Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

“Investo në Mirditë” – Thirrje për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik.

Bashkia Mirditë, në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, organizoi aktivitetin “Investo në Mirditë” – një thirrje për bashkëpunim, e fokusuar në zhvillimin e aseteve në pronësi të Bashkisë Mirditë, në funksion të rritjes ekonomike dhe turizmit.

Aktiviteti bashkoi mirditorë nga brenda vendit dhe diaspora, sipërmarrës dhe përfaqësues të institucioneve.

Takimi u hap nga Kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi, i cili përshëndeti të pranishmit dhe theksoi qasjen e bashkisë ndaj investitorëve:
– “Jemi këtu për të mbështetur çdo iniciativë që sjell zhvillim ekonomik dhe vende pune për qytetarët tanë.”

Z. Nikolin Jaka bëri thirrje për shfrytëzimin e potencialit të Mirditës si zonë me mundësi reale investimi, duke garantuar mbështetje logjistike dhe profesionale nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë për çdo sipërmarrës.

Dom Gjergj Meta shprehu rëndësinë e ruajtjes së mjedisit, duke theksuar se zhvillimi duhet të jetë i qëndrueshëm dhe i ndërtuar mbi vlera afatgjata për komunitetin.

Përfaqësuesi i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Z. Spartak Harizi, prezantoi skemat e mbështetjes financiare për bizneset dhe fermerët, duke shpjeguar mënyrat konkrete të aksesimit të fondeve për zhvillim në bujqësi dhe turizëm.

Z. Kol Gjoka, Konsull Nderi i Shqipërisë në Gjermani, nënvizoi rolin thelbësor të diasporës si një faktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në vazhdim, stafi i Bashkisë Mirditë solli një panoramë të qartë mbi atraksionet turistike të Mirditës, skemat e granteve ku mund të
aplikojnë bizneset, procedurat ligjore për investime, si dhe nismën “Paketa e Maleve” që synon të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e turizmit malor.

Z. Rigers Kacorri ndau vizionin për të ardhmen e industrisë agropërpunuese në Mirditë duke theksuar se :
– “Mirdita ka çdo gjë që i duhet për të qenë një qendër e fuqishme e prodhimit dhe turizmit rural. Duhet vetëm të besojmë dhe të punojmë së bashku për ta arritur”.

Takimi vijoi me diskutime të hapura dhe konstruktive mbi sfidat që përballen sipërmarrësit lokalë, si dhe mbi mundësitë për përmirësim dhe rritje të investimeve në zonë.

Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe rritjes së bashkëpunimit mes komunitetit, sipërmarrësve dhe bashkisë Mirditë.

0 Comments

There are no comments yet

Leave a comment

Your email address will not be published.