Duke qenë se Mirdita shtrihet në një reliev kodrinor dhe malor dhe pa dalje në det, mbetet si e vetmja mundësi atraktive për vizitorët vendas dhe të huaj pozicioni i saj lakmues gjeografik me një reliev të larmishëm për t’u zhvilluar turizmi malor kryesisht në verë, por dhe në dimër.
Gjithçka mund të gjejë një vizitor në këto anë, për më tepër prej faktit të kalimit përmbi 70 km gjatësi të autostradës së standartit të lartë mes për mes Mirditës. Joshëse duken kurrizet malore, por dhe malësitë, pllajat karstike, luginat lumore, gropat dhe pragjet. Shkurt është një luginë panoramike nga më të bukurat e botës, siç e përshkruan famullitari austriak Barcata, dhe ne duhet t’i mbahemi fort këtij konstatimi të një të huaji bukur të lëçitur.
Ndaj kam menduar të parashtroj një projekt të zgjeruar në formën e guidave, jo thjeshtë në letër, ato mund të jenë fare të thjeshta me pak njerëz shtegtarë, kryesisht të rinj, si dhe pikante në formën e ciceroneve, tip esse-sh dhe jo raporte butaforike, ku vizitori të njihet me ekstraktin e gjërave. Por më rëndësi, kam menduar, se i duhet dhënë guidës-shtegtim, dmth shtegtimit nëpër këto peisazhe natyrore të shumta dhe me një natyrë magjepsëse të Mirditës. Është një lloj discovery, pasi gjithçka bëhet fare e thjeshtë me pak shtegtarë, nxënës shkollash të huaj vizitorë a të tjerë, me një a dy furgonë a makina fuoristradë, por gjithçka e filmuar me shumë kujdes. Tërë ky material ruhet dhe më pas mblidhet një dokumentar që e jep Mirditën në ato pika që nuk jemi mësuar ta shohim. Këto bëhen të mundur të transmetohen në mediat vizive deri kombëtare.
Guida e peisazhevenatyrore
-Hartimi i një guidë njohëse për Mirditën natyrore
(kemi parasysh Kurrizin e Dervenit, Kurrizin Rrëzë-Maja e Madhe-Munellë, Malësia e Velës, Malësia e Kacinar Kuzhnenit, Grumbulli kodrinor-malor Kthellë, Selitë, Orosh, Lugina e Fanit të bashkuar, Lugina e Fanit të Madh, Lugina e Fanit të Vogël, Lugina e Urakës, Gropa e Ndërfanës, Pragu i Prosekut, Pragu i Livadhëzit)
(Një punë bashkëpunuese me pushtetet vendore, komunat dhe bashkinë e Rubikut
Discovery Mirdita!..
-Nisja e një cikli filmimesh dhe përgatitje dokumentaresh të shkurtër nën logon “Discovery Mirdita!” (bashkëpunimi me njësitë e tjera vendore) (Preventivi 50.000 lekë për secilin) Transmetohet çdo javë në një sallë të përshtatshme, me intelektualë dhe njerëz të interesuar.
-Në siti-in www.bashkiarreshen.com, që këtë javë (4-11 qershor 2007) do të fillojë botimi i një cikli reportazhesh nga vende të spikatura të rajonit tonë, udhëtime përshkruese etj)
Guida e integruar
Bëhet fjalë për shfrytëzimin e pozitiviteteve që paraqet Mirdita si rrallë krahinë tjetër, pozicioni i lakmueshëm gjeografik dhe histori të shumta që e shquajnë nga trevat e tjera.
Për këtë:
-Si e njohën Mirditën të huajt? (Nëpër udhëpërshkrimet e tyre)
-Nëpër Tokën e Katedraleve. (Një shtegtim nëpër kishat, objektet dhe rrënojat e kultit. (Kuvendet benidiktinë, Abacia e Oroshit, abacia e Shën Mërisë në Ndërfanë, abacia e Shënpalit, Kuvendi Franceskan i Rubikut, dhe në disa kisha të tjera e sidomos nëpër rrënoja, dhe duke përfunduar me Katedralen e Re të Rrëshenit)
Guida turistike me karakter kombëtar:
Që këtë verë do të merren masa për të ekzekutuar një udhëtim guidistik me 20 automjete 4×4 të quajtur “Nga Ura e Milotit në bjeshkët e Nënshejtit”.
-Bashkëpunim me pushtetet vendore, Ministrinë e Kulturës, kompaninë Bechtel-Enka
Shtegtime
Një shtegtim nëpër rrugën e pajtoneve.
