Mirdita në shekullin XVII ishte njësi territoriale me kufij të përcaktuar dhe përbëhej nga bajrakët: Orosh, Spaç, Kuzhnen, Fan dhe Dibërr, nën vartësinë e Sanxhakut të Dukagjinit. Në fillim të shekullit XIX-të me krahinën e Mirditës u bashkuan edhe bajrakët e Kthellës: Selita, Kthella dhe Rranza. Konfiguracioni i krahinës me 12 bajrakë merr formë në mesin e shekullit XIX-të me bashkimin e katër bajrakëve  të Malësisë së Lezhës: Kryezez, Velë, Bulgër e Manati. Në vitet ’80-të të shekullit XIX-të me ndarjen e re administrative-territoriale, Mirdita është kaza si njësi e Sanxhakut dhe Vilajetit të Shkodrës.

Krahina e Mirditës etnologjike e ka sipërfaqen 1715 km 2 dhe kufizohet me 7 rrethe:  Pukë, Kukës, Dibër, Mat, Kurbin, Lezhë dhe Shkodër. Kufiri kalon në Vaun e Dejës, vargmalet Shite-Kreshtë-Velë-Molung-Rrodhe, zallin e Karricës ku derdhet lumi i Urakës në lumin Mat, zallin e Gjoçajve dhe livadhin e Pelave, majën e Kunorës së Selitës, Blac, Majën e Zezë, qafë të Mërkurthit, Frash-Guri i Kuq, përfshin katundin Lajthizë, në majë të Zepës, Qafë të Kumbullës, Qafë të Malit, luginën e sipërme të Fanit të Madh deri në Lum-Shtyllë, Sukën e zezë, majën e Thatë mbi livadh Kabash, len Tërbunin e Pukës dhe pak pa arritur në fushën e Qershisë del në Ndërmjetës, nëpër Gomsiqen e Vogël e të Poshtme dhe në Katundin Mëdhue e pastaj zbret në lumin Drin.

Në perendim të këtyre kufijëve shtrihet Lezha dhe Zadrima, në veri Puka, në Verilindje Luma, në lindje Lura dhe Arrni, në JL Mati dhe JP malësia e Krujës.

Gjykuar në planin historiko-etnografik kjo njësi gëzoi për një periudhë kohe ndërgjegje, territor ekonomik e drejtim, ndoshta dhe politik, e këto janë të shprehura në mënyrën e të folurit, traditën zakonore, emra të vecantë, shenja treguese të vendndodhjes e banimit të tyre, etj.

Mirdita administrative është themeli i Shqipnisë së Arbrit duke përjashtuar “Dukagjinin”. Si njësi administrative, me 12 bajrakë (flamuj), ajo shtrihet në juglindje të Shkodrës dhe Vau i Dejës shënon cepin veriperendimor të saj.

Qeveria e Vlorës më 22 nëntor të vitit 1913 miratoi ligjin “Kanuni i Përshtatshëm i Administratës Civile të Shqipërisë”, i cili në thelb jepte hollësi të ndarjes së re administrative të Shqipërisë, larg praktikave të vjetra turke. Në kohën kur ky ligj hyri në fuqi, Mirdita ishte pjesë e 16 prefekturave.  Më vonë ky numër u reduktua në 9 syresh. Në regjimin e Zogut, Mirdita u bë nënprefekturë e Shkodrës.

Në vitet ’20 të shekullit të XX, krahinat si Orosh, Spaç, Kuzhnen e Fan, u administruan nga nënprefektura e Mirditës (viti 1922) ku qendra ishte në Vaun e Dejës në varësi të Prefekturës së Shkodrës. Më 11 nëntor të vitit 1922, qendra e nënprefekturës u shpërngul nga Vau i Dejës në Ungrej.

Parlamenti i Shqipërisë më 28 prill 1926 vendosi transferimin e nënprefekturës së Mirditës nga Ungrej në Shpal. Si një ndër vendbanimet më të vjetra të Mirditës së shekullit XII.

