Kryebashkiaku  z.Ndrec  Dedaj ka zhvilluar ditën e sotme një takim me kryepleqtë dhe banorë nga fshatrat e njësisë administrative të Kaçinarit. Ai u shpreh se rruga e re që lidh Rrëshenin me Bukmirën e Kaçinarit, pas mbylljes së digës se HEC-it të Qafë Mollës dhe fillimin e mbushjes së basenit, do të përfundojë me të gjitha parametrat sipas projektit, e gjitha e asfaltuar deri më 25 qershor.

Kryetari i Bashkisë iu përgjigj shqetësimeve të banorëve, duke kryer edhe sqarime me përfaqësues të kompanisë turke Ayen As Energy dhe nënkontraktorët që po ndërtojnë rrugën e re pas përmbytjes nga uji  i basenit të urës së Cekajve, nga ku lidheshin fshatrat e Kaçinarit, apo të Kalorit etj, me Rrëshenin e më tej.

Banorët u shprehën se pas përmbytjes së rrugës së mëparshme në afërsi të Cekajve, kanë hasur në probleme të mëdha në lëvizjen e tyre në drejtim të Rrëshenit, pasi ka vështirësi të automjeteve në kalim dhe shqetesimi më i madh i tyre, ka të bëjë me afatet e përfundimit të saj.

Kryebashkiaku z.Dedaj, sqaroi se kur erdhi në krye të bashkisë, fillimisht nuk gjeti fare projekt, pastaj u paraqit një projekt tjetër që e devijonte gati dyfish gjatësinë e rrugës së re sipas projektit që u bë më pas, gjë që ai nuk e ka pranuar.  Më pas kompania në fjalë paraqiti një projekt serioz dhe me parametra të kohës, që rrallë rrugë rurale në Shqipëri mund t’i ketë, që nga gjërësia e asfaltit deri në 5 m, siguri rrugore dhe në sensin më të shkurtër, tek 10,7 kilometra. Kryetari i Bashkisë shtoi se për këtë arsye edhe Bashkia Mirditë ka pranuar të nënshkruajë marrëveshjen me kompaninë në fjalë, vetëm pasi është paraqitur ky projekt nga ku do të kalojë dhe gjurma e rrugës.

Z.Dedaj në mënyrë të prerë kërkoi korrektesën maksimale për përfundimin e punimeve brenda afatit, 25 qershor 2017. Drejtuesi i kompanisë që po ndërton HEC-in, z.Hasan Kisin tha se shqetësimet e banorëve janë të kuptueshme, ndërsa garantoi sigurinë se punimet do të përfundojnë në afat, ndaj i ka kërkuar nënkontraktorit grafikun e punimeve të përditshme.

Edhe drejtuesi i firmës nënkontraktore, z. Kreshnik Cupi,  i është përgjigjur shqetësimit të banorëve, duke sqaruar se disa kërkesa të tyre, po marrin zgjidhje, si për zbutjen e pjerrësisë në një segment të rrugës apo zgjerimin në ndonjë kthesë. Ai premtoi se gjithçka do të kryhet në kohën e duhur, duke dhënë dhe një detaj tjetër, asnjë komunitet tjetër të këtij lloji objekti sic është HEC-i këtu, nuk ka përfituar një rrugë të një standarti të tillë, siç do të jetë në përfundim rruga Rrëshen-Bukmirë.

Në fund të takimit kryebashkiaku Dedaj, ka kërkuar nga stafi i firmë ndërtuese, që të ndjekë me kujdes punimet për sigurinë njerëzore, duke vënë sinjalistikë në çdo vend të rrezikshëm dhe duke punuar me mjetet aty ku krijohen vështirësi qarkullimi për automjetet e ndryshme të zonës.

Ndërkohë më poshtë gjendet edhe video e projektit të rrugës.

1
2
3