Nën drejtimin e Kryetarit të Bashkisë Mirditë, z. Albert Mëlyshi, u zhvillua mbledhja e Komisionit Vendor të Mbrojtjes Civile, në kuadër të përgatitjeve për përballimin e situatave të mundshme emergjente gjatë periudhës dimërore 2026–2027.
Në këtë takim morën pjesë të gjithë anëtarët e Komisionit Vendor të Mbrojtjes Civile të Bashkisë Mirditë, si dhe Nënprefektja e Mirditës, znj. Flora Jushi; Përgjegjësi i Sektorit të Parandalimit, Përballimit të Mbrojtjes Civile dhe Krizave pranë Institucionit të Prefektit, z. Nikoll Tushi; si dhe Drejtori i Qendrës së Mbrojtjes Civile, Rajoni Shkodër, z. Shkëlzen Çuni.
Në fokus të diskutimeve ishte vlerësimi i gatishmërisë institucionale, prezantimi i Planit të Masave dhe Planit të Veprimit, si dhe koordinimi i ndërhyrjeve konkrete për parandalimin dhe përballimin e situatave të mundshme emergjente gjatë muajve të dimrit.
Kryetari i Bashkisë, kërkoi angazhim dhe bashkëpunim të plotë nga të gjitha institucionet dhe strukturat përgjegjëse për identifikimin paraprak të zonave me risk, monitorimin e vazhdueshëm të situatës në territor, evidentimin e familjeve në nevojë dhe marrjen e masave të nevojshme për të garantuar reagim të shpejtë dhe të koordinuar në çdo situatë emergjente.