Pjesa jugore e Mirditës (Rranza, Kthella e Selita) bënte pjesë në nënprefekturën e Matit në varësi të prefekturës Dibër. Kjo ndarje administrative ka vazhduar edhe pas vitit 1928. Nënprefektura e Mirditës në varësi të Prefekturës Shkodër përbëhej nga krahinaria e Fanit me fshatrat Bisakë, Domgjon, Shëngjin, Xhuxhë, Msajt e Srriqe.

Krahinaria e Spacit bërbëhej nga Domi, Mesuli, Kimza, Gojani i Poshtëm dhe Gojani i Epërm, Bregu, Arrësi. Qafa e Malit, Kryeziu, Tuçi, Gomsiqja, Mnela, Shkoza, Vjerdha, Lumbardha, Linsa, Prezi, Kalivari, Gryka, Gjegjani, Oroshi dhe Vrrinji i Oroshit të Dibrit me Kaftall, Kashnjet, Kaçinar, Korthpulë, Vig, Ungrej, Sukaxhi, Rras, Kalor, Fregjën, Kalivaç.

Krahinaria e Kuzhnenit përbëhej mga Simoni, Kuzhneni, Gjegjani, Blinishti e Ndërfana. Në prefekturën e Lezhës përfshiheshin disa katunde të krahinës së Malësisë së Lezhës si Rubiku, Fangu, Katundi i Vjetër, Munazi, Rrasfiku, Rrëja e Zezë, Rrethi i Epërm, Vaushkjeza. Po në këtë vit krahina e Kthellës varej nga Nënprefektura e Matit. Sipas organizimit administrativo-territorial të vitit 1928, Mirdita mbeti në nënprefekturën e Shkodrës, organizim ky që u ruajt deri në fillim të vitit 1947, me ndonjë ndryshim të vogël.

Pas çlirimit të vendit me dekret nr 106 datë 08.08.1946 u shpall ligji nr 273 mbi “Këshillat Popullorë”. Sipas këtij ligji, këto këshilla, ushtronin pushtetin në njësitë administrative lokale si: lokalitete, (fshatra dhe qytete te vogla), qytete, komuna e nënprefektura siç ishte Mirdita.

Ndarja administrative u rregullua me ligjin nr 248, datë 22.08.1946 “Mbi ndarjen aministrativo-tokësore të RPSH-së”, të shpallur me dekret të po kësaj date. Nënprefektrura e Mirditës me qendër në Gjegjan (për pak kohë), me fshatrat Gjegjan, Blinisht, Dom, Gojan i Epërm, Gojan i Poshtëm, Gurth, Kaçinar, Kimëz, Kuzhnen, Mesul, Mushtë, Rras i Egër, Shmri, Shkozë dhe Tuç.

Komuna e Bulsharit me fshatrat Bulshar, Grykë Orosh, Kodër Spaç, Kthellë e Epërme, Lajthizë, Malaj, Mashtërkor, Ndërshenë, Pëshqesh, Shmri.

Komuna e Kashnjetit me fshatrat Kashnjet, Bukmirë, Fregjën, Gëziq, Gjuzi i Epërm, Kalor, Korthpulë, Livazhës, Munegjë, Rras i Butë, Simon, Sukaxhi, Shpërdhazë, Ungrej, Vrithë.

Komuna Xhuxhë me fshatrat Xhuxhë, Bisakë, Domgjon, Konaj, Srriqe, Shëngjin, Thirrë.

Komuna e Rubikut me fshatrat Rubik, Arishtë, Bulshizë, Fang-Limaj, Ferrë-Shkopet, Skuraj, Fierzë, Katundi i Vjetër, Kryezez, Munaz, Ndërfanë, Ndërfushaz, Rrëja e Velës, Rrëja e Zezë, Rrasfik, Rrethi i Epërm, Vaushkjeza, Rrëshen. Të gjitha këto fshatra të komunës së Rubikut vareshin nga nënprefektura e Milotit në përbërje të Prefekturës Tiranë.

Ndarja administrative-territoriale u pasua me dekretin nr 546, datë 06.11.1947 “Mbi ndarjen e re administrative-tokësore të RPSH-së”, ku Mirdita emërtohet rreth me qendër në Gjegjan (për pak kohë) në varësi të Prefekturës Shkodër. Komunat u zëvendësuan me lokalitete.

