirdita komoditet në përgatitjet e tij për koncerte e veprimtari të ndryshme si brenda apo jashtë vendit.

[su_slider source=”media: 5018,5017,5016,5015,5014,5013,5012″ link=”custom” title=”no” pages=”no”]