Kryetari i Bashkisë Mirditë, z.Ndrec Dedaj ka vlerësuar me simbolikën e Mirditës, titullin “Stema e Artë” Padër Franz Winsauerin.

Ceremonia e vlerësimit të Padër Winsauer u zhvillua në Dornbirn, në kuadër të 25-vjetorit të “Projekt Albanien”. Titulli më i lartë i Bashkisë Mirditë u dorëzua nga Kryebashkiaku z.Dedaj me motivacionin “Misionar  i  mirënjohur  austriak, me një kontribut të shquar humanitar në Mirditë për njëzet e pesë vite, përmes Projekt  Albanien  dhe Karitas “Mirdita”, në ndihmë të institucioneve publike e komunitare, si shkolla, kopshte, konvikte, çerdhe, Qendrës së Gruas, si dhe individëve e familjeve në nëvojë, të sëmurëve, të varfërve etj.”

Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Bashkisë u shpreh se duke nderuar Padër Winsauerin, ne nderojmë plejadën e misionarëve  të kombit austriak që dhanë aq shumë për shtetformimin shqiptar që në embrion. “Çdo qytetar i Bashkisë Mirditë që unë drejtoj e njeh Padër Winsauer-in për humanizmin e jashtëzakonshëm që ka treguar dhe po tregon jo vetëm për ndihmën direkte ndaj njerëzve në nevojë, por mbi të gjitha për ngritjen e institucioneve të edukimit me qëllim që Mirdita të vetë-zhvillohet. Mirdita këto 25 vite ka pësuar ndryshime të jashtëzakonshme falë edhe kontributit të Karitas Mirdita.” tha z.Dedaj.

Padër Winsauer shprehu mirënjohjen për vlerësimin e bërë nga Bashkia Mirditë dhe garantoi vijimin e projektit edhe më tej. I pranishëm në ceremoni ishin edhe Drejtori i Karitas “Mirdita”, z.Zef Shtinja si dhe menaxherja e projekteve znj. Luçi Shtinja.

 

[su_slider source=”media: 5251,5250,5249,5252″ link=”image” title=”no” pages=”no”]