(Rruga që lidhte Mirditën me detin. Në hartën e Koronelit botuar në Venedik 1688. fillimi në Lezhë-Mërqinjë-Rraboshtë-Kalmmet-Qafa e Kreshtës-Fregën-Përroi i Dibrit-Ungrej-Vau Kryp-Ndërfanë-Simon-Skalla e Madhe-Shpal-Mashtërkor-Grykë Orosh-Mali i Shejtit. Degëzimi tjetër Mashtërkorë-Klos-Qafë Kumbull-Ura e Vezirit-Kosovë. (në 1926-1937 u ndërtua rruga auto Milot-Rrëshen-Përlat-Burrel. PO më 1938 rezulton të jetë ndërtuar rruga Rrëshen-Kukës.
-(Një shtegtim ne disa mënyra, në këmbë dhe me fuoristrada. Imitimi i një shtegtimi me pajton nga Lisat e Marpepaj tek Abacia e Oroshit. (Bashkëpunim me komunat e Ungrejt, Kacinarit, Oroshit, Fanit) Njohja e gjurmës së vjetër dhe vendosja e sinjalistikës në urat e vjetra dhe ndërtimet gurore a të tjera.
Shtegtimi në këmbë dhe me kanoe nëpër ujërrjedhjet e Fanit të Vogël dhe Fanit të Madh.
Guida e krojeve kurative
-Të njohim burimet ujore me vlera kurative.
(Kroj i Bardhë, Kroj i M’Uftëllës në Kulme, në Kaçinarë etj.. (spjeguese të posaçme për to)
Guida e mjekësise popullore
Takim me kultivuesit dhe përdoruesit e bimëve mjekësore.
Guida e lashtësisë
Udhëtim nëpër lashtësinë e pirustëve.
-Njohja e periudhës arbërore në terren. (Kacinar, Bukmirë, Shpal, Bukël, Malaj, Tarazh, Sheshaj, Prosek, Përlkat, Baz etj.
-Nxitja e një procesi gërmimesh në Fushën Papërdhok.
-Vizita në shpellat e lashtësisë: shpella e Mërkurthit, ajo e Valit, pasi këto kanë qenë dhe vendbanimet e para.
-njohja e historisë së pirustëve, në bashkëpunim me muzeun e Matit, duke pasur parasysh Mirditën etnologjike dhe Matin e mesëm ku kanë qenë vendosur.
Njohja e shtetit të Arbërit
Për faktin që autostrada kalon mespërmes Epiqendrës së Shtetit të Arbërit dhe fakti që punimet po hasin dhe në rrënoja, do të ketë një fushatë të gjerë sensiblizuese dhe:
programimin e “rindërtimit” të shtetit të Arbërit, qoftë në maket, por dhe një projekt serioz.
-Më së pari guida dhe sinjalistika.
-Vënia nën kujdes dhe operatorë lajmërues për çdo lloj gjetje nga gërmimet në zonën e Gëziqit, Ndërfanës, Blinishtit por dhe më lart në Fan..
Gudia e dyerve
-Të njohim dyert e mëdha të Mirditës
Që nga Blinishtët, Dukagjinët dhe deri vonë me bajraktarët dhe Gjomarkajt.
Mirdita e paislamizuar
Hipoteza e vendit të lindjes së Gjergj Kastriotit.
Nëpër toponimitë e Skëndërbeut në Mirditë
“Guri Skëndërbeut” në Konaj të Fanit
“Shpella e Skëndërbeut” në Lufaj
Legjenda e Skëndërbeut për Kthellën, Sheben apo vende të tjera.
Njohja e njerëzve të rëndësishëm që kanë luftuar afër Skëndërbeut, Pjetër e Gjon Përlati si dhe gjenerali nga Shebja Pal Kuka.
Kuvendet historike
Tubim në Shpal.
-Organizimi në miniaturë i një kuvendi të hershëm.
-Evokohen Lidhja e madhe e Mirditës më 1570; Kuvendi i Ndërfanës 1595; Kuvendi i Dukagjinit 1602, Kuvendet ndërballkanike 1614, Kuvendi i Blinishtit 1944, Kuvendi i Kashnjetit 1904, Kuvendi i Kalivares, 1911 Kuvendi i Fanit 1911.
Dhe kryesisht Kuvendet e Shpalit (1862, 1876, 1880, 1912.)
Guida e Dijes
Mediatizimi i faktit që shkolla e parë në Shqipëri është ajo e Velës, duke vënë në vend një padrejtësi historike që është e shkruar dhe në librat e historisë për mësonjëtoren e parë në Korcë. (Për këtë të organizohet një tubim me studiues të sferës së lartë në Velë)
Shkollat më të vjetra. (shtegtim nëpër vendet ku janë dhe ku kanë qenë, si ajo e Oroshit 1899, internati, konviket e para e me rradhë)
Guida e vreshtarisë dhe pemtarisë
Vreshtarët më të mirë në rajonin e Mirditës, duke filluar me Bukmirën dhe vreshtarë të tjerë nëpër komuna. (një takim i veçantë me ta)
Panairi i pijeve tradicionale.
 