Rrethi i Mirditës përbëhej nga:

  1. Lokaliteti i Gjegjanit me qendër në Gojan që përfshin të gjitha fshatrat e qytezës së Gjegjanit me përjashtim të Blinishtit dhe Gurthit që kalojnë me lokalitetin e Mashtërkorit, ndërsa Kaçinari e Kuzhneni kalojnë me lokalitetin e Simonit, Shmria dhe Tuçi kalojnë me rrethin e Pukës.
  2. Lokaliteti i Fanit me qendër në Bisakë përfshinte të gjithë fshatrat e komunës Xhuxhë me përjashtim të Srriqes që kaloi me rrethin e Kukësit deri në vitin 1976.
  3. Lokaliteti i Kalorit me qendër në Kalor përfshinte fshatrat Fregjen, Kalor, Livadhëz, Sukaxhi dhe fshatin Ungrej që i përkiste komunës së Kashnjetit.
  4. Lokaliteti i Mashtërkorit me qendër në Mashtërkor, përfshinte fshatrat Blinisht, Bushar, Kodër-Spaç, Mashtërkor si dhe fshatrat Shmri e Zajs.
  5. Lokaliteti i Rrëshenit me qendër në Rrëshen përfshinte fshatrat Gëziq të komunës së Kashnjetit, Malaj, të ishkomunës së Bulsharit, Ndërfanë, Ndërfushaz e Rrëshen të ishkomunës së Rubikut që varej nga nënprefektura e Milotit.
  6. Lokaliteti i Simonit me qendër në Simon, në përbërje të tij kishte fshatrat Kaçinar e Kuzhnen të ishqytezës së Gjegjanit dhe fshatin Simon të komunës së Kashnjetit.

Po me këtë dekret mjaft fshatra të Mirditës mbetën në vartësi administrative të rretheve fqinj.  Kështu Blinishti e Nënshati kaluan në përbërje të lokalitetit Baçël me qendër në Baçël të rrethit Lezhë. Bulshiza, Fang-Limaj, Fierza, Katundi i Vjetër, Rrasfiku, Rrethi i Epërm dhe Rubiku kaluan në përbërje të lokalitetit të Bulshizës me qendër në Bulshizë të rrethit Lezhë, ndërsa Rrëja e Zezë në vartësi të lokalitetit Munaz, me qendër në Munaz, rrethi Lezhë.

Fshatrat Bozhiq (Bardhaj), Lëkundë, Lufaj, Kthellë e Epërme, Kurbnesh e Zajs, kaluan në përbërje të lokalitetit të Bozhiqit (Bardhaj) të rrethit Mat.

Fshatrat  Përlat, Prosek, Shebe, kaluan në përbërje të lokalitetit të Përlatit me rrethin Mat.

Fshati Lajthizë kaloi me lokalitetin Arrën-Mollë të rrethit Dibër. Fshati Mërkurth kaloi në përbërjen e lokalitetit Krej-Lurë të rrethit Dibër deri në vitin 1962.

Përmirësimi i mëtejshëm i ndarjes administrative u rregullua me dekretin nr 1716 datë 20.08.1953 dhe ligjin nr 1707 të Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH-së, i cili suprimoi nënprefekturat dhe territori i vendit u nda në qarqe, rrethe, lokalitete dhe fshatra.

Kështu rrethi i Mirditës u përbë nga lokaliteti i Shpalit, me fshatrat Blinisht, qendër e Lokalitetit, Bulshar, Grykë-Orosh, Kaçinar, Kodër-Spaç, Kullaxhi, Kuzhnen, Mashtërkor, Pëshqesh, Simon e Shëngjergj; si dhe fshatrat Bulshizë, Bozhiq, Fang-Limaj, Ferr-Shkopet, Fierzë, Gëziq, Katundi i Vjetër, Kthellë e Epërme, Kurbnesh, Perlat Qendër, Përlat i Epërm, Prosek, Rrëja e Velës, Rrasfik, Rrethi i Epërm. Rrëshen, Shebe, Ujë-Lurth, Vaushkjezë dhe Zajs.

