
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Energjisë së Pastër, Bashkia Mirditë ndan me kënaqësi një nga nismat më të rëndësishme në nivel vendor për avancimin e efikasitetit energjetik në Shqipëri.
Përmes projektit “EFFORT”, janë kryer vlerësimet teknike dhe ka nisur përgatitja e masave për përdorimin e energjisë së rinovueshme në mbi 10 ndërtesa publike në Bashkinë Mirditë dhe Komunën Junik.
Pak ditë më parë, modeli i projektit “EFFORT” u diskutua gjerësisht edhe në një panel të dedikuar gjatë Forumit Kombëtar për Energjinë, të organizuar nga Co-PLAN, projekti “EFFORT” si dhe programi GreenAL.
Gjatë panelit, me prani të Kryetarit të Bashkisë Mirditë, z.Albert Melyshi, Kryetarit të Komunës Junik, z. Ruzhdi Shehu, si dhe Menaxherit të projektit, z. Elvis Ndreka, u theksua roli i “EFFORT” në zhvillimin e politikave energjetike lokale dhe në transformimin e godinave në ndërtesa më eficiente dhe të qëndrueshme.
Por energjia e pastër shkon përtej ndërhyrjeve teknike. Ajo kërkon ndërgjegjësim dhe përfshirje të komuniteteve. Në këtë drejtim, projekti “EFFORT” ka zhvilluar dhe vijon të zhvillojë fushata ndërgjegjësimi, veçanërisht me të rinjtë, për rëndësinë e efikasitetit energjetik, energjisë së rinovueshme dhe kursimit të energjisë.
Projekti “EFFORT”, zbatohet nga Bashkia Mirditë, Komuna Junik në Kosovë dhe Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, me financim të Bashkimit Evropian përmes Programit Ndërkufitar IPA Shqipëri–Kosovë.