Guida e blegtorëve

Blegtorët më të mirë të Mirditës.
– Shtegtim në disa vende ku i verojnë ato bagëtinë.

Panair në një zonë bjeshkore me produktet por dhe racat etj të tipit “miss-dashi, cjapi, lopa” a të tjerë.
Guida e bletarëve

Vizita në vendet ku i mbajnë bletët bletarët më të mirë mirditas
-klasifikimi i mjalteve, hojeve, qumështit, dyllit etj.

Panairi i mjaltit
Guida e pasurive nëntokësore dhe bazalteve

Nëpër minierat e dikurshme, por dhe ato që janë rihapur.
Njohja me shkëmbinjtë ultrabazikë dhe bazikë të Kacinarit, gëlqerorët e Shtrungajt dhe të Kurbneshit, inertet e Fanit të bashkuar, argjilat Prosek-Përlat etj.
Guida e kampit muze të Spacit 

Hartimi i projektit për pajisjen e muzeut të Spaçit si një “Mathauzen shqiptar” i kohës së komunizmit.
-Mbledhje dëshmish, relikesh, fotosh, filmimesh. Një takim me ish të burgosur,  por dhe ata që kanë ushtruar funksione në atë burg dhe rindërtimi ekzakt i historive.

Sinjalistika në hyrje të rrugës në afërsi të Repsit dhe një maket në një vend të dukshëm.
Shtegtimi nëpër gjurmën e autostradës

-Një guidë nga punimet e autostradës së re, hap pas hapi.

Monumentet natyrore të Mirditës

-Përmes komunave, organizime tour shtegtimesh në disa nga zonat më të rëndësishme që afishohen si monumente natyrore të Mirditës si:

Munella

Bjeshkët e Kacinarit

Shpella e Grykës së Valit

Shutrria

Lisat e Marpepës

Ultini i Nënshejtit

Rrapi i Kacinarit

Pllaja e Valmorit

Bjeshkët e Oroshit

Kroj i Bardhë

Bargjana,

Kunor-Valmori, Zepa, Guri Nus, etj.

Guida e monumenteve historike

Një cikël shtegtimesh nëpër monumentet historike dhe të kulturës

Duke patur “peshqesh” nga të parët tanë disa vepra unikale në Ballkan, cikli i shtegtimeve dhe filmimeve do të fillojë me

Gurra e Domgjonit (ndërtuar në shek.V të erës sonë)
Kështjella fushore e Vigut (Kastër), në shek IX të e.s, sipërfaqe 0,6 ha, e përforcuar prej 12 kullash.
Guidë e kullave karakteristike si në Selitë, Nënshejt, Mashëtërkorë, kulla e Docit-Rubik, kompleksi i kullave Trojëz të Përlatit, ndërtimet e latuara të Fanit, ato të Spacit etj. Gjithsesj sot Mirdita ka në këmbë plot 2300 kulla.
Po bëhet mediatizim i fortë që të ruhen kullat karakteristike që janë bri autostradës së re si ajo e Sinanajve dhe e Skanajve në Mashtërkorë, Fan apo gjetkë.
Varreza arbërore e Prosekut
Mbishkrimi i Gëziqit dhe Stema e Arbërit, Kisha dhe Kuvendi i Rubikut
Ura e Vaut të Madh
Sistemi i sinjalistikës

Brenda 6 mujorit të dytë 2008, të përfundojë vendosja e gjithë sinjalistikës për monumenet historike, kulturore, vatrat e hershme kishtare etj, nëpër kryqëzimet me rrugët kryesore, sidomos autostradën e re, nga pushtetet vendore.
-Organizimi i një takimi të përbashkët në Rrëshen dhe përcaktimi i gjithë këtyre objekteve me rëndësi për turizmin kulturor, historik dhe natyror në Mirditë, çelja e fondeve përkatëse nga njesite vendore.

Sa i përket bashkisë Rrëshen, organizimi specifike

Parësore ringritja e Muzeut të Trashëgimisë Kulturore. Mundësia e gjetjes së një zgjidhjeje përmes një pallati që mund të jepet për ndërtim, dhe poshtë me dritare të mëdha në formë harqesh, të jetë muzeu. Aty brenda të ringrihet një pavion i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe materiale.
-Realizimin ne mjediset e qendres kulturore të ekspozitave të veçanta në lidhje me historinë e qytetit

-atë të vlerave etnografike, kulinare, etnomuzikore etj ;

-Gjetja e një shtëpie karakteristike që të përdoret si objekt etnografik i kultures materiale te qytetit ku te evidentohen banesat karakteristike me punime druri etj sipas tradites se hershme te ketij qyteti.

Organizimi i ekspozitave me tematikë një objekt të vecantë në fushën e kulturës materiale si ; të zejtarise se qytetit, te prodhimeve tradicionale qytetare, expozita fotografike me pamje tematike.

-Sistemimi i gjithe dokumentacionit arkivor te dokumentave origjinale, kostumeve, historikeve, ngjarjeve te ndryshme te jetes se qytetit vecanerisht edhe te diteve tona, dokumentimi i atyre ngjarjeve qe janë event ne jeten e qytetit, keto te jene te dokumentuara me tekste, me foto, me kronika etj etj

-Për “Trashëgimisë shpirtërore, bashkëpunimi me drejtorinë kulturore për ruajtjen e folkut, veprimtari promovuese në Mirditë, veprimtaritë e ndryshme, por dhe jashtë Mirditës, dhe përbashkimi i Mirditorëve në ditët në Metropol. (çdo vit)

Përgatiti: Gjergj Marku

Leave a Comment