Fshatrat e Fanit si Bisakë, Domgjon, Shebe, Klos, Shëngjin, Thirrë, Xhuxhë dhe Zall-Xhuxhë bënin pjesë ne lokalitetin e Fanit të rrethit Kukës deri në prill të vitit 1976.

Në vitin 1958 Mirdita në përbërje të saj kishte 4 ( katër) lokalitete:

Lokaliteti i Rrëshenit me fshatrat Gëziq, Kodër Rrëshen, Livadhëz, Malaj, Ndërfushaz, Përlat Qendër, Përlat Epër, Prosek, Ujë-Lurth.

Lokaliteti i Rubikut me fshatrat Bulshizë, Fang, Fierzë, Katundi i Vjetër, Munaz, Rrëja e Velës, Rrasfik, Rrethi i Epërm, Vaushkjezë.

Lokalieti i Selitës me fshatrat Bozhiq (Bardhaj), Kurbnesh që ishte qendra e lokalitetit, Kthellë e Epërme,Lëkundë, Lufaj, Shebe, Zajs.

Lokaliteti i Shpalit me fshatrat Blinisht, Grykë-Orosh, Kacinar, Kodër-Spac, Kullaxhi, Kuzhnen, Mashtërkor, Simon e Shëngjergj.

Fshatrat  Baz e Bushkash u përfshinë ne lokalitetin e Ulzës të rrethit Mat. Fshatrat si Kumbulla, Lajthiza e Mërkurthi bënin pjesë ne lokalitetin e Lurës të rrethit Dibër. Lokaliteti i Fanit bënte pjesë në rrethin e Kukësit. Lokaliteti i Kashnjetit me fshatrat Fregjën, Gjobardhaj, Kalivaç, Kalor, Kashnjet, Rras i Butë, Sukaxhi, Ungrej bente pjesë ne rrethin e Lezhës. Ndërsa fshatrat Gomsiqe, Mnelë e Madhe, Mnelë e Vogël, Vig, u bënë pjesë e lokalitetit të Vaut te Dejës të rrethit Shkodrës.

Përmirësim të dukshëm ndarja territoriale e RPSH-së pësoi me dekretin nr 4267, me datën 11.04.1967 ku vendi u nda në 26 rrethe, por me ndryshime strukturore. Në bazë të këtij dekreti rrethi i Mirditës përbëhej nga qyteti i Rrëshenit, 4 lokalitete.

Lokaliteti i Kacinarit, me fshtarat Arrëz, Bukmirë, Kaçinar, Kuzhnen, Livadhëz, Shëngjergj dhe Simon që ishte qendra e lokalitetit

Lokaliteti i Rubikut,me fshatrat Bulshizë, Fang, Fierzë, Katund i Vjetër, Munaz, Rrëja e Velës, Rrasfik, Rreth i Epërm e Vaushkjezë.

Lokaliteti i Selitës me qendër në Kurbnesh me fshatrat Kumbull, Mërkuth, Lëkundë, Lufaj, Bulshar, Ndërshenë, Kthellë e Epërme, Shebe, Tharri, Zajs.

Lokaliteti i Shpalit me fshatrat Blinisht, Grykë-Orosh, Gurth-Spaç, Kodër-Spaç, Kullaxhi, Mashtërkor, Nënshejt e Pështjesh, dhe fshatrat që lidheshin direkt me rrethin Mirditë si Gëziq, Fushë Lumth, Lurth, Malaj, Ndërfushaz, Përlat Qendër, Prosek, Sheshaj, Tarazh, Tenë, Ujë-Shtrez.

Pas vitit 1967 shfaqet emërtimi i ri “fshati i bashkuar” si element i kooperimit bujqësor. Krahas fshatrave të bashkuar që përbënin kompaktësi territoriale u shfaqën fshatra të bashkuar me shkëputje territoriale. Kjo lidhej me organizimin ekonomik të ndërmarrjeve ekonomike.

Nga viti 1979 deri në vitin 1990 Mirdita kishte 15 fshatra të bashkuar.

Fierza, me fshatrat:

Fierzë, Rrasfik, Fang, Katundi i Vjetër.

Munazi me fshatrat:

Rrethi i Epërm, Vaushkjezë, Munaz, Rrëja e Zezë, Rrënja e Velës.

