Në kuadër të projektit “Mirdita Pastron”, Bashkia Mirditë përmes Fondacionit për Zhvillimin e Mirditës po realizon një sërë aktivitetesh me natyrë sensibilizuese, në bashkëpunim edhe me Zyrën Arsimore Mirditë si dhe biznese të zonës. Pas disa fushatave ndërgjegjësuese në gjimnazet e Mirditës, sot lançohet konkursi “Mesazhi më i mirë sensibilizues për Ditën e Tokës”, ku mund të marrin pjesë të gjithë nxënësit e shkollave të mesme të Bashkisë Mirditë.

Përmes këtij konkursi, synohet angazhimi i të rinjve në dhënien e mesazheve sensibilizuese për mbrojtjen e Tokës. Aplikantët mund të marrin pjesë në 3 kategori:

  1. Punime me materiale ricikluese
  2. Video-mesazh (maksimumi 2 minuta)
  3. Përfaqësim artistik (këngë, poezi, valle, pikturë etj)

Aplikantët mund të marrin pjesë individualisht ose në grupe me maksimumi 4 anëtarë.

Fazat e konkursit

Të gjithë nxënësit e shkollave të mesme të Mirditës që dëshirojnë të marrin pjesë në konkurs, duhet të dërgojnë foto të punimeve të tyre, video-mesazhin ose një përshkrim të materialit artistik në adresën e e-mailit mirditapastron@gmail.com

Faza e dytë e projektit pason me kualifikimin e një numri të caktuar aplikantësh ose grupesh, të cilët do të kenë mundësinë të dalin para jurisë për të prezantuar mesazhin e tyre sensibilizues në workshopin që do të organizohet në 20 Prill 2017.

Më pas juria do të zgjedhë nga një fitues për secilën kategori, ku do të shpërblehen me çertifikata dhe një çmim simbolik prej 5000 lekë të reja.

Afati i aplikimit: 25 Prill 2017.

Për pyetje dhe sqarime të mëtejshme ju lutemi kontaktoni në adresën mirditapastron@gmail.com