Në kuadër të projektit “MIRDITA Pastron”, nxënësit e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të Repsit dhe Rubikut kanë kryer sot fushata pastrimi.

Të grupuar, ata pastruan ambjente të ndryshme, duke kontribuar në këtë mënyrë në sensibilizimin e qytetarëve për mbajtjen pastër të mjedisit. Nxënësit mbanin të veshur bluza të bardha të stampuara me emrin e projektit “MIRDITA Pastron”, të cilat u sponsorizuan nga subjekti “EkoMirdita”.

“MIRDITA Pastron” është një projekt i ndërmarrë nga Bashkia Mirditë, ku përmes Fondacionit për Zhvillimin e Mirditës, janë zhvilluar një sërë aktivitetesh, të cilat do të kulmojnë në 22 Prill, Ditën Ndërkombëtare të Tokës. Në këtë projekt, ka patur bashkëpunim edhe me Drejtorinë Arsimore Mirditë, ku është mundësuar përfshirja e nxënësve në fushata sensibilizimi, konkurs për “Mesazhin sensibilizues më të mirë për Ditën e Tokës”, si dhe në fushata pastrimi.

Ndërkohë, ditën e nesërme aktivitetet do të përqendrohen në qytetin e Rrëshenit, duke synuar sensibilizimin e qytetarëve për mbrojtjen e Tokës.

[su_slider source=”media: 5192,5193,5194,5195,5196,5197,5198,5199,5200″ link=”image” title=”no” pages=”no”]