Kaçinar me fshatrat:

Kaçinar, Arrëz, Kuzhnen, Simon, Shëngjergj.

Blinishti me fshatrat:

Blinisht,Kullaxhi e Pështjesh.

Spaç me fshatrat:

Gurth Spaç e Kodër Spaç.

Orosh me fshatrat:

Orosh, Bulsharë, Grykë-Orosh, Mashtërkor, Nënshejt e Ndërshenë.

Klos me fshatrat:

Bisakë, Klos, Xhuxhë, Zall-Xhuxhë, Thirrë, Konaj, Shëngjin.

Domgjon me fshatrat:

Domgjon e Hebe.

Tarazh me fshatrat:

Kodër-Rrëshen, Sheshaj, Tarazh.

Prosek me fshatrat:

Përlat Qendër, Përlat i Epërm, Shebe.

Malaj me fshatrat:

Malaj e Tenë.

Ndërfushaz me fshatrat:

Bukmirë, Livazhdës e Ndërfushaz.

Zajs me fshatrat:

Kthellë e Epërme, Kurbnesh, Kumbull, Mërkurth, Zajs.

Bardhaj me fshatrat:

Bardhaj, Lufaj, Lëkundë e Tharri.

Dhe dy fshatra të vecantë, Fushë Lumthi (NB) dhe Reps.

Me ligjin nr 7572 datë 10.06.1992 “Për Organizimin e Funksionimit të Pushtetit Lokal”, Këshilli i Ministrave në qershor të këtij viti, bëri ndryshime në ndarjen administrative-territoriale dhe sipas kësaj ndarje njësia më e madhe amdinistrativo-territoriale u bë Prefektura.

Republika e Shqipërisë u nda në 12 Prefektura dhe 36 rrethe.

Kufinjtë administrativë të Mirditës nuk u prekën. Rrethi i Mirditës ishte pjesë e prefekturës së Lezhës. Në bazë të kësaj ndarje, Mirdita u organizua ne 6 komuna që ishin: komuna Rubik, Kaçinar, Fanë, Orosh, Kthellë e Selitë dhe bashkia Rrëshen.

Me ligji nr 8653 datë 31.07.2000, u suprimuan Prefekturat dhe njësia më e madhe administrative-territoriale u bë Qarku.

Rrethi i Mirditës, sipas kësaj ndraje, ishte pjesë e Qarkut të Lezhës dhe përbëhej nga 5 komuna: Kaçinar, Fan, Orosh, Kthellë e Selitë dhe 2 bashki, Rrëshen dhe Rubik. Mirdita kishte 81 fshatra e 4 qytete (Rrëshen, Rubik, Kurbnesh, Reps).

Bashkia Rrëshen me qendër qytetin Rrëshen (15 prill 1949) kishte në përbërje te saj 14 fshatra: Ndërfushaz, Gëziq, Jezull, Sheshaj, Malaj, Tenë, Kulme, Ndërfanë, Tarazh, Kodër-Rrëshen, Fushë-Lumth, Malaj Epër, Lurth, Bukmirë.

Bashkia Rrëshen ka një sipërfaqe 126.5 km2 dhe 14246 banorë.

Bashkia Rubik me qendër qytetin Rubik (1962) ka në përbërje të saj 11 fshatra: Fierëzë, Fang, Katundi i Vjetër, Rrëja e Zezë, Vau-Shkjezë, Livadhës, Bulshizë, Rrasfik, Munaz, Rrëja e Velës, Rrethi i Epërm.

Bashkia Rubik ka sipërfaqe prej 140,5 km 2 dhe popullsi 8203 banorë.

Komuna Kthellë, përbëhet nga fshatrat Përlat Qendër, Shebe, Troje, Rrushkull, Shtrez, Perlat Epër, Tharri, Prosek, Ujë.

Komuna Kthellë ka një sipërfaqe 86,3 km 2 dhe popullsi 3508 banorë.

Komuna Kaçinarë, përbëhet nga fshatrat Kaiçnar, Arrëz, Kuzhnen, Simon, Shëngjergj, Shtuf  dhe Shpërdhazë.

Komuna Kaçinar ka një sipërfaqe 110, 5 km 2 dhe 2430 banorë.

