Pas një sërë diskutimesh dhe ballafaqimesh me grupet e interesit, specialistë të fushave të ndryshme, shoqërinë civile, komisionin këshillimor qytetar dhe kalimin e tij në komisionin e ekonomisë etj, projekt-buxheti për vitin 2017 iu paraqit Këshillit të bashkisë Mirditë duke marë miratimin në shumicë absolute votash të antarëvë të këshillit.

Në mbledhjen e sotme, më parë është bërë betimi i këshilltarit të ri  zëvëndësues të subjektit politik PSV 1991, Besmir Gjini për plotësimin e vendit vacant ne keshill, dhe më pas është kaluar në diskutimin e gjërë për miratimin e projekt-buxhetit të vitit 2017 të paraqitur në këtë mbledhje.

Në një fjalë përshkrimore më të zgjeruar, kryetari i bashkisë z. Ndrec Dedaj, është shprehur me fjalë falenderuese për antarët e këshillit bashkiak, si të mazhorancës dhe të opozitës,  se ashtu siç përgjatë vitit të kaluar, kanë qenë mbështetës konstruktivë të projekteve zhvillimore të bashkisë, besoi dhe shpresoi se e njëjta gjë do të ndodhë edhe me këtë projekt-buxhet.

Ai u sqaroi këshilltarëve se për përgatitjen e tij janë konsumuar një sërë konsultash dhe ballafaqimesh me ekspertë dhe shoqërinë civile, janë bërë një sërë analizash dhe debatesh analitike, po ashtu janë bërë kalkulimet e duhura që ky buxhet i vitit t’u shërbejë sa më mirë nevojave imediate dhe zhvillimeve perspektive për gjithë territorin e bashkisë, duke rrokur nevoja sa më të gjëra të komunitetit mirditas.

Kryebashkiaku  Dedaj theksoi se, qoftë përgjatë vitit që kaluam, dhe aq më tepër këtë vit, do të ketë rrudhje dore ne shpenzime dhe rritje te kapaciteteve investuese zonë më zonë e fshat më fshat, siç dhe është planifikuar në projekt-buxhet.  Përvoja e deritanishme dhe fakti që në zbatim janë një sërë projektesh madhore dhe projekte që po zbatohen dhe me të ardhurat e bashkisë, bashkëpunimet me donatorët e ndryshëm, bisnesin dhe komunitetin, na tregon se jemi në udhë të mbarë, ndaj dhe ky vit do të jetë vit i shëndetshëm buxhetor për të gjithë sektorët. Ai ftoi të gjithë këshilltarët ta votojnë atë dhe të vazhdojnë mbështetjen për projektet e planifikuara.

Më pas paraqitja e projekt-buxhetit është moderuar nga drejtore ekzekutive e Fondit për Zhvillimin e Mirditës, Edona Daçi, e cila ka dhënë një tabllo në detaje të shifrave, lisprioriteteve, shpenzimeve, investimeve etj.

Këshillit i është sqaruar motoja e këtij projekt- buxheti: “Drejt një buxheti të ri të suksesshëm!”, duke e mbështetur në disa tregues pozitivë të vitit 2016; kryesisht mbledhjen e të ardhurave, investimet e nisura në projekte madhore dhe bashkëpunimin e suksesshëm: bashki-qeveri, bashki-biznes, bashki-komunitet.

Përmes videoprojeksionit dhe materialeve në print janë bërë të qartë për secilin këshilltar projektet në zbatim, ato në vazhdim, projektet e listshënuara si prioritare për vitin 2017, etj etj.

Buxheti për vitin 2017 është i parashikuar në vlerën e 663,158,648 lekëve, specifikuar në burimin nga të ardhurat e veta, grantet dhe shpenzimet.

Bie në sy rritja e të ardhurave në një mase të konsiderueshme si dhe ulja e shpenzimeve me karakter zyrtar dhe operative, siç  ndodhi edhe për vitin 2016 dhe bashkia do të vazhdojë ta ketë në vëmendje si tregues të rëndësishëm.

Më pas u sqaru me tabelë të veçantë për shpenzimet ku bie në sy zëri investime në masën e mbi 50 përqind, kurbë e cila do të vijë në ngjitje vit pas viti edhe me të ardhurat e veta.

Kryetari i bashkisë z. Dedaj dha përgjigje të detajuara për pyetjet dhe sqarimet e kërkuara nga antarët e këshillit, ndërkaq që me propozim të disa këshilltarëve janë shtuar dhe disa projekte në lisprioritete.

Me shumicë votash projekt-buxheti për vitin 2017  është miratuar duke u kthyer në buxhet të vitit në vazhdim, cka do t’i hapë udhë zhvillimit intensiv të bashkisë Mirditë në një vit ku pritet të miratohet edhe Plani i Përgjithshëm Vendor si instrument i rëndësishëm në thithjen e projekteve dhe zbatimin e tyre sipas një strategjie të mirëplanifikuar.

Po ashtu këshilli ka miratuar dhe listprioritetet e projekteve në bashkinë Mirditë për vitin 2017-të.

 

 (zyra e shtypit)

 

 

 

[su_slider source=”media: 4558,4557,4556,4555″ link=”custom” title=”no” pages=”no”]