Në 54-vjetorin e lindjes së Bardhok Gjikolaj, i ndarë nga jeta para mbi një viti, është promovuar studimi monografik i autorit, bërë i mundur nga shtepia botuese EGNATIA ne Itali.

Familjarët e tij, falenderuan Bashkinë Mirditë për mënyrën sesi ishte perceptuar dhe si u realizua ky promovim, si dhe vlerësimet e dhëna nga profesorë, specialistë të fushës dhe publiku për një libër që sjell vlerë të shtuar në fushën e gjeografisë për Mirditën.

Profesori Perikli Qiriazi i UT-së,  tha se ky studim përbën një përpjekje dhe kontribut origjinal të autorit për një zonë të veçantë gjeografike në rang lokal, rajonal e kombëtar. Rëndësia e tij është sa teorike e metodologjika, aq edhe me vlera praktike.

Për vlerat e veçanta që përmban ky studim me siguri që do t`u shërbejë nxënësve, studentëve, punonjësve shkencor, mësuesve të gjeografisë, sidomos atyre që zhvillojnë temat rreth vendlindjes, planifikuesve dhe zhvilluesve të territorit etj, aq më tepër që ky territor është marrë në studim për herë të parë.

Më pas pedagogë dhe miq të tij të ardhur nga Tirana, si gazetari i njohur Fatos Baxhaku, sollën kujtimet e tyre nga jeta shkollore dhe eksperiencat në punët studimore përgjatë viteve.

Në përmbajtjen e tij libri përmbledh që nga Harta skematike e Shqipërisë (pllajat Valmur, Didhe, Bjeshkët e Oroshit), Harta gjeologo – tektonike, Harta morfologjike e pllajave Valmur, Didhe, Bjeshkët e Oroshit, Profile gjeologo – gjeomorfologjike, Profili gjeologo – gjeomorfologjik i lumit Urakë, Profili gjeologo – gjeomorfologjik i përroit Shehu i Keq, Profili gjeologo – gjeomorfologjik i përroit  Mallë – Lurës, Harta karstike e Valmurit, Harta karstike e Didhes, Harta karstike e Malit të Shejtit etj.

Specialistët që e morën fjalën në këtë promovim theksuan se libri vjen në momentin e duhur pasi kushtet e sotme dhe perspektive të zhvillimit të gjithanshëm të vendit, veçanërisht nga aspekti i transformimit të mjedisit, kërkojnë një veprim të shpejtë e të ndërgjegjshëm të njeriut që të bëjë të domosdoshëm harmonizimin e veprimtarisë së tij me ligjet e natyrës.

Nisur nga ky synim, punimi “Studim fiziko – gjeografik i pllajave karstike Valmur -Didhe – Bjeshkët e Oroshit”, synon evidentimin e vlerave praktike të këtij territori dhe specifikën e vet në raport me territoret e ngjashme në vendin tonë.

Kryebashkiaku, z.Ndrec Dedaj, ka falenderuar familjarët dhe pedagogët për ruajtjen dhe nxjerrjen në dritë të këtij materiali të duhur që do t’i shërbejë më së miri edhe planifikimit strategjik të turizmit në Mirditë, ndaj ai vjen në kohën e duhur kur bashkia po punon fort dhe në mënyrë të programuar në këtë drejtim.

Vajza e autorit, studente, falenderoi veçanërisht pedagogët që kanë dhënë ndihmë të madhe në nxitjen e këtij botimi si Prof. Dr. Perikli Qiriazi, Prof. Dr. Vasil Kristo, Prof. Dr. Vasil Trojani dhe Bilal Draçi.

Për studimin hartografik ndihmë të veçantë ka dhënë studimi “Mirdita Hartografike”  i Prof. Dr. Pal Nikollit dhe ing. Mëhill Paçuku, të cilët me shumë dashamirësi, por njëkohësisht dhe shumë kurajo kanë ndihmuar për shumë probleme që t’u jet rrugëzgjidhjen e duhur.

Promovimi u gërshetua ne element artistikë si recitime, pjesë orkestrale më artistë të ftuar dhe kuarteti orkestral i ansamblit Mirdita.

Në fund për pjesëmarrësit u shfaq premierë dokumentari mbi jetën dhe veprimtarinë e Bardhok Gjikolaj si student, mësues, dhe punonjës i institucionit vendor në Mirditë.

[su_slider source=”media: 5203,5205,5206,5207,5208″ link=”image” title=”no” pages=”no”]