Komuna  Selitë me qendër qytetin Kurbnesh (themeluar në vitin 1964) përbëhet nga fshatrat Lufaj, Lëkundë, Kthellë e Epërme, Mërkurth, Bardhaj, Zajs, Fshat-Kurbnesh e Kumbull.

Komuna Selitë ka një sipërfaqe 101 km 2 dhe 2339 banorë.

Komuna Orosh me qendër qytetin Reps, (shpallur në vitin 1996), përbëhet nga fshatrat  Pështjesh, Kullaxhi, Shmri, Grykë-Orosh, Bulshar, Ndërshenë, Kodër-Spaç, Lajthizë, Blinisht, Mashtërkor, Zajs, Lgjin, Planetë, Nënshejt, Gurth Spaç. Komuna Orosh ka 135 km 2 dhe 3652 banorë.

Komuna Fanë përbëhet nga fshatrat Klos, Bisakë, Zallë Xhuxhë, Konaj, Petoq, Dardhëz, Sang, Domgjon, Munellë, Shtrungaj, Fan, Katundi i Ri, Shëngjin, Xhuxhë, Thirrë, Hebe, Gjakëz.

Sipërfaqja e komunës Fan është 167,2 km 2 dhe popullsia e saj është 5359 banorë.

Në Mirditën etnologjike ka fshatra dhe qytete që në rrafshin administrativo-territoriale janë në përbërjen e rretheve fqinj si: Lezha, Shkodra, Mati dhe Puka. Sipas rretheve, fshatrat dhe qytetet janë organizuar në njësitë e qeverisjses vendore si më poshtë:

Në rrethin Mat fshatrat si Gjoçaj dhe Lam i Madh janë pjesë e komunës Derjan. Qyteti  Ulëz dhe fshatrat Kokërdhok, Stojan, Madhesh, Lendre dhe Bushkash janë të  komunës Ulëz. Fshatrat Baz, Fushë-Baz, Rreth e Baz, Karicë dhe Drita përfshihen në komunën Baz.

Në rrethin e Lezhës fshatra si Ungrej, Kashnjet, Gjobardhaj, Kalivare, Rrasi i Butë, Zimaj, Fregjen, Kalor dhe Sukaxhi bëjnë pjesë në komunën Ungrej. Fshatrat Kolsh, Gjash, Kacinar, Patalej, Lalm, Vel, Manati, grykë dhe Barbullojë bëjnë pjesë në komunën Kolsh. Fshatrat Zejmen, Tresh, Prull, Pllan, Bërzanë dhe Spiten, bëjnë pjesë në komunën Zejmen.

Në rrethin e Shkodrës fshatrat si Kaç, Naraç, Dush, Karm, Gomsiqe bëjnë pjesë në bashkinë e Vaut të Dejës. Fshatrat Vig, Mnelë e Vogël, Mnelë e Madhe, bëjnë pjesë në komunën Vig-Mnelë.

Në rrethin e Pukës fshatrat Dom, Gjegjan, Gojan i vogël, Gojan i Madh, Rras, Kuzhnen, Shkozë, Kimëz, Kalivare e Mesul bëjnë pjesë në komunën Gjegjan. Qyteti Fushë-Arrëz dhe fshatrat Fushë-Arrëz e Lumbardh bëjnë pjesë në bashkinë Fushë-Arrëz. Fshatrat Luf, Luf-Plan, Kqirë, Korthpulë, Dush, Kaftall, Gomsiqe, Vrrith dhe Plet bëjnë pjesë në komunën Qerret. Fshatrat Qafë Mali, Armiraj, Lumbardhë, Srriqe, Mollkuqe, Tuç, Kryezi dhe Orosh, përbëjnë komunën e Qafë Malit. Fshati Lumzi bën pjesë në komunën Rrap.

Në sipërfaqen prej 848 km2 (jashtë kufinjve administrativë të Mirditës), janë 3 qytete (Vau i Dejës, Fushë-Arrëzi, Ulza), 75 fshatra të organizuar në 2 bashki dhe 11 komuna dhe kanë një popullsi 43265 banorë, ku 10111 prej tyre jetojnë në qytet.

There are no comments yet.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked (*).

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>