Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Kryetari i Bashkisë priti në ambjentet e Bashkisë Mirditë, Ministrin e Brendshëm.

Kryetari i Bashkisë Mirditë z. Albert Melyshi priti në një takim zyrtar Ministrin e Brendshëm z. Taulant Balla, ku u diskutua kryesisht për situatën e rendit publik në Mirditë dhe rritjes së efiçencës së bashkëpunimit në mes institucioneve.

Ministri Balla, i cili shoqërohej nga Drejtori i Policisë së Shtetit z. Muhamet Rrumbullaku dhe drejtues të tjerë të policisë së Shtetit si dhe nga Drejtoria e Qarkut Lezhë, Prefekti z. Gjergj Prendi, Drejtues të Drejtorisë Arsimore tha se:
Institucioni që drejton me gjithë trupën policore do të jetë në krah të komunitetit mirditas për t’i sjellë sa më shpejt rend të sigurtë.
Duke folur për disa masa të marra në rifreskimin e trupës drejtuese të policisë në Mirditë, ai theksoi dhe disa masa konkrete që do të merren në këtë drejtim, duke kërkuar bashkëpunim në mes institucionit të Bashkisë, Nënprefekturës, Prefektit si dhe të vetë komunitetit.
Ministri i Brendshëm ka folur dhe për probleme organizative të policisë në Mirditë, duke premtuar rifreskim të të gjithë strukturës policore dhe rritjes së aftësisë goditëse ndaj krimit.
Kryetari i bashkisë z. Albert Melyshi, duke e falënderuar Minstrin e Brendshëm, sidomos për shtimin e masave të sigurisë kohët e fundit në qytet dhe në gjithë rajonin e Mirditës me impakt të dukshëm për qytetarët, tha se Mirdita është nga të rrallat krahina që edhe vitin e mbrapshtë 1997- ës e ka kaluar me paqti dhe solidaritet në mes banorëve të saj, pa patur as dhe një ngjarje të rëndë.
Ai ka apeluar që Ministria e Brendshme dhe e gjithë policia të jetë në krah të Mirditës dhe mirditorëve në këto momente pasigurie, të cilat në një qytet të vogël, ndikojnë në largimin e banorëve dhe rrudhjen e mëtejshme të krahinës së Mirditës.
Ai u shpreh i gatshëm për cdo bashkëpunim, qoftë përmes policisë bashkiake apo institucioneve të tjera të vartësisë.
Ministri Balla theksoi se një nga bashkëpunimet konkrete do të jetë dhe një projekt ku dhe bashkia duhet të ndihmojë për të vënë sistemin e kamerave inteligjente në një territor të gjerë, ku të jetë mundësia e “alertimit” të cdo ngjarje kriminale, për të cilën u ra dakord të nënshkruhet një marrëveshje e vecantë dypalëshe.
Gjithashtu kryetari i Bashkisë z. Melyshi i kërkoi Ministrit Balla që si anëtar i Kabinetit Qeveritar në projektet zhvilluese të mos lihet pas dore Bashkia Mirditë, duke u ndalur edhe tek Rruga e Lurës për të cilën Ministri Balla theksoi se punimet atje po vazhdojnë dhe si aks rrugor do të përfundojë në kohën e duhur për të sjellë impakte në zhvillimin e turizmit në krahinat nga ajo kalon.
Më pastaj ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë z. Albert Melyshi me personalitete të tjera nga policia dhe prefektura bashkëbiseduan me gjimnazistet, senatin e nxënësve dhe stafin arsimor të “Gjimnazit Rrëshen” për të nxitur një bashkëpunim më të ngushtë me Policinë dhe Bashkinë, për të ndarë çdo shqetësim e fenomen që kërcënon sigurinë e nxënësve.
Duke folur rreth Paketës së Sigurisë, Ministri Balla u shpreh se “shkollat” për ne janë objekt i rëndësisë së veçantë dhe kushdo që do të tentojë të afrohet brenda këtij perimetri duhet ta pyesë shumë herë veten sepse reagimi do të jetë shumë i fortë.
Në lidhje me fenomenet problematike që mund të shfaqen në perimetrin e sigurisë në shkolla, z. Balla kërkoi një bashkëveprim më të shpejtë mes gjithë strukturave të përfshira në Paketën e Sigurisë, përkatësisht stafit arsimor, policisë, pushtetit vendor, autoritetit ushqimor për t’i paraprirë çdo situate të mundshme.

 

                   

0 Comments

There are no comments yet

Leave a comment

Your email address will not be published.